Kuvendi Miraton Projektligjin për Amnisti

Leximi i dytë i Projektligjit për amnisti, në seancën e dytë të së enjtes, u iniciua si propozim nga deputeti i Grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci. Propozimi u përkrah nga të gjitha grupet parlamentare përveç grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Gjatë kohës së pauzës në mes të dy seancave të sotme,  Komisoni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, ka shqyrtuar Projektligjin për amnisti, pas kalimit të tij në lexim të parë.

Komisioni vendosi që t’u rekomandojë deputetëve të Kuvendit shqyrtimin dhe miratimin e tij, pa ndonjë amandament shtesë. Këtë e tha kryetari i komisionit, Arben Gashi.

Shqyrtimi i dytë i projektligjit u bë me shmangie të rregullores së Kuvendit, duke u bazuar në nenin 84 të saj. Ky nen përcakton se rregullorja mund të anashkalohet, nëse për anashkalim të saj votojnë dy të tretat e deputetëve, tha gjatë seancës kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Vendosja e Projektligjit për amnisti si pikë e parë rendit të ditës, në seancën e dytë, pas hedhjes në votim ka marrë miratimin e shumicës së deputetëve.

Kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar votimin e 4 amandamenteve për Projektligjin për amnisti, ndonëse pa miratimin e tyre nga komisoni funksional. Tre amendamente i propozoi deputetja Alma Lama, ndërsa i katërti ishte propozim i deputetes Lumnie Morina.

Të katër amandamentet e propozuara nuk morën përkrahje të duhur nga deputetët, pasi  për miratimin e tyre nevojiteshin 2 të 3-tat e të gjithë deputetëve, sikurse për projektligjin në tërësi.

Deputetja Luminie Morina (PDK) propozoi që në nenin 1 të potencohej që ““Ligji vlen vetëm për ata persona të cilët nuk e kanë njohur sistemin kushtetues të Kosovës” e cila sipas saj bën të qartë se qëllimi kryesor i këtij ligji është integrimi i veriut të vendit.

Neni 1 përcakton qëllimin dhe fushëveprimin e Ligjit të amnistisë brenda tërë territorit të Kosovës.

Ndërsa amandamentet që propozoi deputetja Lama qenë; fshirja e të gjitha veprave penale që janë kundër individit dhe që nuk kanë qenë kundër rendit kushtetues; specfikimi i kohës së fillimit të amnistisë nga data 17 shkurt 2008, kur është shpallur pavarësia; si dhe saktësimi i plotë i grupeve që përfitojnë nga projektligji, ashtu që të përfitojnë vetëm ata që kanë kryer vepra të natyrave të ndryshme, të motivuara politikisht dhe nuk e kanë njohur rendin kushtetues të vendit.

Pavarësisht miratimit të Projektligjit në Kuvend, qytetarët vazhduan ta nënshkruajnë peticionin kundër këtij projektligji.

Qëllimi i organizatorëve të peticionit është që të mbledhin 10 mijë nënshkrime qytetarësh për të kërkuar nëpërmjet tyre rikthimin në Kuvend të Projektligjit për amnisti.

Kalon në Lexim të Parë Projektligji për Amnistinë

13 e 30 (E plotësuar) Ka kaluar në parim në leximin e tij të parë Projektligji për amnisti, me 91 vota pro, 17 kundër dhe asnjë abstenim.Si i tillë projektligji pritet të marrë miratimin e Komisonit për legjislacion dhe me procedurë të përshpejtuar të kalojë në lexim të dytë në seancën e dytë të Kuvendit të Kosovës, e paraparë të mbahet sot, në orën 15.

Përfaqësues të grupeve parlamentare kanë shprehur mbështetjen e tyre për projektligjin, me përjashtim të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi fillimisht ka kërkuar nga deputetët që të votohet shmangia e rregullores për shqyrtimin e parë të Projektligjit për aministi.

Kjo pasi me rregullore të Kuvendit (pika 1 e nenit 56) është e përcaktuar që shqyrttimi i parë i një projekligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune.

Projektligji për amnisti me ndryshimet e bëra, Kuvendit i ishte dorëzuar të premten.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shprehur bindje për mbështjetjen e projektligjit me ndryshimet e bëra.

Kuçi po ashtu është shfaqur i sigurt se ligji do të ndryshojë gjendjen, duke thënë se ‘.. në shtetet e konsoliduara ligji vie si rezultat për demokraci të brishtë që tenton të ndryshojë realitetin..”

Kryesuesi i Komisionit për legjislacion Arben Gashi, në emër të komisionit ka kërkuar nga deputetët që ta përkrahin ligjin, duke marrë parasysh ndryshimet e bëra në të.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës deputeti Behar Selimi, ka thënë se me ndryshimet që janë bërë, votimi i Projektligit është më lehtë të bëhet sot.

“Gjithashtu e vlerësojmë faktin se neni aktual 3 [ish-neni 5] e bën të qartë ndarjen në mes të strukturave kriminale dhe atyre ilegale “ ka thënë Selimi.

Në emër të LDK-së ka folur deputeti Haki Demolli, i cili tha se edhe javën e kaluar projektligji ka marrë përkrahjen e LDK-së, por duke kushtëzuar votimin e tij të mëtutjeshëm me amandamentet që ky subjekt i ka propozuar.

“Qeveria në rastin tonë ka përfillur këkresën tonë… “ tha deputeti Demolli.

Ai përmendi heqjen komplet të nenit 3 dhe mosamnistimin e personave që kanë kryer vepra penale të vrasjes ose lëndimeve të lehta trupore, pavarësisht etnicitetit, moshës, e tjera.

“Grupi parlamentar i LDK-së ka vendosur që votën e vet ta japë për aprovimin e këtij ligji’ ka thënë Demolli.

Projektligji është kundërshtuar nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes.

Deputetja Albulena Haxhiu ndër të tjera ka thënë se edhe me këtë projektligj sikurse me të kaluarin u shpërfillën të gjitha procedurat e rregullores së kuvendit. Po ashtu ajo ka përmendur mosdefinim e datës së fillimit të amnistisë, si mangësi të ligjit.

“Ky projektligj dhe forma e imponuar e miratimit të tij, pra në dy lexime brenda një dite… tregon qartë që është përveç i dëmshëm edhe i papërmirësueshëm” ka thënë Haxhiu.

Deputeti Ardian Gjini ka shprehur mbështetjen për projektligjin në emër të Grupit parlamentar të AAK-së, duke shtuar se janë marrë parasysh çështjet që ky subjekt politik ka ngritur në seancën e javës së kaluar.

“Me votën sot do të nisë një proces, do të ketë një ditë një (1) …” ka thënë deputeti.

Edhe deputetja Myzejene Selmani ka shprehur mbështetje në emër të Grupit parlamantar të AKR-së për projektligjin.

Deputetja Selmani ka thënë se kërkesë e tyre është integrimi i veriut dhe zbatimi i marrëveshjes dhe se “Koalicioni për Kosovë të Re përkrah ligjin”.

Deputetja Lumnie Morina (PDK) ështe shpreur që projektligi megjithë ndryshimet që i janë bërë, ka nevojë të bëhet më i qartë, më i plotë dhe më i saktë.

Morina ka propozuar që në nenin 1 të futet fjalia në të cilën thuhet që “Ligji vlen vetëm per ata persona të cilët nuk e kanë njohur sistemin kushtetues të Kosovës” e cila sipas saj bën të qartë se qëllimi kryesor i këtij ligji është integrimi i veriut të vendit.

Albin Kurti (VV), ka thënë se amnistia e struktuarave po ndodhë pa u bërë çarmatosja dhe demilitarizimi i zonës së veriut. Ai po ashtu ka thënë se duke amnistuar krimet e Serbisë, më parë do të kemi integrim të Kosovës në veri, sesa integrim të veriut në Kosovë.

Kurti duke bërë thirrje për mosvotim të projekligjit ka thënë se “ këtu kemi dy lloj deputetësh varësisht se si do të votojnë: deputetët e krimit dhe deputetët kundër krimit” .

Derisa në Kuvend zhvillohej ky debat, jashtë oborrit të këtij institucioni, në sheshin “Ibrahim Rugova”, protestuesit kundër projektligjit vazhdonin demonstratën.

Ata brohorisnin mes tjerash edhe “Poshtë amnistia, duam drejtësi”, ndërsa u bënin thirrje deputetëve të votojnë si gjatë seancës së para një jave kur Projektligji për amnisti nuk kaloi për lexim të parë në Kuvend.

Ata thirrnin një nga një emrat e deputetëve që nuk votuan ligjin, duke kërkuar nga secili prej emrave të thirrur që të mos votojë përsëri.

Vazhdon Seanca e Amnistisë dhe Protesta Kundër saj

11 e 27 (E plotësuar) Në Kuvendin e Kosovës nisi seanca ku pritet të votohet përsëri në lexim të parë Projektligji për amnisti. Ky projektligj u ndryshua të premten nga qeveria, pasi të enjten e kaluar nuk kaloi në Kuvend, në versionin e tij fillestar. Që të kalojë projektligji, duhet të votohet nga 2/3-at e deputetëve, ose 80 prej tyre. Disa nga organizatat e shoqërisë civile që pretendojnë të identifikohen vetëm si qytetarë, nisën një protestë kundër projektligjit në orën 11:00. Kundër Projektligjit është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet përsëri në lexim të parë Projektligji për amnisti është duke u zhvilluar.

Këtë radhë para deputetëve do të paraqitet një version i ndryshuar i Projektligjit që përjashton nenin 3, me të cilin amnistoheshin vepra të rënda penale, ndërsa parashihej të zvogëlohej për 20 për qind dënimi i individëve të dënuar për disa lloje të vrasjeve.

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Catherine Ashton gjatë vizitës në Kosovë të mërkurën tha se miratimi i Ligjit për amnisti është i rëndësishëm.

Organizata të shoqërisë civile që dëshirojnë të identifikohen si qytetarë pas orës 11:00, jashtë ndërtesës së Kuvendit nisën edhe protestën kundër projektligjit.

Në protestë është duke folur Shpend Kursani, njëri nga organizatorët.

Ai po u thotë protestuesve që nuk kalojnë disa qindra, se projektligji është duke kaluar shumë shpejt, ndërsa po paralajmëron një protestë që do të zgjasë gjatë tërë kohës sa në Kuvend do të mbahet seanca.

Peticionin kundër ligjit të amnistisë në formën e tij aktuale, të iniciuar nga organizata KIPRED, deri tash sipas nismëtarëve e kanë nënshkruar 7 mijë e 500 qytetarë.

Aktualisht në Kuvend, pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare, po flasin deputetët.