Fshati Shipitullë; Foto: KALLXO.com

Lazarati i Kosovës

Shipitulla është Lazarati i Kosovës. Ky krahasim i bërë nga një zyrtar i lartë i KEK-ut po del të ketë qenë i saktë. Jo vetëm për shkak të dështimit të shtetit për të pasur qasje në këtë fshat, por edhe për implikimin e pushtetarëve në krimin e bërë me ndërtimet me qëllim të zhvatjes së shtetit.

Ashtu siç kishte në Lazarat, edhe në Shipitullë ka njerëz të pushtetshëm që janë duke i fërkuar duart për të zhvatur ndonjë milion nga procesi i shpronësimit.

Fshati modern i Shipitullës e ka një histori disavjeçare dhe nuk është ndërtuar për një ditë siç po krijohet përshtypja nga reagimet e shumta të bëra ditëve të fundit në ‘Facebook’.

Për skandalin e Shipitullës është shkruar dhe është folur edhe në të kaluarën, mirëpo asnjëherë nuk kishte arritur të bëhet temë e debatit, ani pse ishte paralajmëruar se shteti dhe qytetarët do të humbin miliona euro.

Historia e shkurtë e Shipitullës do të ishte kështu: KEK-u e kishte të domosdoshme zgjerimin e mihjeve pasi mihjet e vjetra (Mihja e Bardhit dhe ajo e Mirashit) po shteronin. KEK-u kishte nisur zhvendosjen e banorëve të Hades. Zhvendosja e Hades ishte bërë duke u shkelur rregullat e Bankës Botërore dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë. Nuk ishte shpërngulur i gjithë fshati përnjëherë, por zhvendosja, që në disa raste ishte e dhunshme, ishte bërë në disa pjesë. Kjo ndarje në lagje kishte bërë që banorët e lagjeve që ishin ende në pritje për t’u shpërngulur t’i mbushnin oborret me shtëpi të reja. Sot, pothuajse secili oborr në Hade i ka nga 2, 3 e më shumë shtëpi që ngjajnë në kulla për shkak të kuadraturës së madhe.

Në një moment, KEK-u kishte vendosur që të ndërronte pak kahun. Ishte shmangur Hadja, ndërsa mihja ishte drejtuar kah Shipitulla. Ka pak informata për arsyeshmërinë e këtij vendimi.

Por, tashmë është vërtetuar se për dikë “informacioni (se mihja do të shkojë në drejtim të Shipitullës) ka qenë flori”. Me marrjen e vendimit nga KEK-u (që nuk dihet nëse është i shkruar) për të drejtuar mihjen kah Shipitulla, fillimisht kishte pasur një kërkesë në rritje për blerjen e tokave të kësaj ane. Dikush kishte blerë tokë dhe kishte ndërtuar ‘shtëpi’, e dikush tjetër nga shitja e tokës bëri “Cash” sa për të ndërtuar edhe ndonjë shtëpi tjetër.

Fajtorët

Një pjesë e banorëve që kishin qasje në informata kishin filluar ndërtimet qysh në vitin 2010. Banorët thonë se gisht në ndërtimin e shtëpive kanë edhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të KEK-ut.

Pjesa më e madhe e ndërtimeve ishin bërë në mes të vitit 2013 dhe 2015. Në pjesën e dytë të vitit 2014, kur Kosova ishte në krizë institucionale, përnjëherë kishte filluar ndërtimi i shtëpive në Shipitullë, sikur të ishin postblloqe për mihjen. Mbi 100 shtëpi ishin ndërtuar për më pak se 3 muaj (sipas banorëve të Shpitullës), kryesisht në fund të vitit 2014. Tashmë nuk ka një shifër të saktë për numrin e shtëpive që janë ndërtuar nga viti 2009, kur ishte rishpallur kjo pjesë e komunës së Obiliqit si ‘Zonë e Interesit’.

Një është e sigurt se në Shipitullë faji nuk është jetim.

Korporata Energjetike e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë fajtorët kryesorë për Shipitullën dhe Haden.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka pasuar Ministrinë e Energjisë dhe të Minierave e cila që nga viti 2005 e ka nisur projektin e “Kosovës së Re” (Kosova C), i cili parashihej të kishte ndikim shumë të madh social, duke i detyruar të zhvendoseshin disa fshatra.

Zonat e interesit ishin shpallur, por ashtu siç nuk eci përpara projekti edhe ato zona u harruan. Dinamika e nxjerrjes së qymyrit ishte shumë më e ulët se sa planifikimi fillestar me “Kosovën C” me kapacitet prej 2100 megavatësh në sistem. Kjo kishte krijuar komoditet për KEK-un duke i neglizhuar zonat e interesit të shpallura në vitin 2004 dhe të rikonfirmuara në vitin 2009. Për mosveprimin e KEK-ut faji i bie edhe MZhE-së (dikur Ministria e Energjisë dhe Minierave), sepse në kuadër të kësaj ministrie është një zyrë që e monitoron këtë ndërmarrje.

Një nga shtëpitë e ndërtuara në Fshatin Shipitullë

Procesi i shpronësimit ishte zvarritur aq shumë saqë edhe arsyetimi i banorëve se ‘kanë nevojë për ndërtim të shtëpive sepse ballafaqoheshin me rritje të familjeve’, në disa raste edhe ishte i arsyeshëm. Sa për sqarim, kur shteti e shpall një zonë me interes të veçantë, aty më nuk mund të ketë ndërtime. Mirëpo, faji bie edhe mbi vetë institucionet e shtetit nëse me një vendim për shpallje të zonës së interesit e mbanë peng qoftë edhe një familje për më shumë se 10 vjet, ndërkohë që nuk ndërmerr hapa për shpronësim dhe as nuk e zhvleftëson vendimin për zonë të interesit. Është shkelje e të drejtave të njeriut që banorët të mos kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen për shkak të neglizhencës apo mospunës së Qeverisë, siç ishte rasti në zhvendosjet e bëra nga KEK-u.

Gisht në skandalin e Shipitullës ka edhe Komuna e Obiliqit. Kjo e fundit lejoi shitblerjen e tokave në zonën e interesit. Por, një prej lëshimeve më të mëdha të kësaj komune ishte lejimi i parcelizimit të tokave në zonën e interesit, pra krijimin e disa trojeve nga një sipërfaqe e vetme. Kjo u ka hapur rrugën banorëve që të ndërtojnë më shumë shtëpi në tokat e tyre. Për më tepër, Komuna e Obiliqit nuk i ndaloi asnjëherë ndërtimet pa leje që po bëheshin në Shipitullë, që nuk ishte fshat i rëndomtë por një zonë e interesit.

Bashkëfajtor me KEK-un ishte edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen e zonës së Interesit dhe dhënien e ndihmës Komunës për të parandaluar ndërtimet në këtë zonë. Ajo për më tepër është përgjegjëse për procesin e shpronësimit dhe e ka pasur barrën kryesore për mbikëqyrjen e pjesës që me iniciativën e saj ishte shpallur zonë e interesit.

Zhvatësit

Fajtorë janë edhe banorët të cilët e kanë shfrytëzuar dobësinë e shtetit për të përfituar në kurriz të qytetarëve të tjerë. Ndërtimi i shtëpive në stil të kullave vetëm sa për të zhvatur shtetin është po aq i dëmshëm sa edhe hajnia nëpër tenderë që mund të bëjë një politikan. Edhe veprimi i tyre është vjedhje klasike e shtetit dhe qytetarëve.

Veprimi i zyrtarëve të KEK-ut apo e ndonjë zyrtari nga ministri të caktuara që kanë pasur qasje në informata është vepër kriminale. Fjalët e banorëve se në ndërtim të shtëpive është investuar edhe nga zyrtarët e KEK-ut, të Komunës apo të ndonjë ministrie duhet t’i hetojë Prokuroria.

Neglizhencën e institucioneve më së miri e shpjegon privatizimi i disa dhjetëra hektarëve tokë që shtriheshin në kuadër të Zonës së Interesit nga AKP-ja. Gazeta “Jeta në Kosovë” kishte gjetur se 54 hektarë tokë janë shitur për 75 përkatësisht 65 euro për ari. Toka e shitur është në kuadër të Zonës së Veçantë për Mihjen e re. Nga shitja e këtyre pronave shteti ka përfituar 370 mijë euro. Por, do të paguajë shumë herë më shumë për këtë tokë. Nëse të gjitha këto toka në të ardhmen shpronësohen nga KEK-u, kjo ndërmarrje do të detyrohet të paguajë hiç më pak se 2 milionë e 800 mijë euro, nëse kalkulohet çmimi minimal për tokë bujqësore prej 500 euro ari.

Gjithë ky dështim i shtetit në Shipitullë e Hade do të ketë një kosto prej dhjetëra miliona euro. Këta miliona nuk do të vijnë nga buxheti i shtetit, por do të vijnë direkt nga xhepi i qytetarëve të Kosovës. Kosto e shpronësimit futet në tarifa të energjisë elektrike, të cilat në fund i paguan qytetari.

Për neglizhencën totale të Qeverisë për këto dy vjet karshi bllokadës së zhvendosjeve në Shipitullë ka një fature tjetër që po ashtu e paguan qytetari. Ndalja e prodhimit do të thotë se KESCO do të importojë rrymë të shtrenjtë që futet në tarifa dhe që përkthehet në fatura më të shtrenjta. E nëse për shkak të importit bilanci i energjisë tejkalohet për 5 për qind, bordi i ZRrE-së mund të bëjë një rishikim më të hareshëm të tarifave, pra do të paguajmë më shtrenjtë qysh në shtator. E ka rastisë që Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të jetë jofunksional pasi nuk është plotësuar me 3 anëtarë për shkak të pazareve politike.

Për Shipitullën nuk mjafton një auditim, siç ishte bërë në vitin 2009 për zhvendosjen e Hades, por duhet të ketë hetim penal nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Foto: KALLXO.com

Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte bërë një hulumtim- “Tokat mbi Qymyr”- për zhvendosjen e banorëve të fshatit Hade të Obiliqit dhe shqetësimet që ata i kanë për zhvendosjen e tyre, për t’i bërë vend nxjerrjes së qymyrit për KEK-un.

Emisionin e plotë të ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun më poshtë: