Bërllog në Përronin që kalon përmes qytetit || Foto: Kallxo.com

Liqeni për Rekreacion dhe Kolektor i Ujërave të Zeza

Malisheva, me ndihmën edhe të qeverisë qendrore, ka arritur që të mos lejojë që qytetarët e saj të vdesin nga pickimi i rriqrave që shkaktojnë ethe hemorragjike. Viteve të fundit vdekjet nga pickimi janë evituar.

Por, Malisheva ka shumë telashe të tjera, që nuk janë për mburrje. Problemi me sfidues i kryetarit të ardhshëm do jetë kanalizimi dhe trajtimi i ujërave të zeza.

Gjysma e qytetarëve nuk janë të kyçur në rrjet të kanalizimit edhe pse një gyp i kanalizimit që përfundon në kolektor, kalon përmes qytetit.

E ky gyp është dëmtuar dhe ujërat e zeza nuk mbërrijnë në Kolektor, por shkarkohen në lum. Në kolektorin kryesor nga Temeqina në Bubël që lidh krejt fshatrat e Malishevës, ky kolektor kalon por nuk janë të lidhura fshatrat. Ai është i dëmtuar dhe totalisht jashtë funksionit. I gjithë kanalizimi primar derdhet në lumin Mirusha dhe përfundon në liqenin artificial. Ky liqen i ndërtuar me qëllim të rekreacionit është kthyer në kolektor të ujërave të zeza.

Malisheva në fillim të vitit 2016 kishte probleme me vërshimet. Rreziku nga vërshimet në Malishevë nuk është tejkaluar. Për më tepër në fshatin “Mirushë” jetohet me frikën se një ditë Diga e vendosur nga Komuna që mban liqenin artificial mund të shpërthejë për shkak të dëmtimit që ka pësuar.

Kjo digë është e dëmtuar skajshmërisht nga të reshurat e fundit që krijuan përmbytje në Malishevë. Shpërthimi i kësaj dige rrezikon seriozisht lagjen Mirushë nga përmbytjet.

Diga e dëmtuar tek liqeni artificial || Foto: Kallxo.com

Infrastruktura dhe Arsimi

Komuna e Malishevës ka dhënë 53 leje ndërtimi. Vetëm tri zona të qytetit kanë plane rregulluese: Lagja “Gërmiza”, “Goleshi” dhe qendra e Malishevës . Pjesa tjetër dhe fshatrat ndërtojnë me metodën e tahminit. Komuna e Malishevës akoma nuk ka Plan Zhvillimor Komunal. Edhe pse plani është hartuar nga ekzekutivi dhe miratuar në Kuvendin Komunal, akoma nuk ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Në Malishevë ka mungesë të theksuar të ndriçimit publik, sidomos nëpër fshatrat e Malishevës. Në Carallukë te shkolla “Imer Krasniqi” është ndërprerë ndërtimi i trotuarit për afro 120 metra në pjesën me të rrezikshme për fëmijë që çon në lagjen “Ragip Latifi” ku vetëm nga kjo lagje janë 2 paralele.

Komuna vazhdon të ketë probleme në arsim edhe është investuar në infrastrukturën e arsimit veçanërisht në ndërtimin e çerdhes së parë. Hulumtimi ynë tregon se nxënësit e lagjes Graqevë të fshatit Panorc dhe ata të fshatit Janqist të cilët udhëtojnë për të shkuar në shkollë.

Hallet e Malishevës në Debat Pernime

Problem tjetër i evidentuar është largimi dhe rikthimi i mësimdhënësve me vendimeve të gjykatave ndërsa rezultatet e testit nacional tregojnë se vetëm 77 % e maturantëve të Malishevës kanë kaluar në afatin e parë të testit nacional. Krahasuar me Gjakovë ku 85.71% e nxënësve e kanë kaluar këtë test.

Sporti dhe financat

Komuna e Malishevës akoma nuk ka stadium funksional të futbollit. Ky stadium është ndërtuar në qeverisjen e Isni Kilajt por është demoluar në qeverisjen Begaj pa u luajtur asnjë lojë. Në vitin 2016, Komuna e Malishevës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi  për renovimin e stadiumit, mirëpo stadiumi akoma nuk është funksional.

Malisheva i ka 56 mijë banorë, sipas vlerësimit të Agjencisë së Statistikave, gati sa Lipjani e Drenasi dhe 15 mijë më shumë se Fushë Kosova. Malisheva, në vitin 2015, i kishte vetëm 586 mijë euro të hyra, ndërsa në vitin 2016 kishte të hyra 739 mijë euro. Të hyrat e Malishevës janë për 1 milion euro më pak se sa Lipjani, gjysmë milion euro më pak se Drenasi, e 1.3 milionë euro më pak se Fushë Kosova. Malisheva ka një buxhet prej 12.3 milionë, ku 94% i vijnë si grant nga Qeveria e vetëm 6 për qind arrin t’i mbledh vet. Për me i zgjidh të gjitha këto probleme, komuna e Malishevës ka buxhet prej 3.5 milionë euro për investime kapitale ndërsa pjesa tjetër e buxhetit shkon për paga dhe mëditje.

Stadiumi i papërfunduar i futbollit || Foto: Kallxo.com