Libri Klasik Megjithatë Mbijeton (TV)

Shitësit spanjollë të librit kishin zgjedhur një mënyrë të veçantë për të nderuar autorin Migel de Cervantes. Që nga 23 prilli i vitit 1923 ata e shënojnë këtë ditë me ngjarje të ndryshme për të kujtuar autorin e Don Kishotit.

Ndërsa 1995-a është viti kur UNESCO vendosi që kjo ditë të jetë botërisht e shënuar si Dita botërore e Librit dhe e të drejtave të autorit.

Në ditët e sotme kjo ditë shfrytëzohet veçanërisht për të promovuar leximin, publikimin dhe të drejtat e autorit.

Por çka do të thotë të jesh shkrimtar në Kosovë dhe a mund të jetohet nga libri?

“Është e mundimshme, rrezikon të mbetesh rast social”, thotë shkrimtari Albatros Rexhaj, duke shtuar se po të ishte e lehtë, gjithkush do të shkruante.

“Libri është shndërruar në luks dhe një njeri që më parë i ka blerë katër-pesë libra në muaj, tash i blen dy, sepse nuk ka mundësi më tepër”, thotë ai.

Ndërkaq Dori Basha dramaturge thotë që shkrimi u jep përparësi sidomos atyre që nuk lejojnë të dekurajohen nga situata e pafavorshme në Kosovë për krijuesit.

“Arsyeja është se Kosova është si një qyp me shumë rrëfime dhe në përgjithësi si shoqëri nuk jemi rrëfimtarë të mirë, andaj për shkrimtarë, posaçërisht shkrimtarë të rinj është një vlerë shumë  e madhe të jenë në gjendje ti zbërthejnë këto rrëfime dhe t’i ndajnë me të tjerët”, thotë Basha.

Për poeten Qëndresa Deda, Kosova herë të jep inspirim e herë anti-inspirim.
   
“Kosova është kjo që ndodhë çdo ditë, ndonjëherë më ofron diçka më të mirë, ndonjëherë dicka më të keqe, më ofron njëfarë jete ose mosjete, më shumë mosjetë”, thotë ajo.

Shkrimtarët thonë që me gjithë kushtet e pafavorshme për krijuesin, rrëfimi është më i rëndësishmi dhe vendimtari.

“Në Kosovë nuk ka treg kushedi sa të zhvilluar të librit, kështu që krijuesit duhet të jenë idealista dhe të vazhdojnë të krijojnë sepse e dojnë atë punë, por jo sepse kanë përfitim prej saj”, thotë dramaturgia Basha.

Libri klasik s’ka konkurrencë

Albatros Rexhaj, i cili është autor i uebfaqes së parë shqiptare të librave elektronikë thotë se e ardhmja e librit mund të jetë edhe libri hologramik, por libri klasik megjithatë do të jetë pjesë e njerëzve me shije për klasikën.

“Libri elektronik është e ardhmja. Dallimi është sikur posta elektronike me postën
tradicionale. Shumë pak njerëz dërgojnë sot postë tradicionale, dërgojnë letra
elektronike, njejtë ndodh edhe me librin”, thotë ai.

Ndërsa Dori Basha thotë se librat elektronikë dhe klasikë nuk janë në konkurrencë, por e plotësojnë njëri tjetrin.

“Unë mendoj që ka aq shumë fanatikë të librit në botë, kështu që libri i shtypur
kurrë nuk do të zhduket, asnjëherë”, thotë ajo.

Në një krahasim të bërë në vitin 2005 nga Gallup Internacional, del se interneti nuk e ka zvogëluar leximin e librit.

Ndërsa në vitin 1949, 21% e të anketuarëve kishin thënë se janë duke lexuar një libër, në vitin 2005 kjo përqindje ishte 47.

Ka prej vetë autorëve që shprehen se krijimtaria nuk duhet të ketë pronar, libri është i të gjithëve.

“Ajo që dikush e thotë, kushdo që e thotë, është me rëndësi dhe nuk është me
rëndësi autori ose kush e bën, për atë hapësira virtuale më duket interesant sepse nuk e din kush po shkruan, por vetëm çka po shkruan”, thotë Qëndresa Deda.

Ajo thotë se autori është veç një transmetues, ndërsa libri është i të gjithëve dhe nuk
është e rëndësishme të ketë të drejta të autorit.

“Krijimtaria në përgjithësi është e lirë në kuptimin që autori nuk është pronari”, thotë ajo.