Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Ligji Nuk Peshon sa Devolli

Agjencia Kosovare e Privatizimit i thyen dy rregulla duke i shitur ‘Fabrikën e Amortizatorëve’ korporatës ‘Devolli Group’. Kompania ishte nën hetime për korrupsion dhe blerjen e realizoi përkundër faktit që kjo ishte oferta e vetme. Përveç kësaj, ndërmarrja potencialisht profitabile me 8 hektarë tokë, shitet vetëm për 2 milionë në një nga lokacionet më të frekuentuara në kryeqytet.

Përfshirja në procedurë penale të EULEX’it nuk duket t’i ketë lënë asnjë shenjë korporatës “Devolli Group”. 

NDËRLIDHUR

AKP ia shiti ndërmarrjen me renome kompanisë së fuqishme të dyshuar për korrupsion, për as gjysmën e vetëm vlerës së tokës, dhe në kundërshtim të dy kritereve të shitjes – kërkesën për të pasur më shumë se një garues dhe për të mos iu shitur një ndërmarrje nën hetime.
 
Blerim e Shkëlqim Devolli më 15 maj të vitit 2011 regjistruan këtë ndërmarrje në emër  të ‘Devolli Group’ në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë pasi për këtë kishin fituar të drejtën nga Agjencia e Privatizimit në tetor të vitit 2010.

Për blerjen e kësaj ndërmarrje pronarët e kësaj kompanie ofruan 2 milionë e 50 mijë euro në Valën e 45’të të privatizimit më 27 tetor të vitit të kaluar, gati tre muaj pasi iu nënshtruan procedurës penale nën EULEX’in. Lokacionet e korporatës Devolli ishin bastisur më 15 korrik me autorizim të gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX’it dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Pronarët e korporatës Devolli dhe drejtori gjeneral Ismet Bojku dyshoheshin për lidhje të kontratave të dëmshme e përfshirje në krim të organizuar. Ndaj tyre është ngritur aktakuzë nga prokurori i EULEX’it i cili kërkon deri në 20 vjet burg për shkak të veprave penale të kryera gjatë bartjes së licencës nga Dardafone në Dardafone.net si dhe lidhjen e një kontrate të dëmshme me Postë-Telekomin e Kosovës për operimin e Z-Mobile si operator virtual i telefonisë mobile.

Ky është një nga rastet e profilit më të lartë të krimit ekonomik dhe të organizuar të ngritura në Kosovën e pas luftës. Llogaritet se kontrata e nënshkruar në favor të ‘Devolli Group’ ka dëmtuar Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës për mbi 250 milionë euro. Dy vëllezërve Devolli, Ismet Bokujt, Shyqri Haxhës (kryeshefit ekzekutiv të PTK’së) dhe Rexhë Xhonbalajt (kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PTK’së) do tu duhet të paraqiten më 13 tetor në seancën e konfirmimit të aktakuzës së tyre.  

Agjencia e Privatizimit kishte vendosur rregulla që eliminonin automatikisht ofertuesit e tillë në blerjen e ndërmarrjeve shoqërore, por kjo nuk ishte respektuar nga vetë ky institucion.

Në dokumentin ku përshkruhen rregullat e tenderit për privatizimin e Ndërmarrjes së Re “Fabrika e Amortizatorëve”Sh.P.K / Vala 45 A përmes metodës spin-off specifikohen ndalesat për personat e përfshirë në procedurë penale. Tek neni  3 i këtyre rregullave flitet për ofertuesit me ndalesë konkurrimi, përkatësisht pika (e) ndalon të marrin pjesë në garë për blerjen e një ndërmarrje shoqërore personat fizikë që janë shpallur fajtorë për ndonjë krim që është kryer pas muajit Qershor 1999 ose që në ndonjë mënyrë tjetër i nënshtrohen procedurave penale.

Po ashtu, në një pikë tjetër të këtyre rregullave specifikohet se subjektet juridike, ku pronarët përfitues ose personat kontrollues të tyre i takojnë kategorive të theksuara në nenin 3.1 u ndalohet të marrin pjesë në këtë garë. “Çfarëdo oferte e dorëzuar nga një person me ndalesë ofertimi do të diskualifikohet automatikisht, pavarësisht nga fakti nëse oferta e tillë është në pajtim të plotë me kushtet dhe afatet e përcaktuara në këto Rregulla për Tender”, thuhet në rregullat për konkurrim në blerjen e kësaj ndërmarrje shoqërore.

Drejtori i përgjithshëm i ‘Devolli Grup’, Ismet Bojku, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë ka thënë se nuk mund të japë përgjigje nëse blerja e ndërmarrjes është bërë sa ai dhe pronarët e kompanisë ishin nën procedurë penale. “Nuk mund të përgjigjem për këtë, duhet të kontaktoni avokatin e kompanisë”, ka thënë Bojku. Por, përfaqësuesi ligjor Valon Basha ka qenë e pamundur të kontaktohet.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, ka thënë për Gazeta JnK se për të gjithë ofertuesit bëhet verifikimi i historikut nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nëse nga këto të dhëna dëshmohet se nuk ka ndonjë
procedurë penale respektive, atëherë AKP vazhdon me procesin e shitjes. “Në këtë rast nuk është dëshmuar të ketë procedure penale ndaj ofertuesit, prandaj edhe AKP ka vazhduar me procesin e shitjes”, ka thënë Kaloshi.

Kaloshi ka shtuar se pavarësisht nëse ofertuesi është shpallur fitues, atij nuk mund t’i nënshkruhet kontrata e shitjes në rast se ka ndonjë vendim gjyqësor për veprime që janë të ndaluara, ose në rast se nga Gjykata lëshohet masë e përkohshme, me të cilën pezullohet procesi i shitjes. “Në rastin në fjalë nuk ka pasur ndalesa nga gjykata”, ka shtuar ai.

Bordi lejon shitjen me një ofertë:

Oferta me shifër P31 ishte konkurruesi i vetëm në tenderin e Agjencisë së Privatizimit për shitjen e fabrikës së amortizatorëve. Rregullat e tenderit për privatizimin e ndërmarrjes përmes metodës spin-of i japin mandat bordit të Agjencisë së Privatizimit që të anulojë tenderin kur ka më pak se sa tre ofertues të përgjegjshëm.

Bordi i AKP’së nuk kishte aplikuar nenin 15 të këtyre rregullave në rastin e ofertës së “Devolli Group”. Pika C e nenit 15.2 i jep mandat bordit të AKP’së që të anulojë tenderin nëse më pak se tri oferta janë dorëzuar nga ofertuesit e kualifikueshëm gjatë periudhës për dorëzimin e ofertave.

Në të  njëjtën valë të privatizimit është shitur edhe ‘Ndërtesa Administrative’ e Fabrikës së Amortizatorëve e krijuar si ndërmarrje tjetër e re nga Agjencia e Privatizimit për një shumë prej 5 milionë e 100 mijë eurosh. Dhjetë ditë para se të regjistrohej në Ministrinë e Tregtisë si kompani private fabrika e amortizatorëve në emër të Devolli Group është regjistruar Ndërmarrja e Re “Ndërtesa Administrative”, në emër të kompanisë N.P.T  Euro-Nex.

Persona të autorizuar të kësaj kompanie figurojnë zyrtarët e operatorit virtual të telefonisë mobile Z-Mobile, hisedarë të së cilit janë pronarët e korporatës Devolli. Përgjegjës të kësaj kompanie figurojnë të jenë Valon Basha zyrtar ligjor, Fjolla Rexha zyrtare e marketingut si dhe Burim Krasniqi e Nita Alija.

“Zyrtaret e përmendur nuk janë blerës te ndërmarrjes  ‘Ndërtesa Administrative’ e krijuar nga ndërmarrja shoqërore Fabrika e Amortizatorëve”, ka thënë Milot Gjikollli, menaxher i ‘Z-Mobile’ për Gazeta JnK. “Lidhur me çështjen e çmimit blerës të ndërmarrjes ju lutem të kontaktoni blerësin e kësaj ndërmarrje, ndonjë ekspert pronash ose Agjensionin e Privatizimit te Kosovës”.

Normalisht, zyrtarët e Z-Mobile nuk janë pronarë por vetëm përfaqësues të ndërmarrjes ‘Ndërtesa Administrative’. Lidhja me ‘Devollin’ ekziston pasi kjo e fundit ka aksione në operatorin virtual ‘Z-Mobile ku të tre përfaqësuesit punojnë.

Sidoqoftë, në blerjen e kësaj pjese të ish-Fabrikës së Amortizatorëve kishte disa ofertues. Oferta e dytë kishte vlerën 3 milionë e 555 mijë euro. Edhe kjo pjesë ishte shitur së bashku me 25 ari tokë në bazën e ndërtesës administrative plus 5.20 hektarë tokë e 60 metra katrorë që gjenden në Zonën Industriale në Prishtinë.

Parregullsi në shitjen e ndërmarrjeve të reja ‘Fabrika e Amortizatorëve’ dhe ‘Ndërtesa Administrative’ ka vërejtur edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. “Në Valën 45 të privatizimit për dy ndërmarrje shihet se nuk kishte prezantim të drejtë të sipërfaqes së tokës gjegjësisht shpalljet publike në gazetë dhe në memorandumet e informatave për këto ndërmarrje kishin të prezantuar sipërfaqe të ndryshme”, kanë konstatuar auditorët duke e cilësuar këtë prezantim jo të drejtë të sipërfaqes së tokës, në një raport auditimi për vitin 2010 për fondin e privatizimit, publikuar në qershor të këtij viti.

Auditorët kanë konkluduar se mangësitë e vërejtura në lidhje me procesin e privatizimit në përgjithësi janë shumë serioze dhe orientojnë në një kontroll të dobët brenda AKP’së. Në shpalljen publike, sipas auditorëve, shënohet se Fabrika e Amortizatorëve ka 8 hektarë e 28 ari ndërsa në Memorandumin e Informatave që i është shpërndarë ofertuesve e në këtë rast vetëm ‘Devolli Group’ shënohet se kjo ndërmarrje shoqërore ka 8 hektarë e  35 ari. Ndërtesa e Administratës në shpalljen publike të AKP’së shënohet se ka 5 hektarë e 20 ari ndërsa në Memorandumin e Informatave që iu jepet vetëm ofertuesve figuron se janë 5 hektarë e 7 ari.

Lokacioni i ish-Fabrikës së Amortizatorëve, menjëherë në të dalë të Prishtinës në Rrugën për Fushë-Kosovë, është shumë i favorshëm. Ka një hapësirë të madhe – për standardet e Prishtinës – është 10 minuta në këmbë larg nga qendra e qytetit, afër rrethrrotullimit më të madh në Kosovë që çon nëpër të gjitha qytetet kryesore – Mitrovicë, Prizren, Pejë. Ky është vetëm edhe një detaj që tregon se përse shitja ishte kaq fitimprurëse. 

Kjo është arsyeja pse profesionistët që merren me shit-blerjen e patundshmërisë e vlerësojnë këtë tokë shumë më lartë se që ka qenë shitja e saj.

Halil Sylejmani, pronar i agjencionit të shitblerjes “Visi”, ka thënë për  Gazetën Jeta në Kosovë se çmimi për ari në atë pjesë është minimumi 6.000 euro.  Në qoftë se do të kalkulohen 8.5 hektarë, dhe duke marrë për bazë çmimin e arit në vlerë minimale prej 6.000€, atëherë del se vlera totale e tokës duhej të ishte 5.1 milionë.

“Blerësi ka ofruar dhe e ka blerë me një çmim të vogël për arsye se çmimi real i tregut, ka vlerë shumë më të lartë”, thotë Sylejmani.

Ndërsa sipas Albulena Azemit, përfaqësuese e Agjencionit për Patundshmëri “Zogu”, çmimi i tokës për ari në atë pjesë sillet madje rreth 7,000 deri në 9,000 euro.

Fabrika e amortizatorëve ishte e vetmja fabrikë në Ballkan që prodhonte amortizatorë të cilët shfrytëzoheshin për makina të larjes edhe për makina si Golf, Peugeot e Zastava. Sipas menaxherëve të atëhershëm të fabrikës së amortizatorëve, në të 70tat e 80tat fabrika ishte aq profitabile sa që as që bëhej fjalë që përafërsisht 1700 punëtorë të cilët punonin të mos paguheshin prej profitit të fabrikës, pasi nuk kishte nevojë për subvencion nga shteti.

Në të 80tat, para shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, Fabrika e Amortizatorëve në Prishtinë kishte nënshkruar kontratë me Peugeout që të prodhonte amortizatorë për makinat e prodhuara në Francë.

Tani, metoda e privatizimit të aplikuar në këtë rast nuk e ndalon kompaninë blerëse të bëjë çfarë të dojë me ndërmarrjen që posedon, për shembull edhe ta përdorë si parcela toke. Dhe kompania deri më tash nuk ka bërë të qartë se ç’plane ka me ndërmarrjen.

Ramush Berisha, përfaqësues i sindikatës së punëtorëve të ish-Frabrikës së Amortizatorëve, thotë se ajo çfarë ka ndodhur tash me këtë ndërmarrje është një “skandal i paparë”. “Kemi menduar se një ditë do të kemi institucionet tona që mbrojnë pasurinë e vendit. Fabrika e amortizatorëve jo që është shitur, por është falur”, është shprehur Berisha.

Punëtorët thonë se vetëm sasia e tokës që është shitur ka një vlerë pakrahasimisht më të madhe për hapësirën ku gjendet. “Le më që kjo ka qenë fabrika e vetme e këtij lloji në tërë rajonin e Ballkanit. Në ditët tona të mira, kemi prodhuar deri në 3 milionë amortizatorë në muaj”.

Ata insistojnë se dy milionë kishte vetëm material të gatshëm të rëndësishëm për procesin e prodhimit, përpara shitjes.

Rreth 920 punëtorë ende figurojnë t’i takojnë ndërmarrjes Fabrika e Amortizatorëve siç ka qenë dhe ata pretendojnë se kanë pronësinë e mbi 7 hektarësh tokë, aty ku është vendosur tregu në rrugën për Fushë-Kosovë që është edhe pjesa e fundit e pa privatizuar e hapësirës së dikurshme të fabrikës. 

Ismet Bojku, drejtori i përgjithshëm i ‘Devolli Grup’, thotë se ka folur vetë disa herë me punëtorët e ish-Fabrikës së Amortizatorëve. “Argumentet e tyre për vlerën e kompanisë janë thjesht një nostalgji. Edhe unë jam ndjerë kështu për raste tjera”, ka thënë Bojku. “Por është shumë më mirë të investohet vetëm 2 euro dhe të rivitalizohet një ndërmarrje sesa ajo të mbetet një gërmadhë. E kundërta është vetëm argument i një mentaliteti të vjetruar”.

03.10.2011 08:19:58

ETIKETA

16 Tetor 2011 - 2:19 am

Gazeta Jeta në Kosovë 16/10/2011 - 2:19 am
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0