Lladrovci Insiston në Rastin Kiqina

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, Ramiz Lladrovci, rikonfirmoi insistimin e tij në trajtimin e rastit Kiqina nga Parlamenti.

Sipas një letre të Lladrovcit, kryetari i Parlamenti, Jakup Krasniqi, ka ftuar një takim të shefave të grupeve parlamentare për të vendosur rreth kësaj teme – rreth votimit ose jo të propozimit të Lladrovcit.

“Të martën në orën 10:00, do të vazhdojë seanca e mbetur, ku do të vendoset për ose kundër propozimit tim”, thotë iniciuesi i këtij propozimi që është nënshkruar edhe nga 85 deputet tjerë.

Në votim do të vendoset se a do të krijohet komisioni “ad-hoc” për rastin Kiqina.

Lidhur me reagimin e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë Samuel Zbogar, Ramiz Lladrovci pasi shpreh konsideratë për punën e tij, thotë se diplomati slloven nuk është dashur të thotë se janë përdorur të gjitha rrugët ligjore dhe se kjo çështje konsiderohet e mbyllur.

Ndërsa sa i përket aspektit të përzierjes së legjislativit në gjyqësor, Lladrovci ka thënë se ky debat nuk po bëhet përgjatë procesit gjykues që do të mund të merrej si ndikim.

Gjithashtu, Lladrovci ka adresuar edhe mundësinë e ndikimit të kësaj çështjeje në përmbajtjen e Raportit të Progresit për Kosovën duke mos besuar se një gjë e tillë do të ndodhë.

“E nëse po, ajo do të duhej përfshirë si element pozitiv dhe përpjekje për të vënë në vend drejtësinë dhe të vërtetën”, thotë Ramiz Lladrovci.

BE: Zhgënjim me Diskutimin e Rastit

Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, ka reaguar të premten pas debatit parlamentar lidhur me rastin “Kiqina” duke thënë se është i zgënjyer me të.

“Zhbogar është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me debatin parlamentar lidhur me rastin e mbyllur gjyqësor”, thuhet në reagim.

Zhbogar citohet se beson se janë përdorur të gjitha rrugët ligjore dhe se rasti Kiqina konsiderohet i mbyllur,

Në raste të tilla, sipas tij, Kuvendi duhet të mos angazhohet në asnjë veprim i cili mund të interpretohej si përpjekje për të ndikuar ose përmbysur ndonjë vendim gjyqësor, apo si përpjekje për të influencuar perceptimin e gjykatësve për pavarësinë e tyre.

Zhbogar po ashtu ka thënë se është edhe më shqetësuese kur Kuvendi shqyrton themelimin e një komisioni “ad-hoc” për rishikimin e kësaj çështjeje, apo e shqyrton mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ta rihap rastin.


Samuel Zbogar |Foto: Wikimedia Commons

“Ne dëshirojmë të përsërisim se duhet të ketë dallim të qartë në mes të autoritetit gjyqësor, ekzekutiv dhe atij legjislativ”, thotë Shefi i Zyrës së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, për të rikujtuar pastaj se ky dallim parashtrohet në Nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës.

“Parimi i ndarjes së pushteteve është i një rëndësie primare. Prandaj unë jam i zhgënjyer me vetë debatin por edhe më tepër i shqetësuar për çka duket si keqkuptim i parimit fundamental të sundimit të ligjit në cilëndo demokraci funksionale”, ka përfunduar Samuel Zhbogar.

Nuk Votohet për Komisionin Hetues Parlamentar për Rastin “Kiqina”

Ka përfunduar të premten në mbrëmje,mbledhja e Kuvendit të Kosovës, pa votuar për propozimin e deputetit Ramiz Lladrovci, ”për krijimin e një Komisioni hetimor, për ndriçimin e shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë gjykimit të rastit ’Kiqina’”.

Shumica e deputetëve që kanë folur gjatë diskutimit në parlament për rastin “Kiqina” kanë shprehur deklarativisht mbështetjen për krijimin e një komisioni ad-hoc për hetimin e kësaj çështjeje, por pas përfundimit të debatit deputetët shkuan në pauzë, për t’u kthyer pastaj në numër të vogël dhe në mungesë të kuorumit për propozimin e Lladrovcit nuk u votua.
 
Një gjë e tillë nuk u bë as në fund të mbledhjes, në të cilën u debatua edhe lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013, temë kjo për të cilën po ashtu nuk u arrit të votohej lidhur me një komision të propozuar ad-hoc.

Seanca e së premtes dhe ajo e të enjtes do të vazhdojnë ditën e martë.

Debati rreth rastit “Kiqina”

Iniciuesi i debatit parlamentar për rastin “Kiçina”, deputeti Ramiz Lladrovci (PDK), tha se ekzistojnë dyshime të bazuara se vendimi i rastit paraqet shkelje të rënda procedurale dhe shkelje të drejtave të njeriut.

Ai propozoi formimin e një komisioni parlamentar për shqyrtimin e procesit gjyqësor në rastin në fjalë.

“Organet hetuese kanë përdorur presion mbi dëshmitarët, kanë përdor mashtrime dhe premtime në këmbim të dhënies së deklaratave në favor të akuzës. Organet hetuese e as gjykatat nuk i vlerësuan dëshmitë që shkojnë në favor të akuzuarve”, tha Lladrovci.

Ai shtoi se mungojnë provat e vendit të ngjarjes, sepse në vendin e ngjarjes nuk kanë dalë as prokurorët as gjyqtarët dhe se nuk janë ekzaminuar një varg dëshmish, edhe pse mbrojtja kishte kërkuar këtë.

“Nuk kemi hapësirë kushtetuese e ligjore që të ndërhyjmë në sistemin e gjykatave

Lladrovci bëri thirrje që të shqyrtohen rrethanat e reja të paraqitura në këtë rast dhe dyshimet e bazuara për shkeljet e të drejtave të njeriut.
 
Arben Gashi nga LDK-ja e kundërshtoi iniciativën për diskutim të rastit “Kiçina”  duke e cilësuar si përzierje të pushteteve.

“Kuvendi nuk ka kapacitet të gjykojë vendimet e gjykatave. Kjo iniciative është ndërhyrje direkte në pavarësinë e gjyqësorit. Nuk kemi hapësirë kushtetuese e ligjore që të ndërhyjmë në sistemin e gjykatave”, tha Gashi.

Deputetja, Albana Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje thirri deputetët të mos jenë “servilë të ndërkombëtarëve”.

“Një vendim i ndikuar është një premisë për padrejtësi nesër”, tha ajo.

Deputeti AAK-së, Daut Haradinaj, nuk ishte i pajtimit që kjo seancë të ishte ndërhyrje në drejtësi.

“Përkundrazi, kjo do të ndihmojë për vendosje të drejtësisë”, tha ai.

Mbështetje kësaj iniciative i dha edhe lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

“Gjithsesi sulmi mbi familjen Hajraj ka qenë krim”, tha Kurti duke shprehur pastaj bindjen se procesi gjyqësor në këtë rast ka qenë i padrejtë.

Ahmet Isufi ( AAK), duke iu referuar gjyqësorit u shpreh se, “ ka nevojë që jo të ndërhyhet në drejtësi, por të kërkohet përgjegjësi e lartë”.

“A janë vrasës vëllezërit Ramadani dhe Kiçina apo është vrasës drejtësia në Kosovës

Ai doli në përkrahje të formimit të një komisioni i cili do të marrë përsipër ta trajtojë këtë temë, në mënyrë që, sipas tij, drejtësia të fillojë të funksionojë në Kosovë.

Edhe deputetja e PDK-së, Justina Pula –Shiroka, duke shprehur mbështetjen e saj për krijimin e këtij komisioni, tha se një komision i të tillë do të hetonte mbi mundësitë e shkeljeve që mund të e jenë bërë në rastin “Kiçina”, dhe se nuk synohet të ndërhyhet në punën e gjyqësorit.

Kurse deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se ky debat do të duhej të quhej jo ndërhyrje në drejtësi, por ndërhyrje në padrejtësi.

“A janë vrasës vëllezërit Ramadani dhe Kiçina apo është vrasës drejtësia në Kosovës? Aq sa i dua vrasësit para drejtësisë, aq i dua edhe të pafajshmit të lirë”, tha Selimi.

Mbështetje iniciativës i dha edhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri i cili tha se “pafajësia e tyre lidhet me mungesën e provave”.

Debatimi i rastit “Kiçina” është kundërshtuar edhe më herët

Hyrja e rastit “Kiçina” në rend të ditës të Kuvendit të Kosovës ishte kundërshtuar më herët nga ekspertë vendor si dhe nga faktori ndërkombëtar.

Futjen e rastit “Kiçina” në rend të ditës të Kuvendit të Kosovës, e ka cilësuar si ndërhyrje të pastër të pushtetit legjislativ në pushtetin gjyqësor, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi .

“Në asnjë rrethanë vendimet gjyqësore nuk mund të komentohen, e aq më pak të ndërhyhet nga pushtetet tjera, sepse kjo në parim paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit”, tha Musliu.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë i kishte rekomanduar më herët Kuvendit të Kosovës të përmbahet nga veprimet të cilat mund të interpretohen si tentim për të ndikuar, ose për të kthyer ndonjë vendim gjyqësor.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”, kishte thënë Fjolla  Çeku, zyrtare informimi e BE-së,  e pyetur nëse parlamenti duhet të diskutojë për rastin gjyqësor  “Kiçina”. 

Iniciativa e diskutimit të rasteve gjyqësore nga ana e Parlamentit është kundërshtuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci kishte deklaruar se “në vendimet gjyqësore nuk mund të ndërhyjë askush. Kjo është rregull. Jo vetëm legjislativi, por asnjë palë tjetër e interesit nuk mund ta bëjë këtë”.