Lajme të Mira

Një muaj para përvjetorit të katërt të shpalljes së pavarësisë, i kam shkruar dy artikuj për të përditshmen Zëri dhe The European Voice lidhur me faljet masive që presidentët e Kosovës i kishin bërë gjatë tri viteve të kaluara pikërisht në këtë ditë.

Ata kanë falur 72 kriminelë më 2009 (Fatmir Sejdiu), 62 më 2010 (Sejdiu) dhe 103 më 2011 (Jakup Krasniqi, si ushtrues detyre i Presidentit).

Mesatarja ishte 79 falje në vit, që është baras me 5.4 për qind të popullatës së burgjeve, ose një falje për çdo 18 kriminelë. Sa për krahasim, kam theksuar se në Itali dhe në SHBA mesatarja vjetore është rreth 0.005 për qind dhe 0.001 për qind e popullatës së burgjeve, përkatësisht.

Gjithashtu, presidenti italian dhe posaçërisht ai i SHBA-së kryesisht falin vetëm personat të cilët i kanë vuajtur dënimet e tyre të plota, gjersa presidentët e Kosovës kanë falur vetëm personat të cilat ishin ende në burgje, ku përfshiheshin vrasës dhe trafikues drogash.

Dhe gjersa presidentët e SHBA-së lëshojnë falje vetëm një herë çdo disa vite, presidentët e Kosovës e kanë bërë këtë çdo vit.

Unë kam theksuar se këto falje masive janë shkelje flagrante e ligjit dhe kushtetutës, për dy arsye. Së pari, faljet presidenciale janë menduar të jenë si veprim i jashtëzakonshëm i mëshirës, që është veprim diskrecionar pikërisht sepse duhet të përdoret rrallë; amnistitë e gjera, përgjithësisht të ofruara nga parlamentet, nuk janë të lejuara me kushtetutën e Kosovës.

Së dyti, shumë falje që i kanë lëshuar Sejdiu dhe Krasniqi kanë qenë edhe në shkelje të ndarjes së pushteteve, sepse ato janë bërë ndaj personave të cilët kanë kërkuar lirim të parakohshëm nga burgu (për shembull për sjellje të mirë apo arsye shëndetësore) dhe një gjë e tillë iu është refuzuar nga autoritetet kompetente gjyqësore: presidenti në fakt ka rrëzuar vendimet e tyre.

Unë kam theksuar se përveç që do të prodhonin më shumë krime, amnistitë e tilla ishin kundërshtim i hapur me vetë nocionin e sundimit të ligjit: çka do të jetë më keq se kur shohim kreun e shtetit duke liruar në mënyre joligjore dhe arbitrare dhjetëra kriminelë çdo vit, për të ‘shënuar’ përvjetorin më të rëndësishëm të Kosovës?

Në vitin 2012, presidentja e re fali 15 kriminelë. Në artikullin e radhës kam shkruar se edhe kjo shifër është shumë e lartë dhe pak a shumë konfirmova kritikën time të mëhershme: kam shkruar se të vjedhësh një mollë është më mirë se t’i vjedhësh dhjetë, por prapë është vjedhje.

Më 2013, presidentja fali 4 kriminelë dhe këto janë faljet e vetme të lëshuara në periudhën nga 17 shkurti 2012 deri më sot. Kjo dëshmon se presidentja e re ka hequr dorë nga politika e mëhershme dhe se vendimi i vitit 2012 ishte hapi i parë i rëndësishëm në këtë drejtim, e jo koncesion i momentit ndaj kritikës publike, siç e kisha gjykuar unë.

Vlerësimi që i bëra më 2012 ishte i gabuar, prandaj dhe me kënaqësi theksoj se Kosova i dha fund kësaj praktike.

Kjo është meritë e presidentes aktuale dhe të gjithë atyre, brenda apo jashtë institucioneve, të cilët kanë kërkuar ndryshim në këtë politikë: kujtoj, për shembull, deklaratën e lëshuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës disa ditë para përvjetorit të 2012, si dhe komentet kritike në raportin e progresit për 2012 të Komisionit Evropian dhe në raportin e auditimit të BE-së për EULEX-in.

Ky është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën.

Vrojtimi i dytë që do të doja ta bëja është se më 2009, 2010 dhe 2011 Kosova ishte nën mbikëqyrjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, ICO, dhe përfitonte nga asistenca e EULEX-it. Këto institucione ishin në dijeni të faljeve por nuk thanë as edhe një fjalë të vetme lidhur me to: unë pata kërkuar që ICO të reagojë, dhe ende më kujtohen arsyetimet e shtjelluara e ligjore të cilat i kishte përdorur një koleg për të mbrojtur 103 faljet e Krasniqit më 2011.
 
Ne e dimë se qasja e tyre ka në prioritet stabilitetin afatshkurtër politik, por fakti që praktika e dhënies së faljeve masive tani është ndërprerë dëshmon se kjo ka qenë e mundur të ndalet qysh në vitin 2009 pa cenuar stabilitetin. Pse të paktën nuk kanë bërë përpjekje? Ndoshta kanë menduar se Kosova është e pandreqshme: por, nëse është ashtu, pse kanë qëndruar këtu? Apo ndoshta kanë menduar se opinioni publik më parë do të kishte marrë anën e kriminelëve sesa sundimit të ligjit: nëse është ashtu, Kosova prerazi ka dëshmuar të kundërtën dhe ka rritur përgjegjësinë e tyre morale dhe politike për heshtjen që kanë treguar.

Pak zhurmë në media dhe presion nga opinioni publik kanë bërë më shumë sesa dy misionet ndërkombëtare me kompetenca (në teori) gjithëpërfshirëse, me gjithsej 2,500 punonjës dhe në pozitë që të flasin në emër të BE-së dhe Perëndimit.

Ky është një mësim i mirë, i cili me shpresë do t’i nxisë qytetarët e Kosovës që ta ngrehin zërin e tyre paqësor edhe për çështje tjera.

Për shembull, para disa javëve u mbajt një demonstratë historike qytetare kundër korrupsionit; por pak më vonë parlamenti dhe presidenti emëruan një ish ministër dhe anëtar të PDK-së si Guvernator të Bankës Qendrore, që është zgjidhje skandaloze dhe e rrezikshme për ta protestuar fort.

Në mënyre të ngjashme, vitin e kaluar presioni publik detyroi kuvendin që t’i ndryshojë rregullat që kufizojnë lirinë e mediave; por në dhjetor kuvendi hartoi rregullat në kodin e procedurës penale të cilat dekurajojnë dëshmitarët nga dhënia e dëshmisë, që madje përbën ftesë të nënkuptuar për t’i frikësuar ata: pse të mos protestohet me të njëjtën vendosmëri?