Limaj Në MTPT 1 Gjykohet Për Krim të Organizuar

Prokurori kishte bërë ankesë kundër vendimit për aktakuzë dhe pranueshmëri të provave, të nxjerrë nga gjykatësja Anna Adamska Gallant, gjykatëse e EULEX-it në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gjykata e Apelit me vendimin e saj e ka pranuar pjesërisht ankesën e prokurorisë dhe i ka shpallur të pranueshme provat e siguruara gjatë bastisjes së shtëpisë së Fatmir Limajt në Çagllavicë më 28 prill 2010. Këto prova më parë ishin përjashtuar nga gjykatësja Gallant.

Në komunikatën e EULEX-it thuhet se “Gjykata e shpalli si provë të pranueshme procesverbalin e intervistimit të të pandehurit Florim Limaj nga Prokurori Special më 4 shtator 2012. Pjesa tjetër e ankesës së prokurorisë u refuzua si e pabazuar”.

Ndërsa Gjykata e Apelit ankesat e avokatëve mbrojtës i refuzoi si të pabazuara. Mbrojtësit kishin kërkuar që të gjitha akuzat të refuzohen.
 
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, lënda penale do të vazhdojë me shqyrtimin kryesor në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në kuadër të aktakuzës së konfirmuar si vijon:

Fatmir Limaj akuzohet për kryerjen e këtyre veprave penale: krim i organizuar, shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit, marrje e mitës dhe mosdeklarim i marrjes së parave të fushatës.

Endrit Shala dhe Nexhat Krasniqi akuzohen për tri veprat e para me të cilat ngarkohet edhe Limaj, ndërsa Florim Zuka akuzohet për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe dhënie të mitës.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj e konfirmoi hedhjen poshtë në tërësi të aktakuzës kundër të pandehurve Florim e Demir Limaj dhe Gani Zogaj. Procedurat kundër këtyre të pandehurve kanë pushuar.

Fatmir Limaj nuk do të gjykohet për të gjitha veprat penale që rëndonin mbi të, në aktakuzën e ngritur kundër tij dhe të tjerëve, në lëndën e Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit që ka të bëjë me sjellje të supozuar korruptive në këtë ministri, për periudhën kohore  2008- 2010.

Limaj nuk do të gjykohet për akuzat e pastrimit të parave, posedimit ose shfrytëzimit pa leje të armëve, përvetësimit në detyrë dhe lidhjeve të kontratave të dëmshme.

Akuza përmbante 12 pika duke përfshirë, krimin e organizuar, përvetësimin në detyrë, lidhjen e kontratave të dëmshme, keqpërdorimin e detyrës zyrtare apo autorizimit, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, keqpërdorimin e autorizimit në ekonomi, pastrimin e parave, pengimin e të dëshmuarit, shkatërrimin ose fshehjen e materialit, armëmbajtjen pa leje dhe mosdeklarimin e parave të marra për fushatë elektorale.

Sipas aktakuzës, Fatmir Limaj, cilësohet si kryesues i grupit kriminal, ndërsa ka qenë i njohur me nofkat “shefi”, “mixha”, “bosi” dhe “mbreti”.