Gjenerali amerikan Clark për tre muaj kishte drejtuar fushatën ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake ish- jugosllave në pranverë të vitit 1999 kur ishte komandat i forcave ushtarake të NATO-s për Evropë. Foto: NATO

Javën e Ardhshme Shqyrtohet Projekti i 'Envidity'

Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme do të shqyrtojë projektin e kompanisë “Envidity Energy”, në bordin e së cilës është edhe gjenerali Wesley Clark.

Kryesia e Kuvendit në takim e së hënës do të vendosë nëse projekti i “Envidity” do të jetë në rend të ditës në seancën e ardhshme plenare.

Qeveria e Kosovës në muajin gusht kishte vendosur që projekti i propozuar nga Kompania “Envidity” përbën interes dhe për të njëjtin duhet të shfrytëzohet neni 18 i Ligjit për Miniera dhe Minerale për të shmangur procedurat e konkurrimit për të mundësuar realizimin e projektit.

Ligji për Miniera dhe Minerale kërkon edhe miratimin nga Kuvendi i Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës do të votojnë nëse qeveria do të ketë të drejtë të hyjë në negociata të drejtpërdrejta me kompaninë e lidhur me gjeneralin Wesley K. Clark.

“Pas aprovimit të këtij vendimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës do të themelohet ekipi për përgatitjen dhe negocimin e marrëveshjes…”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës me numër 05/106.

“Envidity” ka kërkuar që të hulumtojë të gjitha rezervat e qymyrit në Kosovë, apo mbi 3 mijë kilometra katrorë. Kompania shpreson se do të prodhojë deri në 100,000 barelë të naftës në ditë, ose 15 milionë litra, duke përdorur teknika pak të njohura – proceset e gazifikimit nëntokësor të thëngjillit dhe gazit të kthyer në lëng. Deri në finalizim të projektit, kompania kishte premtuar një investim deri në 8 miliardë dollarë.

Kompania e Wesley Clark Kërkon Monopolin në Qymyrin e Kosovës

Gjatë kësaj jave Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik e kishte miratuar propozimin e qeverisë, mirëpo deputetet nuk e kishin pasur të qartë se për çka po votonin.

Procesi i diskutimit në komisionin parlamentar dhe një diskutim me ekspertë është bërë në Emisionin “Jeta në Kosovë”.

Jeta në Kosovë: Thëngjilli-Zhvatje a Zhvillim?

Ndërkohë, Gazeta JnK ka siguruar rekomandimet përfundimtare të Komisionit për Zhvillim Ekonomik. Janë gjithsej tetë rekomandime që i janë bërë Kuvendit të Kosovës.

Në pikën e parët të rekomandimit të këtij komisioni thuhet se sipërfaqja për eksplorim eventualisht për eksploatim duhet të jetë në përputhje me Ligjin për Minierat e Mineralet, Ligjin për Planifikim Hapësinor si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Ambientit

“Sipërfaqja për eksplorim dhe eventualisht eksploatim më vonë duhet të jetë e definuar dhe brenda kornizës ligjore të përcaktuar me Ligjin për Miniera dhe Minerale, Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit,” thuhet në dokument. Ky rekomandim është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Në vendimin e qeverisë thuhet se kompanisë mund t’i jepet e drejta e hulumtimit të rreth 3000 kilometrave katrorë. Ndërkohë, Ligji për Miniera dhe Minerale e kufizon hapësirën për hulumtim në vetëm 300 kilometra katrorë për një kompani të vetme.

Komisioni kërkon që Kuvendi të obligojë Qeverinë e Kosovës të bëjë studimin e fizibilitetit, në të cilin do të definohen kostot dhe përfitimet ekonomike sociale si dhe rreziqet e këtij projekti. Është kërkuar që të bëhet kujdes i shtuar në teknologjinë që do të përdoret, rrezikun mjedisor dhe ndikimin e mundshëm në ujërat nëntokësore, por edhe ndikimin në bujqësi.

“Studimi i fizibilitetit duhet të përcaktojë saktë ndikimet potenciale të projektit dhe efektet e jashtme socio-ekonomike, të bëhet paraprakisht vlerësimi strategjik sipas metodologjisë së Bankës Botërore dhe zbatimi i një metodologjie të standardeve të kësaj banke dhe të bëhen konsultime me komunitetin”, thuhet në rekomandime të Komisionit Parlamentar.

Është rekomanduar që Kuvendi të marrë vendim në të cilin duhet të definohet qartë procedura e shpronësimeve të cilat duhet t’i marrë përsipër kompania. Është kërkuar që të sigurohen garancitë e nevojshme financiare, në mënyrë që të shmangët dështimi. Është rekomanduar që të obligohet qeveria që vazhdimisht të mbajë të informuar Kuvendin me zhvillimet në zbatimin e projektit.

Gjithashtu, në dokumentin e këtij komisioni thuhet se para marrëveshjes për realizimin e projektit të shfrytëzimit, qeveria obligohet të sjellë vendimin për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

Për Kuvend është rekomanduar edhe projekti i “SharrCemit” për hapjen e një miniere në rajonin e Dukagjinit.