Liberalizimi i Eksodit Kosovar

E kaluara e Kosovës pikturoi rrugën e migrimit, dhe hapave të saj qytetarët kanë ecur edhe në vitet e fundit, bazuar në të dhëna faktike nga terreni dhe studimet statistikore.

Sipas raporteve të ndryshme, mungesa e perspektivës, çështjet ekonomike-sociale, papunësia dhe mungesa e ideve të qarta në zhvillimin ekonomik të vendit stërmbushi autobusët me eksport të kapitalit njerëzor drejt BE-së.

Por ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren hapa konkrete në përmirësimin e gjendjes, me liberalizimin e shumëpritur të vizave, Kosova rrezikon të përballet edhe me një fluks të migrimit.

Ndërsa çdo vend tjetër i Ballkanit ka përfituar nga regjimi pa viza në Bashkimin Evropian, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në izolimin e tyre, duke u përballur edhe me kushte të rënda ekonomike, me papunësi mbi 35 për qind dhe një sërë problemesh të tjera ekonomike, sociale dhe politike.

Përveç këtyre, deri në liberalizimin e vizave kosovarët po përballen edhe me kosto për aplikim për to dhe pritje para dyerve të ambasadave të huaja.

Përkundër izolimit, qytetarët nuk kanë ndenjur duar kryq për faktin se ata ndër vite kanë kaluar kufijtë ilegalisht.

Ndërsa zyrtarët kosovarë nuk hasin vështirësi për udhëtimet e tyre në Evropë, pjesa tjetër e qytetarëve kanë mbetur të izoluar | Foto: Facebook
Ndërsa zyrtarët kosovarë nuk hasin vështirësi për udhëtimet e tyre në Evropë, pjesa tjetër e qytetarëve kanë mbetur të izoluar | Foto: Facebook

Një tjetër efekt tjetër negativ i eksodit, sipas BB-së, pasqyrohet edhe në rritjen ekonomike të vendit për shkak të zvogëlimit të konsumit.

Sipas dokumentit për lëvizjen e lirë në vendet anëtare të zonës Shengen për qytetarët e Shqipërisë, vendet anëtare të BE-së kanë caktuar një shumë që nuk e kalon 50 euro/ditë kur shtetasi ka një rezervim hoteli.

Vlera prej 50 eurosh në numrin prej 66 mijë banorë të cilët mund të lënë vendin me liberalizimin e vizave, rezulton se mbi 3.3 milionë euro për shpenzime ditore do të shpenzoheshin jashtë kufijve të Kosovës që në vlerë vjetore kap shifrën të paktën 1.2 miliardë eurove.

Eksodi i djeshëm vs. eksodi i nesërm?

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), popullsia deri në fund të vitit 2014 vlerësohej në 1,804,944 banorë. Në vitin 2013, Kosova numëronte 1,820,631 banorë, duke shënuar rënie prej -15,691 banorë brenda periudhës njëvjeçare.

Në zbërthim të kësaj, sipas të dhënave të ASK-ut, shtimi natyror (që paraqet raportin në mes të natalitetit 32,087 dhe mortalitetit 8,165) në Kosovë në vitin 2014 ishte 23,922 banorë por bilanci i migrimeve ndërkombëtare (që paraqet raporti në mes imigrimeve dhe emigrimeve) është në minus -39,613.

Pasi që në vitin 2014, vlerësohet se 45,333 banorë emigruan përtej kufijve të vendit dhe vetëm 5,720 imigruan apo erdhën në Kosovë. Si rezultat i bilancit të migrimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe shtimit natyror, rritja e përgjithshme për vitin 2014 kishte rënie në minus 15 mijë banorë.

Sipas të dhënave të fundit të agjencisë së statistikave të BE-së, EuroStat rreth 66,885 qytetarë të Kosovës që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Banka Botërore (BB) kishte vlerësuar se mungesa e perspektivës në vend i shtyu qytetarët e Kosovës të dalin jashtë kufijve ilegalisht.

http://kallxo.com/banka-boterore-mungesa-e-perspektives-shkaktoi-eksodin-kosovar/

Liberalizimi i vizave mundëson edhe një ikje masive të qytetarëve drejt perëndimit. Një gjë e tillë ndodhi me Maqedoninë kur u hoq regjimi i vizave në vitin 2009, ku në media thuhej se rreth 200 mijë shtetas e kishin lëshuar vendin atë kohë.

Rifat Blakaj, ish-kryetar i Komisionit Qeveritar për Regjistrimin e Popullsisë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se përmirësimi i kushteve brenda vendit është domosdoshmëri për të parandaluar valë të tjera eksodesh.

“Shpresojmë që me zhvillimin ekonomik, do të krijohen edhe parakushte që pas liberalizimit të vizave të mos kemi edhe flukse të papunëve drejt Evropës dhe problemeve që dalin me ikje eventuale”, tha Blakaj.

Liberalizimi nuk sjell punësim

Sipas Blakja, situata në Evropë dhe politika e emigracionit është e njohur, ndërsa tregu evropian i punës është i mbingarkuar nga kërkues emigrantë.

Blakaj thotë se priten edhe realitete të reja të migracionit dhe nuk përjashtohet mundësia që një numër i madh kosovarësh do të kërkojnë shanset eventuale që mund të përfitojnë nga ndonjë migrim eventual ndoshta dhe kërkimin e statuseve të ndryshme në Evropë.

“Kosova tash më është radhitur si vend i sigurt, nuk ka ndonjë rrezik të përndjekjeve politike, të konflikteve apo luftës, dhe për kosovarët janë të limituara mundësitë për punësim apo ndonjë status eventual”, tha Blakaj.

Sipas Ministrisë së Integrimeve Europiane (MIE), të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të lëvizin lirshëm, përfshirë edhe ata që i kanë kaluar ilegalisht kufijtë para liberalizimit, duke qenë se nuk parqiten kufizime specifike.

“Me liberalizim të vizave, të drejtën për të udhëtuar pa viza do ta kenë të gjithë qytetarët e vendit që posedojnë pasaporta biometrike të Republikës së Kosovës, dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) në ndonjërin nga shtetet e zonës Schengen”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Gazetën JNK.

MIE më tej thotë se liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk ju mundëson qytetarëve punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Shengen. Ata theksojnë se heqja e vizave nuk u jep të drejtë qytetarëve të Kosovës të kërkojnë azil.

Por, qytetarë të Kosovës që morën rrugën drejt perëndimit gjatë 2014-2015, nuk janë dorëzuar dhe janë të gatshëm ta provojnë fatin përsëri.

Disa që shitën gjithçka nga pasuria e tyre me shpresën për të përfituar azil në perëndim, edhe pse u kthyen nga autoritete e atjeshme, mendojnë ta riprovojnë fatin kur të liberalizohen vizat.

Kthimi në Tokën e Vështirë

Kthim në arkiva

Në trendin historik, Kosova nga viti 1969 deri 2011 kishte 2,483,999 banorë përfshirë edhe popullsinë emigruese dhe me prejardhje nga Kosova.

Sipas të dhënave të ASK-ut ,77.6 për qind apo 1,780,000 banorë ishin popullsi rezidente në Kosovë, 22.14 për qind apo 550 mijë banorë është vlerësuar popullsia e emigruar dhe 153,978 apo 6.2 për qind ishin fëmijë që kanë lindur jashtë Kosovës.

Gjithsej, numri i qytetarëve që jetojnë jashtë dhe atyre që janë me prejardhje nga Kosova ishte rreth 704 mijë banorë.

Sipas Raportit të Migrimit të ASK-ut, arsyet kryesore të migrimit të popullatës së Kosovës kanë qenë ato ekonomike dhe sociale. Raporti thotë se 46 për qind e popullsisë emigruan për arsye të martesave apo ribashkimit familjare dhe 35 për qind për punësim, dhe me përqindje 8 për qind për shkak të luftës së 1998-99 dhe një përqindje edhe më të vogël për arsye të tjera.

Sipas destinacionit, 35 për qind e popullsisë së Kosovës kishte emigruar për në Gjermani, 23 për qind në Zvicër dhe 10 për qind e më pak për në vendet tjera.

Sipas grupmmoshave, 16.9 për qind e popullsisë emigruese vazhdon të ketë si shkak emigrimin familjar, por me 47.2 për qind të moshës 25-44 vjeç që janë moshë kryesisht riprodhuese në aspektin e fertilitetit dhe fuqisë punëtore.

EU flamuj

Liberalizimi godet koferët e ambasadave

Sipas publikimit të Institutit Gap “Ekonomia e Vizave”, në vitin 2010 janë bërë 82,405 aplikime për viza prej të cilëve 9,910 janë refuzuar.

Por përkundër se në vitin 2011 numri i aplikuesve kishte rënë në 67,901 janë rritur në 15,986 refuzimet për to, dhe me numër përafërsisht të ngjashëm të aplikuesve edhe në vitin 2012-67,556 sa aplikuan për vizë gjithashtu refuzime të vizave ishin rreth 11,671.

Aplikimi i vizave për Kosovën bart edhe kosto financiare. Raporti thotë se për tri vite 2010-2012, 9,180,805 euro ishte kosto direkte apo pagesa për aplikimit për viza në ambasada.

Nga kjo pagesë 2.47 milionë përfitoi Gjermani, Norvegjia 234,536 euro, Finlanda 248,900 euro, Belgjika 304,347 euro, Italia 1.7 milionë euro etj.

Sipas këtyre të dhënave, rezulton se mesatarisht do të ketë rreth 3 milionë euro në vit më pak në arkat e ambasadave të huaja në Kosovë me liberalizimin e vizave.

Mbi 15 milionë euro prej vitit 2010 deri 2012 i kushtuan qytetarëve aplikimi për viza dhe dokumente mbështetëse. Në bazë të kësaj rezulton se mesatarisht rreth 5 milionë euro në vit nga aplikimi për vizë dhe dokumente mbështetëse do të kursejnë qytetarët nga liberalizimi i vizave.

Me liberalizim të vizave me të drejta të plota për qytetarët e Kosovës, ata mund të lëvizin pa viza në 26 vendet anëtare të zonës Shengen.