Letërsia Bashkon Botët e Ndara

Një nga ngjarjet kryesore të letërsisë në Kosovë, Festivali Polip, bashkoi edhe një herë poetë e novelistë nga Serbia e Kosova, dhe jo vetëm. Poetë nga vende të ndryshme të botës, deri në Izrael kishin marrë rrugën për të zbarkuar në Dardani, lagjen e Prishtinës, aty ku po mbahet edicioni i tretë i Festivalit të Letërsisë Polip. 

Përveç që do të lexojnë poezitë e tyre, diskutojnë për tema të ndryshme të letërsisë, poetët e novelistët e huaj po i shfrytëzojnë këto ditë për të marrë përshtypje nga jeta kulturore e sociale në Prishtinë. 

Një nga ta, është edhe Ralph Hammerthal nga Gjermania i cili lexoi një pjesë të romanit të tij në ditën e parë të festivalit. Ai tha se para se të vinte në Kosovë, rreth këtij vendi kishte shumë paragjykime, por që pas njohjes me njerëz të shumtë, ai është afruar më shumë me Kosovën.

“Duke kaluar në rrugë, ndoshta sepse dukem sikur gjerman, njerëzit më përshëndesin dhe më pyesin “schprahenzi deutsch?“ [flisni gjermanisht]. Kështu një burrë rreth të pesëdhjetave më çoi të vizitoja xhaminë, muzeun dhe më tregoi shumëçka“.

Megjithatë, Hammerthal thotë se megjithë që në këtë festival ka autorë edhe nga Serbia, kjo ngjarje kulturore nuk është politikisht përfaqësuese shtetesh, por vetëm artistikisht. 

“Pse të përfaqësohet Serbia, apo Kosova”? pyet ai. “Romanet e poezitë duhet të jenë konkrete, dhe duhet të tregojnë për jetën e autorit, në letërsi do të thosha që s’ka përfaqësim. 

Por nëse për Hammerthal ky festival nuk ka rëndësi politike, nga Kosova thonë se ky festival nuk do të ekzistojë, atëherë kur politika nuk do të jetë interesante. 

Jeton Neziraj, i cili është një nga organizatorët e Polipit, me barsoleta të ndryshme politike, ftonte autorët për të lexuar pjesë nga veprat e tyre. 

“Vetë ideja e mënyrës se si Polipi bashkorganizohet, prej dy organizatave, qendrës “Multimedia” nga Prishtina dhe “Beton”, deshëm apo s’deshëm, politika është pjesë e Polipit. Ndonjëherë i ikim me mjeshtëri, për me u marrë vetëm me letërsi, por fatkeqësisht këtu kultura nuk e ka pasur kurrë luksin të trajtohet si e ndarë prej politikës, por është konceptuar dhe ka bashkëjetuar me politikën, për shkak të rrethanave të ndryshme”, thotë Neziraj. 

Publicisti Shkelzen Maliqi thotë se Polip-i dhe ngjarjet e tilla kulturore kanë shkuar përtej asaj çka kanë ofruar dhjetra takime të kryeministrave të Kosovës e Serbisë. 

“Jetoni dhe Sasa u takuan në Leipzig në një panair, pinë raki dhe vendosën të bëjnë diçka. Nga ajo doli titulli “Nga Beogradi/Prishtina me dashuri” i projektit të parë të përbashkët. Ishte pak provokues, por ndoshta i ka inspiruar kryeministrat, por ata s’kanë ardhur deri te dashuria ende, ndoshta është më mirë tí çonim Jetonin e Sasën.

Kritiku letrar Adil Olluri thotë se organizimet e tilla kulturore i shërbejnë përbashkimit e afrimit kulturor të popujve të cilët deri dje kanë qenë në luftë dhe që përmes artit të krijohet një raport më i mirë ndërmjet këtyre popujve, nëse jo në sferën politike, së paku në sferën kulturore. 

Por, ai thotë që shkrimtari duhet ta shkruajë veprën në mënyrë të pavarur nga idetë ndarëse apo bashkuese. 

“Arti nuk duhet ta ketë mision primar, sepse dallojnë organizimet artistike prej shkrimit artistik, prej artit në vepër. Artisti duhet ta shkruajë veprën pa qëllim të përbashkimit, duhet ta shkruajë veprën pavarur, atë emocion që e ndjen. Këto organizime janë të sferës jashtë shkrimit”, thotë ai. 

Ai thotë që madje ekziston një dallim i theksuar në mes të gjendjes në të cilën është Kosova në aspektin politik e ekonomik në raport me shtetet e rajonit, dhe pozitës që e ka ajo në letërsi. 

“Aq sa kam njohuri për letërsinë në rajon, Kosova nuk qëndron mbrapa, nuk duhet të ndihemi inferiorë në këtë aspekt,” përfundon ai.

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë Polip organizohet çdo vit në Prishtinë. Ky festival fillimisht u organizua nga qendra Multimedia ndërsa edicionet e fundit janë organizuar bashkërisht me Beton-in, organizatën kulturore me bazë në Beograd. 

Polip sjell çdo vit autorë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës. Këtë vit, tema qendrore e festivalit është Letërsia e Botëve të Ndara. Pesë sesione debatesh dhe prezantime të veprave po mbahen këto tri ditë.