Leximi i Gabuar i Deklarimit të Pasurisë

Nëse lexohen formularët e deklarimit të pasurisë nga viti 2010, pasuria e presidentit Hashim Thaçit duket kështu:

Në vitin 2010 deklaron se ka shitur shtëpinë në lagjen “Arbëria” për 260 mijë euro. Me paratë e shitjes së shtëpisë dhe me një kredi prej 100 mijë eurosh, Thaçi ka blerë një truall në lagjen “Veternik” dhe ka filluar ndërtimin e një shtëpie prej 700 metra katrorë. Shtëpia së bashku me truallin është vlerësuar 360 mijë euro. Vitin e kaluar, pak ditë pasi që Presidenti ka dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë, u njoftua se ai e ka shitur shtëpinë në ndërtim në “Veternik” për 360 mijë euro. Blerësi, një biznesmen i njohur, mik i familjes në biznes dhe politikë, Rrahim Pacolli e prezantoi me mburrje shtëpinë në një kronikë televizive. Por, në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2017, Thaçi deklaron se nga shitja e shtëpisë ai ka 290 mijë euro para të gatshme në bankë, e jo 360 mijë euro siç ka deklaruar blerësi Rrahim Pacolli. E krejt në këtë transaksion, duket se Thaçi nuk e ka llogaritur edhe kamatën e kredisë dhjetëvjeçare. Kur ai ka marrë kredi nga banka NLB më 2009, norma vjetore e interesit në kredi ishte 12%. Për 100 mijë euro të marra, me afat kthimi dhjetë vite, minimumi që do të duhej ai t’ia kthente bankës është 130 mijë euro.

Vitin e kaluar, fati e deshi që Presidenti të jetë njëri ndër 20% zyrtarët e lartë publik të cilëve Agjencia Kundër Korrupsion do t’ua verifikonte pasurinë e deklaruar. Kjo ishte mundësia që AKK të verifikonte nëse vërtetë është shitur shtëpia në “Arbëri” për 260 mijë euro dhe kjo shitje ka shkuar në rrugë formale? Nëse vërtetë është blerë trualli në “Veternik” dhe ky transaksion është bërë përmes bankës? Nëse vërtetë është marrë kredia 100 mijë euro në NLB me afat kthimi për dhjetë vite? Nëse vërtet Rrahim Pacolli e ka blerë shtëpinë e Thaçit dhe sa është shuma e blerjes: 360 mijë siç deklaron Pacolli, apo 290 mijë siç ka deklaruar Thaçi?

Për të kuptuar më mirë se si shkon procesi i verifikimit të pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publikë, javën e kaluar u takova me dy zyrtarë të Agjencisë, të cilët më informuan për këtë proces. Duke marrë si rast konkret formularët e deklarimit të pasurisë nga presidenti Thaçi, pyeta nëse në proces të verifikimit përfshihen edhe transaksionet bankare? “Bankat nuk bashkëpunojnë me Agjencinë dhe nuk i tregojnë transaksionet bankare. Kjo bëhet vetëm me urdhër të prokurorit. Por, para se të shkojë rasti në prokurori, Agjencia duhet të ketë dyshim të bazuar për të dërguar rastet në prokurori”, ishte përgjigja e zyrtarit të AKK. Edhe pse deklarimi i rrejshëm i pasurisë është vepër penale, me ligj agjencisë i janë lënë vetëm kompetenca administrative. Në këtë mënyrë, nga një proces i verifikimit të pasurisë, kalohet nëpër një proces të legjitimimit të pasurisë.

Nëse Agjencia Kundër Korrupsion nuk ka mandat që t’i hetojë transaksionet bankare, si mundet ajo ta luftojë korrupsionin? Si mund të hapet hetim, për shembull, ndaj presidentit Hashim Thaçi, kur nuk mund as të hetohen transaksionet bankare të cilat ai i ka deklaruar që nga viti 2010?

Çdoherë që publikohen formularët e deklarimit të pasurisë, në media fillon një ritual i njëjtë: kush është politikani më i pasur, kush kurseu më shumë e kush e ka pagën më të lartë? Një lexim i tillë i formularëve të deklarimit të pasurisë është i gabuar. Pagat që marrin zyrtarët e lartë publikë janë paga të rregulluara me ligj, andaj nuk na nevojiten formularët e AKK për të konstatuar nëse një pagë e tillë është e arsyeshme ose jo. Duke u fokusuar vetëm në pagat dhe në mjetet e kursyera, po anashkalohen fakte me rëndësi në deklarimet e pasurisë. Dy vite më parë, duke i analizuar të gjithë formularët e deklarimit të pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë në nivelin qendror, Instituti GAP ka nxjerrë të dhëna të cilat tregojnë për nivelin e nepotizmit në sektorin publik.

Nga 120 deputetë që kanë deklaruar pasurinë në vitin 2015, mbi 45% prej tyre kishin së paku edhe një burim të të ardhurave, krahas të ardhurave të deputetit, kurse 26% e deputetëve merrnin dy paga nga sektori publik. Pak më shumë se 15% e deputetëve të Kuvendit kishin së paku tri burime të të ardhurave. Afër 38% e deputetëve kishin bashkëshortin/en të punësuar në sektorin publik.

Sa i përket zyrtarëve të Zyrës së Kryeministrit, mbi 13% e tyre kishin së paku dy paga nga sektori publik. Mbi 55% e zyrtarëve në Kryeministri kishin të punësuar bashkëshorten/in, ku në 30% të rasteve bashkëshorti/ja ishin të punësuar në sektorin publik. Nga 53 ministra dhe zëvendësministra që kanë deklaruar pasurinë, përveç pagës nga posti ministror, mbi 43% e tyre kishin së paku një të ardhur të dytë, e në 24% të rasteve paga e dytë po ashtu kishte burimin nga buxheti i shtetit. Afër 40% e anëtarëve të ministrave dhe zëvendësministrave kanë të punësuar bashkëshortin/en në sektorin publik.

Nga 158 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët ishin të obliguar të deklarojnë pasurinë, 38% e tyre merrnin së paku edhe një pagë nga spitalet apo ordinancat private. Në anën tjetër, nga 94 dekanë, prodekanë, rektorë, apo anëtarë të bordeve drejtuese të Universitetit të Prishtinës, 60% kanë së paku një punë të dytë. Mbi 25% e tyre marrin pagë edhe nga universitetet private, kurse 19% kanë së paku tri burime të të ardhurave nga veprimtaria mësimdhënëse.

Andaj, nuk është problem paga që zyrtarët publik marrin sipas ligjit, problem është që kohën e tyre zyrtarët e lartë publikë e ndajnë në dy e më shumë poste. Deputetët nuk janë vetëm deputetë, ministrat nuk janë vetëm ministra, e doktorët e profesorët angazhohen në disa spitale e universitete. Në fund, asnjëri prej tyre nuk arrin ta kryejë punën e tij si duhet dhe rrjedhimisht buxheti i shtetit shkon dëm, si për pagat e ulëta, ashtu edhe për pagat e larta. Përderisa një pjesë e madhe e familjeve kosovare nuk kanë asnjë të punësuar, pjesa dërmuese e zyrtarëve të lartë publikë kanë së paku bashkëshorten/in të punësuar në sektorin publik.

Duke u fokusuar vetëm në pagat dhe kursimet e politikanëve, po i lëmë në hije parregullsitë e shumta që mund të gjenden nëpër formularët e deklarimit të pasurisë. Agjencia Kundër Korrupsion duhet të ketë kompetenca më të mëdha hetuese. Është e kotë që deklarimi i rrejshëm i pasurisë të klasifikohet si vepër penale, e në anën tjetër Agjencisë t’i lihen vetëm kompetenca administrative. Përndryshe, nëse AKK vazhdon punën si deri më sot, dhe mediat fiksohen pas pagave të zyrtarëve të lartë publikë, deklarimet e pasurisë nuk do të shërbejnë për asgjë, përveç si formë për legjitimimin e veprimeve të zyrtarëve të lartë publikë.