Foto nga Komuna e Prishtinës

Lavdia dhe Rehatia e Bibliotekës së Re të Prishtinës

Në heshtjen absolute të një syprine të bardhë, të pamat në imagjinatën e syrit, një djalë qëndron me kokën ulur mbi një tryezë të madhe. Pas tij në prapavijë, pak të rinj të tjerë qëndrojnë të palëvizshëm në ndenjëset e tyre.

Ky veçim i secilit e bën edhe më të ndjeshme një farë pezullie hermetike në bibliotekën e re të Prishtinës, ku vetëm fërkimi letrës kur ndërrohet faqja arrin të shkaktojë një farë gërvishtjeje të imtë në akustikën e sallave dhe shkallëve që spiralojnë nga kati përdhes e dy më sipër.

Ata pak punonjës të pranishëm, si murgj të pagjasë që kanë bërë betimin e heshtjes, i shërbejnë dijes publike duke ndihmuar e udhëzuar qytetarët më shumë me një gjuhë universale shenjash sesa duke folur.

Dhjetëra lexues, kryesisht të rinj të shpërndarë nëpër tre katet e Bibliotekës së Komunës së Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, janë praktikisht të padukshëm në sipërfaqen e stërmadhe në përdorim, e cila kombinuar me infrastrukturën e fjalës së fundit, do t’i bënte hapësirat e leximit të Bibliotekës Kombëtare të Tiranës – sa për të dhënë një shembull – të dukeshin si të një librarie rrethinash.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

E përkthyer në numra, biblioteka e re ka një sipërfaqe prej 5,800 metrash katrorë, 250 ulëse për lexuesit, ndërsa komuna ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh në vit për blerje titujsh të rinj që t’i shtohen fondit të saj ekzistues.

Edhe pse ndërtesa e saj në lagjen Dardania është akull e re, biblioteka e qytetit ka rreth 70 vjet në funksion, dikur e vendosur në një hapësirë shumë më të vogël në zonën e njohur si Qafa, në Prishtinë, ku edhe pse e pajisur me një fond të mirë librash e botimesh të tjera periodike, ofronte hapësirë të kufizuar për lexuesit e kryeqytetit.

Ndërtesa e re ka një konstrukt modern që i bën karshillëk një blloku banimi përballë saj, të vjetruar, të lartë, në ngjyrë të gjelbër, i cili mishëron një pjesëz të muzgut të arkitekturës urbane jugosllave në Prishtinë.

Ndërtesa e bibliotekës së re | Foto: Atdhe Mulla
Ndërtesa e bibliotekës së re | Foto: Atdhe Mulla
Pamja përballë bibliotekës së re | Foto: Gazeta JNK
Pamja përballë bibliotekës së re | Foto: Gazeta JNK

“Jemi me fat që është ndërtu një objekt kaq modern për bibliotekën sepse në të kaluarën kemi pasur shumë vështirësi sa i përket hapësirave dhe sallave të leximit”, thotë Fatime Mehmetaj, shefe e bibliotekës.

Kjo bisedë bëhet pas dhurimit të arkivit të gazetave të Lëvizjes Vetëvendosje. Njoftimi për media përmendte edhe libra, por vetëm pak sosh qëndrojnë mbi një tryezë të improvizuar, ndërsa arkivi i gazetave është vërtet i plotë, i lidhur në kapakë të trashë sipas botimeve dhe periudhave.

Ndër librat e dhuruar nuk spikat asnjë titull veçanërisht i njohur, por kjo nuk e përjashton mundësinë që krahas teksteve teknike dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, aty të kishte edhe letërsi ‘të pavarur’.

Për shembull, binin në sy rreth gjashtë libra të ndryshëm të autorit Hysni Gashi, kryesisht me karakter patriotik dhe që me gjasa përbënin veprën e tij të plotë. Asnjë nga të pranishmit nuk e njihnin shkrimtarin në fjalë, por të gjithë u pajtuan që pa e lexuar nuk jepnin dot vlerësime.

Fatime Mehmetaj, shefe e bibliotekës | Foto: Gazeta JNK
Fatime Mehmetaj, shefe e bibliotekës | Foto: Gazeta JNK

‘Kantieri i dijes

Pa përmendur më tej detaje praktike dhe interesante të bibliotekës së re, më parë duhet diskutuar për gjakimin gati erotik ndaj librit dhe intelektit si qëllime në vetvete, dhe që nuk ka shumë lidhje me veprimin praktik (dhe në fakt intelektual) të leximit të një libri.

Ky artikull nuk ka të bëjë me asgjë të tillë, ndaj kushdo pret të lexojnë diçka melankolike lidhur me Librin, mund të mos humbasë kohë kot. Ky nuk është ai lloj leximi.

Duke qenë se kur flitet për librin, më shpesh se ç’duhet edhe gazetarëve u shpëtojnë tone melankolie, ky mestitull me “dije” e “kantiere” u vendos edhe në nder të tyre dhe në kujtim të hartimeve të pafundme që vërshojnë në detin e bojës së derdhur kot dhe pyjeve të shiut në Amazonë që shkatërrohen për të prodhuar letër ku shtypen më pas hartime për librin, duke kontribuuar si rrjedhojë te ngrohja globale dhe asgjësimi i jetës në planetin Tokë.

Në pjesën më të madhe të rasteve spikat edhe shprehja “libri, miku më i mirë”, a diçka e ngjashme. Në mungesë absolute të një personi gazmor, qejfli dhe mundësisht mustaqelli të cilin e njeh që nga shkolla e mesme, qeni është përfundimisht miku më i mirë i njeriut (ose një maçok i sterilizuar dhe shumë i dashur me emrin Maku).

Ata që kanë zhvilluar spekulimin se libri qenka miku më i mirë – çka nuk ka të bëjë me leximin intensiv të letërsisë sesa me syrgjynosjen brenda mureve të shtëpisë me librin e kimisë – zakonisht kanë qenë fëmijë të privuar nga jeta shoqërore dhe që i kanë njohur disa përvoja shumë vonë ose asfare…

Duke u kthyer te biblioteka, vlen të përmendet fakti se puna për ndërtimin e saj filloi në vitin 2012 dhe përfundoi në fillim të këtij viti.

Kështu, më 26 prill të këtij viti filloi zhvendosja e librave nga ndërtesa e vjetër në të renë dhe në mënyrë simbolike u bartën vetëm dy pako me libra. Në rreth 30 ditët në vijim u bart gjithçka e ambalazhuar në qindra pako me libra e botime të tjera.

 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i gëzohet anëtarësimit të tij në bibliotekën e re | Foto: Komuna e Prishtinës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i gëzohet anëtarësimit të tij në bibliotekën e re | Foto: Komuna e Prishtinës

Në përurimin e bibliotekës në fund të muajit gusht, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me një buzëqeshje të madhe ngriti para kamerave kartelën e tij të anëtarësisë. Sot biblioteka numëron rreth 400 lexues të regjistruar, dhe bibliotekistja Mehmetaj thotë se interesimi i qytetarëve të Prishtinës vjen në rritje.

Megjithatë, krahas rafteve të gjata të mbushura tërësisht me libra, bien në sy edhe rafte të tjera tërësisht të zbrazëta. Mehmetaj shpjegon se biblioteka është mjaft e pasur me tituj, por hapësira tepër e madhe mund të krijojë iluzionin optik sikur nuk ka shumë.

Materialet e bibliotekës janë të ndara në sektorin e fëmijëve, sektorin e të rriturve, sektorin shkencor, atë të vendlindjes, sektorin rezervë dhe periodikët. Gjithashtu, figuron edhe një ndarje e mëvetshme (në bodrumin e bibliotekës) për literaturën në gjuhën serbokroate.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Kjo e fundit sot nuk ekziston më, të paktën zyrtarisht, duke qenë se ekzistojnë dy gjuhë: serbishtja dhe kroatishtja. Në bibliotekën e Prishtinës, kjo korrektesë politike nuk vlen. Për më tepër, pjesa dërrmuese e literaturës në fjalë, apo çka mbetur nga ajo, është shkruar në gjuhën origjinale të ish-Jugosllavisë.

Ndërkohë donacione të ndryshme kanë filluar të bëhen nga individë apo organizata, që duke i ndihmuar fondit të qenësishëm prej 50 mijë eurosh në vit nga Komuna e Prishtinës, do të kontribuojnë në mbushjen e rafteve të reja.

Fjalë dhe finesë

Ndonëse e gjithë hapësira dhe infrastruktura në dispozicion është moderne, sapo hyn në bibliotekë, në krahun e djathë bie në sy një aneks me tavolina të rrumbullakëta, me syprina të bardha dhe baza metalike, secila rrethuar me nga katër karrige me ulëse dhe mbështetëse ngjyrë kremi dhe këmbë të holla inoksi.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Në katin përdhes të bibliotekës ndodhet sektori i librave për fëmijë, nga parashkollorët deri në klasën e nëntë.  Në një hapësirë në anën e majtë janë vendosur librat për më të vegjël si ilustrimet,  përrallat, gjëegjëzat, enciklopeditë, revistat, si dhe tekste shkollore.

Këtu dy djem që nuk duhet t’i kenë më shumë se 8 vjeç secili po lexojnë gjithë seriozitet, pa i ngritur sytë nga librat dhe pa folur fare me njëri-tjetrin.

Ndërsa në hapësirën tjetër në anën e djathtë janë radhitur librat nga letërsia shqipe. Në këtë hapësirë ka edhe libra në gjuhën angleze, turke, boshnjake dhe serbe, të vendosura në rafte të posaçme.

Foto: Gazeta JNK
Foto: Gazeta JNK

Para se të vazhdohet në katet e sipërme është me interes të eksplorohet bodrumi, dhe të shoqëruar nga stafi i bibliotekës hyjmë në disa dhoma të pastra dhe të ndriçuara mirë (çka i zbeh pritshmëritë e bodrumit konvencional) ku ndodhen periodikë të shumtë të sistemuar sipas viteve dhe numrave të botimeve përkatëse.

Ekziston një spekulim i ngulitur në imagjinatën e shumicës se në bodrume shpesh fshihen sende me vlerë, në rastin më të keq ndonjë arkë me shishe vere të vjetruar, harruar aty pas një rafti dërrasash nga stërgjyshi që ka vdekur pa i pirë.

Por nëse ky krahasim relativisht i dobët mund të ketë një farë vlere, në bodrumin e bibliotekës bëhet fjalë për një kantinë të tërë.

Gazeta Rilindja e vitit 1948 | Foto: Gazeta JNK
Gazeta Rilindja e vitit 1948 | Foto: Gazeta JNK

Këtu gjendet një koleksion voluminoz i gazetave dhe revistave të vjetra në gjuhën shqipe si dhe në gjuhën serbe, turke dhe angleze. Tërheq një fashikull dhe vërej se në dorë kam një përmbledhje të gazetës “Rilindja” të vitit 1948. Një copë historie e Kosovës për një periudhë për të cilën sot pak dihet e pak flitet.

“Tridhet Vjetori i Armatës Sovjetike”, lexon titulli kryesor në faqe të parë të një prej gazetave që përmban dosja, e cila rastësisht u hap te ky material pikant që mban datën 29 fruer (shkurt) 1948. Në ballinë saktësohet se “Rilindja”, është “Organ i Frontit Popullor të Kosovës e Metohisë”.

“Armata sovjetike, siç dihet ka luejt nji rol historik në luftën e dytë botnore, tue e bajtë në shpatullat e veta nji barrë shum e shum ma të randë e ma të madhe se sa çdo armat e koalicjonit anti-hitlerjan, se sa të gjitha këto armata së bashku”, shkruhet aty.

I gjithë teksti i shkruar 68 vjet më parë në dialektin geg, nuk përmban asnjë gabim gramatikor apo drejtshkrimor, madje nuk përmban as ato defekte ekzistenciale të shqipes së shkruar sot në Kosovë por dhe në zona të Shqipërisë ku flitet dialekti geg. Edhe paqartësia se kur përdoret “q” dhe kur “ç”, është zgjidhur pa asnjë gabim në të gjitha rreshtat që u lexuan. Shembull: është shkruar “siç dihet”, jo “siq dihet” dhe “sesa çdo” në vend të “sesa qdo”.

Gazeta Rilindja 1948 | Foto: Gazeta JNK
Gazeta Rilindja 1948 | Foto: Gazeta JNK

Lart, në katin e parë (praktikisht i dyti mbi katin përdhes) është sistemuar fondi i librave për të rritur, ku përfshihen letërsia shqipe, përfshirë veprat e plota të autorëve të ndryshëm, letërsia botërore e përkthyer në gjuhën shqipe e të tjera.

Në seksionin e romanit shqip bien në sy edhe shumë libra të Kadaresë nga i njëjti botim i përbashkët – ai që shitet në një pako të madhe ku përmblidhet praktikisht e gjithë vepra e Kadaresë. E tilla u pagëzua në një rast si “Konfeksioni familjar i veprës së Kadaresë”, nga një ithtar i tij që sapo i kishte blerë të gjithë librat bashkë në panaririn e librit në Tiranë në vitin 2014.

Në këtë kat ka më shumë lexues, por sheh vetëm dy në moshë të mesme ndërsa pjesa dërrmuese janë të rinj. Në katin e dytë dhe më të lartë të ndërtesës është vendosur fondi shkencor. Këtu gjenden materiale si filozofia, religjioni, drejtësia, ekonomia, shkencat e zbatuara, mjekësia, teknologjia e të tjera.

Dhe mbi një tavolinë të ulët me kolltuqe për lexuesit e ngeshëm, ndodhen dy revista “The Economist”, njëra prej të cilave e shfletuar, ndërsa tjetra e mbyllur. Kopertina e korrikut të këtij viti lexon “Anarchy in the UK” (Anarki në Mbretërinë e Bashkuar) çka përkon me titullin e këngës legjendare të grupit Sex Pistols.

Foto: Gazeta JNK
Foto: Gazeta JNK

Është luks të kesh një akses kaq të thjeshtë në arkivin e përditësuar të The Economist, duke e lexuar për më tepër i zhytur në kolltukë lëkure “latte”, ndërsa pak më në anë mund të shohësh nga lart në katin e poshtëm, lexues të renditur në tavolina më të mëdha ndanë rafteve metalike me libra.

Gjithçka është thjesht e përkryer. Mungon vetëm një kapuçino dhe një murale e Jean-Michel Basquiat përballë.