Letër Shqiptarëve që S’duan të Merren me Çështje Botërore

Në rrethana të tjera mund të kemi qenë ne. Në rrethanat të shkuara, ishim ne. Duke fjetur në dheun e Bllacës, pa adresa shtëpie, pasaporta, llogari bankare, albume fotografish, lodra, profesione, diploma, fëmijëri – pa siguri, pa mbështetje, vetëm frikë. Dhe mort.

Ne nuk u shpëtuam se vuajtëm aq bukur. Ne nuk u shpëtuam se shkalla e dhimbjes sonë ishte aq e madhe. Ne u shpëtuam si pasojë e një fati të papërsëritshëm, kur interesat politike qenë në përkrahje të një ndërhyrjeje,sepse një numër i mjaftueshëm votuesish perëndimorë ndienin keqardhje për refugjatët kosovarë.

Ne nuk u shpëtuam pse jemi të veçantë. Ne jemi vetëm një nga qindra e mija popuj të vegjël e të pafuqishëm që janë shkelur nga agresorët e mëdhenj dhe një nga të paktët që është shpëtuar nga asgjësimi nga fuqitë e mëdha. Ne nuk kemi vuajtur apo luftuar më shumë se kurdët, sirianët apo boshnjakët.

Ndërhyrja botërore në Kosovë shumë lehtë mund të mos kishte ndodhur fare. Logjikshëm, pyetja është se çfarë do të kishte ndodhur me ne në atë rast?

Nuk duhet ta harrojmë kurrë ndjenjën e plotë të të qenët të padëshiruar, të përzënë, të vendosur në vagonë trenash dhe të dërguar në kampe. Realiteti do të duhej të na ndillte dhembshuri. Nuk mund ta shohim një refugjat sirian dhe të mos e parafytyrojmë refugjatin kosovar. Ka shumë pak dallime mes këtyre dyve, veçse njëri u lejua të jetonte, kurse tjetri mund edhe të mos lejohet.
Përvoja e të qenët shqiptar i Kosovës duhet të na japë një imazh të qartë të tiranisë dhe padrejtësisë. Por, ne u përkulemi të njëjtave Shteteve të Bashkuara që i thërrasin kryekomandantët e vegjël nëpër botë “partnerë” dhe “shokë”, duke përfshirë edhe tanët. Ne shprehim dashuri për vlerat amerikane, por nuk gjendemi askund kur amerikanët protestojnë për të drejtat e grave në rrugët tona – beteja që ishin aq të vështira për t’i fituar, kurse sot janë buzë shembjes në Shtetet e Bashkuara. Ne thirremi në qytetërimin perëndimor dhe vlerat e tyre, por pararojat e tyre në Bruksel gati se s’na qerthullojnë me mure për të na mbajtur jashtë.

Ne i përkasim kësaj bote. Ne e meritojnë qeverinë tonë në Kosovë po aq sa meritojmë një rend botëror që thërret për servilitetin dhe nënshtrimin e pjesëve joperëndimore të kësaj bote.

Disa shqiptarë i janë dorëzuar cinizmit, servilitetit dhe të qenët viktimë. Shqiptari cinik thotë se nuk ka kuptim me ndërmarrë aksione politike, sepse politikanët tanë janë të korruptuar, Perëndimi është i korruptuar dhe vetëm ata që janë moralisht të komprometuar i vendosin rregullat. Shqiptari servil e sakrifikon shtëpinë e tij, shtetin e tij dhe parimet e tij ndaj atij që ka shkopin më të madh. Shqiptari i viktimizuar këmbëngul se nuk ka ndikim dhe kontroll në vendimet politike dhe mbetet i pafuqishëm.

Këto udhë kërkojnë një mani me bindjen ndaj trilleve të Perëndimit (i cili vazhdimisht e më shumë duket se nuk dëshiron të ketë punë me ne) apo një shtytje mendjembyllur për t’u marrë me problemet “tona” – një këndvështrim që na kërkon të ndalemi së menduari për botën përtej kufijve tanë.

Jemi komb i vogël dhe shpesh fjalët dhe veprimet tona s’mund të kenë ndonjë ndikim përtej të qenit simbolike. Por, ka pasur çaste në historinë tonë kur i kemi ndikuar drejtpërdrejt jetët e njerëzve përmes veprimit apo mosveprimit. Kur hebrenjtë dërgoheshin në kampe të përqendrimit në Evropë, shqiptarët e Shqipërisë i strehuan ata, kurse ne në Kosovë ishim bashkëfajtorë për vdekjen e tyre. Por kishte edhe njerëz sikur Emrush Myftari që e la qytetin e vogël të Pejës për të luftuar në Luftën Civile të Spanjës si vullnetar përkrah GeorgeOrwell-it dhe ErnestHemingway-t. Nexhmie Zaimi, një gazetare shqiptaro-amerikane, ishte një ndër reporteret e para që mbuloi gjendjen e vështirë të palestinezëve në vitet e 50-ta. Pashko Vasa luftoi në një kryengritje italiane kundër regjimit austriak në vitin 1849, një fuqi që sigurisht është dukur po aq e pamposhtme sa Shtetet e Bashkuara na duken sot. Margarita Tutulani ishte antifashiste e egër që i ishte kundërvënë okupimit italian në Shqipëri, gjë për të cilën pagoi me torturë dhe ekzekutim.

Nuk ka dyshim se këta njerëz ishin patriotë të përkushtuar shqiptarë. Fakti që reagojmë ndaj dhunës që i bëhet emigranteve, refugjatëve, grave, myslimanëve dhe të tjerëve që vuajnë pa nevojë nuk do të thotë se nuk na interesojnë problemet në shtëpi. Do të thotë se ne i njohim historitë e ngjashme të rezistencës dhe njerëzinë e përbashkët me popujt tjerë të margjinalizuar. Më shumë se çdo gjë tjetër, përgjigja jonë indiferente ndaj këtyre luftërave globale shfaq se kush jemi si popull dhe si komb.