Legalizimi i Korrupsionit: Nga Rregullimi i Dhëmbëve te Whisky

Nexhat Daci kishte hyrë në historinë institucionale të Kosovës si kryetari i parë i Kuvendit i zgjedhur që në seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 2001. Duke iu afruar moshës 60 vjeçare, moshë kur problemet shëndetësore janë të zakonshme, Dacit kishin filluar t’i prishen dhëmbët dhe shikimi t’i dobësohej. Ngase ishte një ndër liderët kryesorë institucionalë, ai nuk mund ta përfaqësonte Kosovën me dhëmbë të prishur dhe syze dosido. Andaj, si një shërbëtor i popullit, ai vendosi që t’i rregullojë dhëmbët dhe t’i blejë syzet nga kuleta e institucionit që udhëhiqte. Përveç kësaj, ai kishte blerë edhe një televizor masiv për vilën e tij në Brezovicë, me arsyetimin se do priste delegacione të shumta ndërkombëtare dhe vila duhej të kishte një televizor për të argëtuar mysafirët.

I zgjedhur edhe për një mandat të dytë si Kryetar i Kuvendit, në vitin 2006 ai u detyrua të lëshojë këtë post, edhe për shkak të dyshimeve të mëdha për keqpërdorim të buxhetit. Pas largimit të tij, Kuvendi krijoi një Komision hetimor parlamentar për të hetuar punën e tij si kryetar Kuvendi. Raporti i komisionit hetimor i kaloi prokurorisë dhe më 2011 Daci u shpall fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe u dënua me një vit e gjysmë burg me kusht.

Rasti i Dacit shërbeu si mësim për liderët tjerë institucionalë. Jo si mësim për të mos shpenzuar buxhetin për teke personale, por se si këto lloj shpenzimesh të bëhen të ligjshme. Sot, të gjithë krerët institucionalë mbulojnë shpenzimet e shërimit të tyre jashtë vendit me një vendim të organit kolegjial të institucionit (Kuvendi, Kryesia, Qeveria). Pak muaj më parë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me një vendim mbuloi shpenzimet e shërimit prej 18,000 eurosh në një spital të Zvicrës për nënkryetarin e Kuvendit. Ky vendim i kryetarit aktual të Kuvendit është më i dëmshëm financiarisht e po aq absurd sa ai i Dacit për rregullimin e dhëmbëve dhe blerjen e syzave. Por, për dallim nga Daci i cili u dënua me kusht, vendimi i Veselit as nuk u diskutua.

Më 2014, Ministria për Komunitete dhe Kthim, i kishte blerë një qytetareje një makinë për masazh në vlerë prej 1,500 eurove, kurse në një rast tjetër po kjo ministri i kishte mbuluar shpenzimet e studimeve një qytetareje nga Peja. Krejt çka kishte konstatuar Auditori i Përgjithshëm ishte se këto dy shpenzime janë bërë pa një bazë të qartë ligjore dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi.

Disa javë më parë, Kompania Rajonale “Pastrimi” kishte blerë 40 shishe “Whisky Ballantine’s” në vlerë prej 10.30 euro për shishe. Po e njëjta kompani kishte blerë lapsa në vlerë prej 11.20 euro. Ministria e Integrimit Evropian në fund të vitit 2016 ka shpenzuar 17.50 euro për blerjen e një çadre, ku në total u shpenzuan 850 euro për 50 çadra. E njëjta ministri ka shpenzuar 850 euro për blerjen e një telefoni mobil, kurse Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar 4,128 euro për blerjen e telefonave mobilë për kabinetin e ministres.

Divizioni për Prodhimin e Qymyrit në KEK kishte blerë 2,464 maica për punëtorët e saj. Për këtë blerje, Prokuroria ka ngritur aktakuzë, jo për paarsyeshmërinë e blerjes, por për mos respektimin e rregullave të prokurimit. Ndërmarrja publike “Bifurkacioni”, për hir të festave të fundvitit 2016, kishte kontraktuar blerjen e dhuratave për stafin, në vlerë të përgjithshme prej 2,095 eurove, por shpërndarjen e dhuratave e kishte bërë më 30 janar 2017.

Duke shfletuar njoftimet e tenderëve në uebfaqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, kupton se që nga janari 2008 e deri më tani, të gjitha organizatat buxhetore kanë shpenzuar mbi gjysmë milioni euro për blerjen e telefonave të mençur mobilë. Primatin për shpenzime në këtë kategori e mbajnë ndërmarrjet publike, të ndjekura nga agjencitë e pavarura. Vetëm në muajin dhjetor 2016, Komuna e Mitrovicës Veriore ka shpenzuar 9,500 euro për blerjen e 15 telefonave mobilë. Ministria e Shëndetësisë, e cila asnjëherë nuk ka arritur të furnizojë institucionet shëndetësore me barnat nga lista esenciale, përgjatë këtyre viteve ka shpenzuar afër 20 mijë euro për blerjen e telefonave mobilë. Po nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, janë shpenzuar mbi 350 mijë euro në blerjen e dhuratave për punëtorët. Komuna e Suharekës ka shpenzuar 64 mijë euro për blerjen e dhuratave për stafin, zakonisht në fund të vitit ose për 8 mars.

E disa institucione tashmë e kanë bërë praktikë që në fund të vitit t’u ndajnë një rrogë të trembëdhjetë të gjithë punëtorëve, pa ndonjë bazë ligjore. Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” në fund të vitit 2016, me vendim të bordit, u ndau nga 300 euro të gjithë 540 punëtorëve të kompanisë, kurse menaxhmentit të lartë ua rriti rrogat për 300 euro. Arsyetimi i bordit për këtë vendim ishte se kompania ka arkëtuar të hyra më shumë se një vit më parë, ani pse edhe më tej kjo kompani nuk arrin të furnizojë të gjithë konsumatorët e saj 24 orë me ujë, e humbjet e ujit janë mbi 50 për qind.

Një vendim të tillë e mori edhe Kuvendi i Kosovës kur në dhjetor të 2016-ës me vendim të Kryesisë u ndau nga 600 euro të gjithë punëtorëve të administratës së Kuvendit. Angazhimi jashtë orarit u tha të jetë arsye për një shpërblim të tillë, por sipas një raporti monitorues, në tetëmujorin e parë të vitit 2016 Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur 11 seanca plenare më pak sesa në të njejtën periudhë të vitit 2015, kurse agjendën legjislative kishte arritur ta respektojë vetëm 26 për qind.

Të gjithë liderët institucionalë, veshjet e tyre i blejnë nga buxheti i institucionit. Më 2014, Ministria e Infrastrukturës kishte shpallur tender për blerjen e rrobave të verës dhe ishte furnizuar nga “Milano Fashion”. E kartelat zyrtare të kreditit, të destinuara për pagesa gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit, shfrytëzohen për blerje në supermarketet e Kosovës apo për për pushime me shoqëri.

Institucionet publike kanë dështuar që të furnizojnë qytetarët me ujë, të grumbullojnë mbeturinat, të furnizojnë spitalet me barnat esenciale, apo të sigurojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Shumica e ndërmarrjeve publike, operojnë me humbje dhe janë borxhlinj ndaj qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare. Por udhëheqësit e këtyre institucioneve vazhdojnë të përdorin buxhetin për të shuar qejfet e tyre personale.

Këto lloj shpenzimesh nuk duhet të konsiderohen shpenzime të rregullta, por të konsiderohen si raste korruptive. Auditori i Përgjithshëm dhe organet gjyqësore nuk duhet të konsiderojnë si të ligjshëm një shpenzim vetëm se për të janë pranuar tri oferta nga bizneset dhe ai vendim bazohet në ndonjë rregullore të institucionit. Në të kundërtën, duket se nuk do ketë fund fantazia e shfrenuar e liderëve politikë për të shuar manitë e tyre me buxhetin e shtetit.