Tryeza e diskutimit e organizuar nga FOL për monitorimin e Prokurimit Publik, Foto: Kallxo.com

Lëvizja FOL kërkon hapjen e procesit të prokurimit në tërësi

Në tryezën e organizuar nga Lëvizja FOL me temën “Monitorimi i planifikimit të prokurimit publik” është diskutuar për realizimin e planifikimit të prokurimit publik nga institucionet e monitoruara nga kjo organizatë.

Po ashtu është prezantuar edhe draft-raporti “Monitorimi i Prokurimit Publik në Kosovë: (Keq)Planifikimi i Prokurimit Publik” ku janë evidentuar rastet e shkeljeve ligjore nga ana e Autoriteteve Kontraktuese.

Kërkesë e kësaj tryeze ka qenë hapja e planifikimit të prokurimit që kjo t’i shërbejë një procesi më transparent dhe të rregullt të prokurimit publik.

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka thënë se planifikimi i prokurimit publik është një nga temat kruciale në prokurim publik.

“Roli i tij në shoqëri është shumë dimensional, planifikimi është instrument bazik i shoqërisë dhe rritet transparenca dhe përmes transparencës rritet mundësia e kontrollit intern administrativ”, ka thënë Hoxha.

Më tej ai ka shtuar se planifikimi i mirë mbetët një prej parametrave të qëndrueshëm të prokurimit publik.

“Duhet me luftu që me qenë planifikimi i saktë, i matshëm. Një planifikim i mirë është gjysma e punës në prokurim publik, nuk ka mundësi operatori ekonomik të bëjë manipulime. Ky planifikim nuk është vetëm formal, duhet të jemi më të vëmendshëm”, ka theksuar Hoxha.

Jeton Zulfaj nga organizata FOL ka thënë se me hapjen e planifikimit të prokurimit publik pritet të rritet konkurrueshmëria.

“Një prej lëvizjeve që presim është të rritet konkurrueshmëria. Pra edhe kompanitë të përgatiten me kohë dhe kjo e rritë konkurrueshmërinë”, ka thënë Zulfaj.

Ekrem Rexha, drejtor në Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP) ka thënë se e sheh planifikimin e prokurimit publik në dy aspekte, si obligim ligjor dhe si një formë të parandalimit të një rreziku të mundshëm në shfrytëzimit të mjeteve buxhetore.

“Për shkak të planifikimit të dobët ka pasur raste që na kanë ardhur, 7, 8 ose 10 kërkesa, që është indikator që planifikimi në autoritete ka qenë i dobët. Moskoordinimi i kërkesave në ato institucione ka bërë që të ndodhin dy procedura të natyrës së njëjtë. Identifikohet si gabim i zyrës së prokurimit”, ka thënë Rexha.

Më tej ai ka shtuar se janë tri segmente, planifikimi i prokurimit, vetë prokurimi si akt dhe menaxhimi ose implementimi i kontratës.

“Segmenti i parë dhe i tretë shihen shumë pak kurse fokusimi më i madh bëhet te segmenti 2. Qëllimi tjetër është identifikimi i problemit se pa i identifikuar problemet nuk gjendet zgjidhja”, ka theksuar Rexha.

Gjatë periudhës 4 mujore të monitorimit, FOL ka pasur në target 8 institucione qendrore, ndër to 7 ministri dhe Zyrën e Kryeministrit.

Ministritë e monitoruara janë, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Prej të gjitha ministrive vetëm Ministria e Shëndetësisë nuk i është përgjigjur kërkesës dhe rrjedhimisht nuk ka ofruar qasje në planifikimin e prokurimit.

Shkeljet ligjore

Sipas raportit “Monitorimi i Prokurimit Publik në Kosovë: (Keq)Planifikimi i Prokurimit Publik”, monitorimi i kontratave dhe planifikimit të prokurimit publik, ka vënë në pah disa parregullsi dhe shkelje ligjore që kanë shoqëruar aktivitetet e prokurimit në dy ministri që janë monitoruar.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë janë nënshkruar kontrata milionëshe nga zyrtarë të pa certifikuar. Ndërkaq në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë monitorimit të planifikimit kemi parë sesi zyrtarë të dënuar për vepra penale janë kthyer prapë në pozitë brenda institucionit”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti drejtori i Departamentit të Prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të këtij departamentin edhe pse nuk ka qenë i licencuar për një gjë të tillë.

“Rrjedhimisht gjatë kësaj kohe gjatë nënshkrimit të kontratave publike ka pasur shkelje të ligjit për prokurimit publik, pikërisht neneve 23, 25 dhe 26 të LPP-së”, theksohet në raport.

Në përgjigjen e KRPP-së për këta rast është thënë se “zyrtari në fjalë nuk ka licencë prokurimi, por e drejta për të shërbyer si Zyrtar Përgjegjës i prokurimit, i është njohur nga AK sipas nenit 25.6 të LPP-së”.

FOL ka kontaktuar AK – Ministria e Shëndetësisë për të kërkuar qasje në dokumentacionin e përgatitjes profesionale të zyrtarit në fjalë.

“Kemi parë se ai posedon një diplomë të lëshuar nga UBT për vitin 2006/2007. Ndërsa për trajnimet të cilat i kërkon neni 25.6, ai ka pohuar se i ka filluar me 22 shtator 2017, edhe pse aktiviteti i prokurimit ka filluar me 1 mars 2017, dhe rrjedhimisht ai e ka nënshkruar kontratën me datë 5 korrik 2017. Bazuar në këto të dhëna del se ky zyrtar nuk ka plotësuar kushtet e nevojshme për të shërbyer si Zyrtar i Prokurimit”, thuhet në raport.

Pandëshkueshmëria nga OShP

Sipas FOL, gjatë hulumtimit kanë hasur në disa raste kur OShP ka pranuar ankesa nga OE për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, mirëpo në këto raste nuk vërehet se ka sanksione ndaj AK apo edhe të Zyrtarëve Përgjegjës të Prokurimit.

“Në kontratat që ne kemi monitoruar në Ministrinë e Shëndetësisë, vërehen rastet kur AK nuk i zbaton vendimet e OShP-së, dhe për këtë OShP nuk ndërmerr veprime”, thuhet në raportin e FOL.

Si shembull të kësaj në raport është përmendur rasti i kontratës për furnizim me barna nga lista esenciale, kur edhe pse OShP kishte vendosur ta anuloj vendimin e AK dhe kishte obliguar AK ta kthej lëndën në ri-vlerësim, ky vendim nuk ishte respektuar nga Zyrtari Përgjegjës.

Gjatë monitorimit të planifikimit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, si person kontaktues në aktivitetet e prokurimit nga fillimi i vitit 2008 paraqitet një zyrtar që ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 26 muaj burg, pastaj me 2 maj të vitit 2017, Gjykata e Apelit e kishte ulur dënimin në 18 muaj dënim me kusht.

Me datë 21 shkurt 2017 Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e personit në fjalë për mbrojtje të ligjshmërisë.

I pakënaqur me këto vendime, ky zyrtar me datën 14 prill 2017 i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësim të Kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përfundimisht me datë 5 shkurt 2018, Gjykata Kushtetuese ka marrë Aktvendim për pranueshmëri në rastin e kërkesës, me arsyetimin se nuk i ka dëshmuar pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Pra edhe pse dënimi i tij është vërtetuar në të tri shkallët e gjykatave, e në fund edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e tij, ai përsëri është rikthyer në pozitën kryesore të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, që është njëra nga ministritë që shpenzon më së shumti.

(Keq)Planifikimi i prokurimit publik

Në zyrën e kryeministrit e cila ka dhënë qasje në planifikimin e prokurimit publik si dhe në raportin vjetor del se nga rreth 343 mijë euro që i kanë planifikuar t’i harxhojnë ata i kanë shpenzuar rreth 556 mijë euro sipas raportit vjetor.

Po ashtu edhe Ministria e Infrastrukturës sipas planit vjetor i ka tejkaluar shpenzimet të cilat i ka planifikuar për prokurim publik.

Sipas raportit të FOL në vitin 2017 ky institucion kishte planifikuar buxhet prej rreth 13.5 milion euro. Kurse nga raporti vjetor rezulton se ka shpenzuar 22.5 milion euro.

Shifrat tregojnë se MI ka shpenzuar rreth 8 milion euro më shumë se sa ka planifikuar, për shkak të kontratave që janë bartur nga vitit paraprak.

Edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka tejkaluar buxhetin e planifikuar.

Në vitin 2017 ata kanë planifikuar buxhet prej 4.6 milion euro. Kurse nga raporti vjetor rezulton se ka shpenzuar rreth 5.3 milion euro.

Raste ‘të çuditshme’ në disa ministri

Në raportin e FOL ““Monitorimi i Prokurimit Publik në Kosovë: (Keq)Planifikimi i Prokurimit Publik”, thuhet se gjatë monitorimit të aktiviteteve të prokurimit të realizuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë hasur në një kontratë për ‘Furnizim me orë dore – dhuratë për ministrin’.

Kontrata është nënshkruar me datë 10 gusht 2017 me vlerë 349 euro.

“Pas kontaktit me zyrtarët e MPMS-së, na është thënë se kjo ka qenë kërkesë e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, si dhuratë për përfundimin e detyrës së ministrit, Arban Abrashi. Sipas zyrtarit të prokurimit, ai nuk është pajtuar që të inicojë këtë aktivitet, mirëpo ka qenë insistimi i Sekretarit që e ka shtyrë të nënshkruaj këtë kontratë”, theksohet në raportin e FOL.

Sipas këtij raporti koj kontratë nuk ka qenë e planifikuar në Planifikimin Përfundimtar të MPMS-së.

Kurse me datën 29 gusht 2017, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nënshkruar kontratë për furnizim me lule, me vlerë 9, 610 euro.

“Kjo kontratë nuk ka qenë e planifikuar paraprakisht nga MZhE. Për më tepër edhe pse kontrata është lidhur për furnizim me lule, njoftimi ka qenë si kontratë për shërbime e jo për furnizim”, thuhet në raport.

Një rast tjetër i potencuar në raportin e FOL është edhe kur MBPZhE ka lidhur kontratë për blerjen e veshjeve pranverore për vozitësit e zv.ministrit me vlerë 885 euro, dhe e cila nuk ka qenë e planifikuar.