Liria e Fjalës si Fjalë e Lirë

Secili njeri e ka të drejtën e patjetërsueshme të shprehet e të flasë lirshëm. Liria e fjalës, si liri e shprehjes, si mendim, i thënë lirshëm dhe i bërë publik, është ndër vlerat themelore që e dallon qartë shoqërinë demokratike. E vërteta, e thënë me kohë dhe e thënë troç, përbën lajmin. E lajmi ka për qëllim informimin, që i bëhet i njohur publikut i cili krijon opinionin duke pasur për këtë edhe qëndrimin çfarëdo qoftë ai.

Pak a shumë, kjo është shprehja e lirë, kjo është liria e fjalës, që nuk ka të bëjë vetëm më mediet, por që përfshin të gjithë spektrin e shoqërisë. Liria e shprehjes si bazë e demokracisë është vetëdija kritike për të gjitha gjërat që na rrethojnë e për të cilat komunikojmë. Kjo është e drejta themelore e njeriut, një nga pararendëset e të drejtave dhe e lirive të tjera qytetare.

Republika e Kosovës si një shoqëri në tranzicion është vlerësuar mirë për lirinë e shprehjes, është vlerësuar për mediet e pavarura dhe profesionale, që ka ndikuar pozitivisht në të gjitha proceset zhvillimore demokratike të vendit tonë edhe pse në këtë lëmi drejt mediave e gazetarëve profesionistë e të pavarur duhet punuar ende.

Një fushë e veçantë është normimi i kësaj lëmie në të cilën gjithsesi ndikon tradita, zhvillimi i përgjithshëm, kushtet specifike të vendit, por veçanërisht synimet tona, ndërlidhjet dhe ndërthurjet me trendet bashkëkohore dhe sidomos me praktikat dhe me përvojat e Bashkimit Europian, ku si popull dhe si shtet mëtojmë të anëtarësohemi si pjesë e barabartë dhe dinjitoze.

Normimi nëpërmjet rregullativës ligjore në vendet demokratike gjithsesi e ka për qëllim që të sigurojë dhe të ofrojë të gjitha kushtet për një gazetari të mirëfilltë dhe hulumtuese, duke pasur një trajtim më specifik për këtë profesion dhe për këtë mision në shërbim të vërtetës, duke informuar saktë, drejt dhe me kohë. Shoqëria u mundëson gazetarëve qasje të papenguar në të gjitha burimet për kryerjen e profesionit si dhe mbrojtje të nevojshme të të dhënave dhe të burimeve të informacionit.

“Lajmësi nuk ndiqet”, është parim i kodit të lashtë, që siguronte shpërndarjen e informacionit dhe dhënien e lajmit pa marrë parasysh çfarë lajmi është ai për marrësin.

Gazetarët e kanë mekanizmin rregullues të punës së vet, të kodit të etikës, të sjelljes, të profesionit, respektimi i të cilit i ka bërë që ata të jenë të nderuar për përkushtimin dhe për punën e tyre.

Duke qenë gazetari i lirë dhe i papenguar në ushtrimin e profesionit atëherë është gazetaria e mirëfilltë, e pavarur dhe e paanshme që konsiderohet kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë së një vendi. Normimi ligjor i lëmisë së informimit i të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces gjithsesi e ka për qëllim garantimin e shprehjes së lirë, që të papenguar gazetarët të kryejnë punën e vet të ndihmuar në dhënien e selektimin e informatave . Vendi ynë ka nevojë për gazetari të angazhuar dhe profesionale, të lirë ta thotë të vërtetën kudo, kurdo dhe ndaj gjithsecilit.

Kosova si një demokraci e re duke përqafuar praktikën dhe traditën më të mirë të vendeve të demokracisë evropiane, ku gazetarët dhe gazetaria janë hallkë shumë e rëndësishme e përparimit të proceseve demokratike dhe e respektimit të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut bëhet një shembull i tranzicionit të suksesshëm duke qenë të gjithë kontribuues të kësaj.

*Autorja është presidente e Republikës së Kosovës. Artikulli është publikuar në botimin e punuar nga profesoresha Lindita Tahiri me studentët e Masterit të Gazetarisë në UP (Gjej këtu publikimin e plotë)