Foto: Flickr

Loja e identiteteve politike

Identitetet politike kosovare, të veshura nga partitë që janë në pushtet a në opozitë, na kanë tërhequr nga realiteti, duke na bërë jo rrallë të harrojmë se ku përkasim, e shpesh të harrojmë se çfarë jemi. Ato e kanë humbur sensin e solidaritetit dhe sensin e bashkimit, duke qenë skajshmërisht të kundërta. Jo pse identitetet politike do të duhej të jenë të njëjta, meqë është utopike dhe e dëmshme, por sepse në ndryshueshmërinë dhe në interesat e tyre, ato do të duhej të kishin interesat që lidhen thellësisht me dinjitetin dhe qenësinë njerëzore.

Në të kundërt, ato janë identitete që aplikojnë politika të ndarjes, identitete të ngopura me cinizëm, urrejtje e qëndrime fëminore. Ato e kanë ndarë botën kosovare nëpërmjet botëve të tyre artificiale, dhunës dhe hipokrizisë. Duket se më nuk ka mes. Ose je andej ose këndej.

Kjo ndarje e rreptë e hierarkive politike është patetike e shterpe dhe ngjan se askush nga ata nuk mëton të njohë shpirtin njerëzor. Statusi i një qytetari të këtij vendi do të duhej të përcaktohej krejtësisht ndryshe. Por kjo, është larg pasionit të zërave të politikës.

Derisa politika, në gjithë botën, më shumë se asnjëherë, është vënë nën llupën e debateve e diskutimeve, nën llupën e kritikëve, opinionistëve, nën llupën e të gjithë lojtërave të kësaj loje, politika në Kosovë, sot ofron brum për të qeshur e për t’u ‘zgërdhier’ me përmbajtjen dhe formën e saj.

Thellësia e munguar, elokuenca dhe gjithë diskursi politik. Brumi i politikës kosovare, debatet, diskutimet, fjalimet, mimika, intonacioni, leksiku, ndërtimi i frazave, e gjithë e folmja me një fjalë, dhe çdo detaj tjetër që kap një figurë publike, është material thesar për humorxhinjtë e shakaxhinjtë, edhe kur ata nuk i takojnë këtij zanati. Kjo sa i takon anës së jashtme.

Për nga përmbajtja, prapaskenat e botës politike, nga aferat e fundit deri te e tërë marrëdhënia ndërmjet të fuqishmëve në pushtet, gjatë viteve të fundit, na është dëshmuar ekzistenca e identiteteve politike që nuk e kanë hiç për dert zgjidhjen, lehtësimin e rregullimin e jetës së popullatës, pos lidhjes së nyjave që gjithçka e bëjnë veçse më të vështirë.

Përjashtuar një numër të vogël, ajo që kjo ‘elitë’ i ofron publikut të saj, është lojë e dobët dhe e pavlerë. Herë teposhtë e herë përjetë, herë horizontale e herë vertikale, kultura politike kosovare, është me e “qajt me lot”.

Mes një identiteti që e proklamon fort kapjen pas rrënjëve të perëndimit, një tjetri që i proklamon fort idetë nacionaliste, dhe një tjetri që i mëshon fort patriotizmit, qenësia kosovare dhe problemet e saj të vërteta janë shndërruar në një ‘hall’ krejtësisht të parëndësishëm.

Kësisoj, natyrshëm shtrohet pyetja, se a është duke i vrarë shqiptarët kultura e politikës, apo politika pa kulturë, apo ndoshta po i vret vetë kultura e jetës, e cila në çdo pore është e mbytur me politikë.

Kohët e reja kanë bërë detyrën e tyre, ndërkohë që përfaqësuesit janë bërë gjithnjë më të papërgjegjshëm. Në këtë mes, mbase do të mund edhe të pyetej se cili është dialogu ndërmjet ‘intelegjencës’ së elitës politike të Kosovës, dhe cila është kultura e klaneve?

A është kjo inteligjencë e ndarë ndërmjet atyre që kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme, të shtirura apo të vërteta, të cilat bëjnë që të përplasen keq ndërmjet vete, apo është vetëm një ndarje ndërmjet grupeve e grupacioneve, që mund të përkthehet edhe në interes të politikës, edhe në interesa të parasë, duke krijuar kështu me secilin grup një klan më vete.

Në këtë ‘gënjeshtore’ ndodhen pak a shumë të gjithë, ndaj identitetet e politikës kosovare, duke qenë skajshmërisht egoiste, nuk kanë si ta gjejnë respektin për dinjitetin njerëzor. Përmbysja e vlerave dhe e formave të funksionimit si shoqëri e komunitet, dhe shndërrimi i interesave individuale në vlera absolute, ka bërë që kosovarët të mos e kuptojnë më luftën politike që proklamohet në emër të tyre.

Duke qenë të rrethuar me mjeshtërinë e hajnisë e të hipokrizisë, kemi harruar se sa fort këto identitete dhe ideologjia që bartin, po na e copëtojnë jetën, si një nerv që tenton të na trullos keq. Qenia njerëzore është shumë e komplikuar dhe e ngarkuar në këtë epokë që të mund të definohet vetëm sipas perceptimeve apo përllogaritjeve së tyre.

Terreni i betejës së vërtetë nuk janë pikëpamjet individuale e as pikëpamjet idilike të atyre që përfaqësojnë këto identitete, por njerëzit që i bajnë pasojat e veprimeve të tyre. Sikur kjo luftë identitetesh të kishte interesa të mirëfillte për njeriun që përfaqëson e detyrën që ka, jeta shoqërore e demokracia do të ishin tjera.

Dramat dhe turbullirat që po i shkakton impotenca politike janë duke luajtur një rol të tmerrshëm në mentalitetin politik, intelektual dhe në të gjitha shtresat e njeriut kosovar. Sikur vetëm të çliroheshin prej vetvetes dhe mentalitetit që e kanë imponuar… mbase edhe do të shkëlqenin të lirë.