Limaj - Zyrtar Kundër Krimit Përkundër Akuzës

Florim Limaj, në nëntor të vitit të kaluar, po udhëhiqte grupin punues për hartimin e draft-strategjisë për parandalim e krimit. Por, udhëheqësi i grupit për hartimin e këtij dokumenti shtetëror në të njëjtën kohë po hetohej vetë nga EULEX-i për përfshirje në krim të organizuar.

Ministria e Punëve të Brendshme kishte organizuar një punëtori treditëshe e cila kishte nisur më 7 nëntor të vitit 2012.

Në atë punëtori ishte diskutuar finalizimi i asaj strategjie kombëtare kundër krimit.

Por ndaj Florim Limajt atëkohë ishin duke u zhvilluar hetime penale nën dyshimin se ishte i përfshirë vetë në krim të organizuar në rastin e Ministrisë së Transportit e Postë-Telekomunikacionit.

Disa ditë më vonë, më 16 nëntor të vitit të kaluar, EULEX-i njoftoi se tashmë kishte ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limajt për krim të organizuar dhe korrupsion.

Në aktakuzën është i përfshirë edhe Florim Limaj.

“Të pandehurit Fatmir Limaj, Florim Limaj, Demir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzohen, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale dhe/apo materiale”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

EULEX-i njoftoi se dëmi ndaj buxhetit të MTPT-së llogaritet të jetë rreth dy milionë euro.

Fatmir Limaj akuzohet gjithashtu për mosdeklarimin e parave në kohën që garonte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007 si dhe për vepra të tjera penale.

“Veprat penale për të cilat akuzohen kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010; ndërsa në lidhje me pastrimin të parave mes vitit 2009 dhe 2012”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Krimit 2013-2017 u aprovua nga Qeveria e Kosovës më 30 janar te vitit 2013.

MPB-ja nuk e pezullon Limajn

Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka pezulluar Limajn edhe përkundër se ndaj tij është ngritur aktakuzë. 

Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar që Florim Limaj ka filluar punën në këtë ministri më 1 shtator të vitit 2009 dhe se ka kontratë pune të vlefshme deri më 31 dhjetor të vitit 2013.

MPB-ja thotë se ai mban pozitën Zyrtar i Sekretariatit Koordinues të Koordinatorit Nacional kundër Krimit të Organizuar në MPB.  

Z.Limaj punon në MPB sepse ne nuk jemi të njoftuar zyrtarisht se është ngritur ndonjë procedurë gjyqësore ndaj tij. Rroksana Qarri

Zyra për Informim konfirmon se ai punon ende në këtë pozitë sepse nuk ka njoftim zyrtar se ndaj tij po zhvillohet procedurë gjyqësore.

Në fakt Ligji për Shërbyes Civil parasheh pezullimin e një zyrtari kur ai është pjesë e një procesi penal.

“Z.Limaj punon në MPB sepse ne nuk jemi të njoftuar zyrtarisht se është ngritur ndonjë procedurë gjyqësore ndaj tij dhe të veprojmë në bazë të Ligjit të Shërbimit Civil  Nr. 03/L-149 nenit 69”, thotë Rroksana Qarri, drejtoreshë e Zyrës për Informim në MPB.

Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi thotë se Kodi i Procedurës Penale parasheh se kush duhet të informohet zyrtarisht në rast të ngritjes së aktakuzës.

Neni 242 që rregullon këtë çështje nuk parasheh edhe informimin e institucionit ku punon i pandehuri.

“Aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën. Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit”, thuhet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Ish-këshilltari i Fatmir Limajt dhe anëtari i ekipit të mbrojtjes në rastin “Kleçka”, Endrit Shala, po ashtu i akuzuar në rastin kundër korrupsionit, kur u kontaktua nga gazeta tha se e kishte numrin e Florim Limajt, por se nuk dëshironte të jepte atë. Në numrin e mobilit që e posedon gazeta, është lajmëruar një person që tha se nuk është Florim Limaj.

Mahmut Halimi, avokat mbrojtës i Florim Limajt në rastin e korrupsionit, thotë se mbajtja e vendit të punës në MPB nga klienti i tij nuk përbën problem “sepse është i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij”.

“…Nuk ka gjasa që kjo të interpretohet nga prokurori si mundësi për të ndikuar në dëshmitarë”, thotë Halimi.

Avokati Halimi thotë se këtë çështje nuk e ka biseduar asnjëherë me klientin e tij. “Nuk i kam thënë të japë dorëheqje sepse nuk më takon ta bëjë këtë”, thotë Halimi. 

Nuk përbën problem sepse është i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij. Mahmut Halimi

Ligji parasheh pezullimin

Ligji për Shërbyes Civilë parasheh rastet kur një zyrtar duhet të pezullohet nga puna.

Neni 69 përcakton rastet se kur një zyrtar duhet të pezullohet me pagesë dhe të marrë vetëm 50 për qind të rrogës. 

Ligji… thotë se nëpunësit civilë pezullohen nëse kundër tyre është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve, nëse mbahen në arrest në pritje të gjykimit si dhe në rastet kur prania e tyre në zyrë mund të pengojë hetimet.

Në këtë rast ndaj Limajt është iniciuar procedurë penale.

Pika 2 e nenit 6 të Kodit të Procedurës Penale tregon për fillimin e procedurës penale.

Një procedurë penale, sipas këtij neni, fillon atëherë kur një prokuror vendos për nisjen e hetimeve nën dyshimin se është kryer vepër penale.

EULEX-i kishte zgjeruar hetimet në rastin e MTPT-së në shtator të vitit të kaluar duke përfshirë në procedurë penale Florim e Demir Limajn, dy vëllezërit e ish-ministrit të Transportit e Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, si dhe Endrit Shalën, shef i kabinetit të tij.

Ndërkohë hetimet ndaj Fatmir Limajt ishin bërë publike që në prill të vitit 2010 kur ishin bastisur Ministria e Transportit e Postë-Telekomunikacionit dhe pronat e tij.