Limaj dhe të Tjerët Deklarohen të Pafajshëm (video)

Seanca e filluar në orën 9:30 të mëngjesit, ka vazhduar gjatë gjithë ditës me leximin e pikave në aktakuzë ndaj të gjithë të pandehurve.

Seanca ishte fillestare dhe vazhdimësi e asaj të së hënës ku ekipi i prokurorëve të EULEX-it në rastin Limaj, kanë vazhduar me leximin e pikave të aktakuzës për Fatmir Limajn, dy vëllezërit e tij Demir dhe Florim Limajn, Endrit Shalën, Nexhat Krasniqin, Florim Zukajn dhe Gani Zogajn.

Ishte një ankesë e ekipit mbrojtës të Fatmir Limaj ajo e cila hapi seancën e sotme. Tomë Gashi, avokat nga ekipi i mbrojtjes së Fatmir Limajt, ngriti “çështjen e shqetësimit dhe presionit që i bëhet ekipit të mbrojtjes nga prokurori i çështjes”.

Ai shtoi se prokurori “i është drejtuar Odës së Avokatëve të Kosovës me një shkresë të jashtëligjshme, duke kërkuar nga ajo që t’ua ndalojë deklarimin e avokatëve mbrojtës të ekipit të Limajt se rasti është politik”.

“Mirëpo unë prapë po them se ky është rast politik”, tha Gashi para trupit gjykues, të mërkurën.

Fillimisht kishte telashe për pranimin ose jo të mediave në sallë, pas ankesës së familjarëve me arsyetimin se shkaku i mediave, nuk kishin pasur mundësi të merrnin pjesë në seancën e kaluar.

Mirëpo në fund kryetarja e trupit gjykues vendosi të ketë prani të gjashtë kamerave, të cilat u vendosën në fund të sallës.

Vazhdimi i leximit të aktakuzës zgjati gjatë gjithë ditës së mërkurë.

Aktakuza përmban 12 pika duke përfshirë, krimin e organizuar, përvetësimin në detyrë, lidhjen e kontratave të dëmshme, keqpërdorimin e detyrës zyrtare apo autorizimit, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, keqpërdorimin e autorizimit në ekonomi, pastrimin e parave, pengimin e të dëshmuarit, shkatërrimin ose fshehjen e materialit, armëmbajtjen pa leje dhe mosdeklarimin e parave të marra për fushatë elektorale.

Ndër pikat e aktakuzës që u lexuan në seancën e sotme, u përshinë kontaktet dhe komunikimet e këtyre të pandehurve dhe personave të tjerë për tenderët e shumtë në periudhat sa Fatmir Limaj ishte ministër i MTPT-së.

Ndër sms-të që përmban akt akuzues prokurori ka përfshirë komunikimin e Fatmir Limajt me Mehmet Shkodrën (përfaqësues i një operatori ekonomik i cili donte të merrte tenderë nga ish-ministria e transportit) për periudhat 6-30 maj 2008.

Prokurori vazhdoi leximin e aktakuzës duke u koncentruar në takimet e ish-ministrit me afaristët Mehmet dhe Bekim Shkodra. Sipas prokurorit, Limaj dyshohet se u kishte premtuar atyre një tender të ish-ministrisë së transportit.

Po ashtu, në pikat 51 dhe 52 të aktakuzës përfshihen komunikimet me sms për tenderë në mes të Endrit Shalës, ish-këshilltarit të Limajt, dhe Florim Zukës, biznesmen nga Gjilani.

Aktakuza gjithashtu ngarkon dy vëllezërit e Fatmir Limajt, Demirin e Florimin, të cilët dyshohen se kanë kryer transaksione në të mirë të ish-ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Pas pushimit të drekës, trupi gjykues dhe të pandehurit në rastin Limaj janë kthyer në gjykatore me ç’rast prokuroria vazhdoi të lexojë aktakuzën që ka të bëjë me serverët e MTPT-së dhe deklaratën e Gani Zogajt në lidhje më serverët. Zogaj dyshohet se ka fshirë përmbajtjen serverëve të MTPT-së.

Në seancë reflektuan problemet teknike që përmbante aktakuza dhe të cilat kishin të bënin më kuptimin e ndryshëm të aktakuzës nga shqip në anglisht, e cila shkaktoi reagimin e të pandehurit Endrit Shalës dhe mbrojtësve të të akuzuarve të tjerë.

Mirëpo kryetarja e panelit gjyqësor premtoi se kjo çështje do të rregullohet në procedurat e mëtejme.

Edhe pse kishte kaluar ora 15:00, aktakuza nuk ishte arritur të lexohej e tëra, me ç’rast prokurori i çështjes propozoi që aktakuza të konstatohej si e lexuar, me çka u pajtua edhe pala mbrojtëse. Pas një pauze prej 15 minutash, seanca vazhdoi me deklarimin e të pandehurve në lidhje me akuzat.

Fatmir Limaj dhe të gjithë të pandehurit e tjerë, u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndër të tjera, Fatmir Limaj shtoi se mezi pret që në shqyrtimin e radhës, të ballafaqohet me provat dhe të argumentojë pafajësinë e tij, më shkrim dhe gojarisht.

Gjithashtu Limaj shtoi: “Unë jam i gatshëm që çdo ditë me qenë në gjykatë në të dyja rastet vetëm më ardhë te e vërteta” (rasti Kleçka dhe ai i MTPT).

Limaj iu drejtua kryetares së panelit gjyqësor që nuk ka nevojë të shqetësohet për dy rastet e tij të cilat sipas gjykatëses po i nxjerrin telashe caktimit të seancës së radhës. “Kam nevojë për gjykim të shpejtë, të drejtë, të paanshëm dhe jo të paragjykuar” deklaroi Limaj.

Dëgjimi i dytë u caktua për 17 maj, në të cilën seancë do të paraqesin deklarimet dhe kundërshtimet e palëve në lidhje më akuzat.

Raportimi i mëhershëm gjatë ditës

15:45  Fatmir Limaj dhe të pandehurit tjerë janë deklaruar të pafajshëm.

15:24 Gjyqtarja e rastit ka dhënë pushim kur filluan të lexohen akuzat kundër dy vëllezërve të Fatmir Limajt, Demirit e Florinit, të cilët dyshohen se kanë kryer transaksione në të mirë të ish-Ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

14:07 Trupi gjykues dhe të akuzuarit në rastin Limaj janë kthyer në gjykatore pas pushimit të drekës. Prokuroria po vazhdon të lexojë aktakuzën që ka të bëjë me serverët e MTPT-së dhe deklaratën e Gani Zogajt, i pandehuri i shtatë, në lidhje me serverët.

12:40 Seanca do të vazhdojë prej orës 14:00 sepse Fatmir Limaj ka kërkuar të drekojë në shtëpi dhe kjo i është miratuar nga gjykata.

11:48 Në vazhdimin e seancës në rastin Limaj-Ministri e Transportit, prokurori vazhdoi leximin e aktakuzës duke u koncentruar në takimet e ish-ministrit me afaristët Mehmet dhe Bekim Shkodra.

Sipas prokurorit, Limaj dyshohet se u kishte premtuar atyre një tender të ish-ministrisë së transportit.

Salla është e stërmbushur me publik.

Limaj dhe të tjerët në heshtje kanë dëgjuar leximin e aktakuzës.

Ka pasur edhe reagime të mbrojtësve për disa çështje teknike.

Fillimisht kishte telashe për pranimin ose jo të mediave në sallë pas ankesë së familjarëve se shkaku i tyre nuk kishin pasur mundësi të merrnin pjesë në seancën e kaluar.

Kryetarja e trupit gjykues vendosi  të ketë prani të kamerave të cilat janë vendosur në fund të sallës.

Në aktakuzë flitet edhe për komunikimet me sms të ish-këshilltarit të ministrit, Endrit Shala, me afaristin Florim Zuka.  Shala, duke dëgjuar leximin e aktakuzës, ka reaguar me buzëqeshje.

10:24 Tomë Gashi, avokat nga ekipi i mbrojtjes së Fatmir Limajt, ngriti “çështjen e shqetësimit dhe presionit që i bëhet ekipit të mbrojtjes nga prokurori i çështjes”.

Ai shtoi se prokurori “i është drejtuar Odës së Avokatëve të Kosovës me një shkresë të jashtëligjshme, duke kërkuar nga ajo që t’ua ndalojë deklarimin e avokatëve mbrojtës të ekipit të Limajt se rasti është politik”.

“Mirëpo unë prapë po them se ky është rast politik”, tha Gashi para trupit gjykues, të mërkurën.

Gashi e ka bërë këtë deklaratë në fillim të seancës së shqyrtimit fillestar ndaj Fatmir Limajt dhe 6 të pandehurve të tjerë që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Aty është paraparë të vazhdojë leximi i aktakuzës dhe deklarimi i të pandehurve në lidhje me akuzat.

“Ky vend ishte i okupuar”, shtoi Gashi. “Është liruar në qershor të 1999-es. Limaj ka luftuar për liri dhe janë serbët ata që e kanë quajtur terrorist . Nuk duam presion nga prokurori”, shtoi Gashi.

Pas kësaj, seanca vazhdon me leximin e pikave prej 44 deri në 47 të aktakuzës.

Në këto pika ceken ndër të tjera komunikimet e Fatmir Limajt me Mehmet Shkodrën (përfaqësues i një operatori ekonomik i cili donte të merrte tenderë nga ish-ministria e transportit) për periudhat 6-30 maj 2008 dhe për takimet e tyre.

Po ashtu, në pikat 51 dhe 52 të aktakuzës përfshihen komunikimt me SMS për tenderë në mes të Endrit Shalës, ish-këshilltarit të Limajt, dhe Florim Zukës, biznesmen.

Seanca për deputetin dhe politikanin e fuqishëm nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, Fatmir Limajn, ka filluar të hënën me leximin e akuzave për të dhe të pandehurit e tjerë.

Ndër të tjera në atë seancë ishte vendosur që avokati Karim Khan mund ta mbrojë Fatmir Limajn.