Kush Janë të Mallkuarit e Ballkanit?

Shembujt e mirë të cilët tregojnë që feja, raca apo gjinia nuk luajnë rol kur është humaniteti në pyetje, janë të shumtë përkundër luftërave dhe rrënimit të besimit në hapësirën e ish Jugosllavisë, por patjetër që njëra prej shfaqjeve më të mira teatrale është “Të Mallkuarit e Ballkanit” e cila flet për martesat e përziera në Ballkan, dhe në të cilën luajnë aktorët nga Kosova.

Specifika e shfaqjes është në faktin që luhet në dy gjuhë, gjuhën serbe dhe shqipe dhe është e titruar. Kështu që kur flitet serbisht vendosen titrat në shqip dhe e kundërta, që është diçka e rrallë. E kemi parë shfaqjen në Shtëpinë e Kulturës “Graçanica”, kur verën e kaluar është shfaqur për herë të parë. Për aktorët të cilët vijnë nga anë të ndryshe të Kosovës – Prishtina, Ferizaj, Lipjani, Mitrovica e Veriut – (mos)njohja e gjuhës nuk ka qenë problem pasi të gjithë flasin anglisht. Thonë që atmosfera ka qenë e mirë dhe që janë të kënaqur që kanë pasur mundësi të marrin pjesë në një projekt të tillë.

“Unë kam udhëtuar shumë në Ballkan, kam udhëtuar dhe kam punuar dhe ky sinqeritet të cilin e kam gjetë në këto udhëtime e ka krijuar këtë dramë. Mendoj që askush asnjëherë nuk ka shkruar dramë për fëmijët e martesave të përziera. Kemi shikuar filma dhe lexuar romane, si dhe shfaqje në të cilat flitet për fëmijë të cilët janë të krijuar nga dy raca, por asnjëherë për ata prej dy kombësive të cilat ndoshta nuk janë të rëndësishme në botë por në Ballkan janë”, thotë Enver Petrovci, regjisor i shfaqjes dhe autor i dramës për portalin ecofeminizëm.com.

“Kam dashur t’i paraqes këta fëmijë, të cilët janë fëmijët më të mrekullueshëm dhe më të mirë në kohë të paqes. Ata janë krenari, por kur vijnë kohëra të rënda, mbesin të askujt, të dyshimtë, në i përkasin askujt, prandaj unë i kam quajtur  ‘Të Mallkuarit e Ballkanit’. Këta fëmijët më të mirë në Ballkan bëhen të mallkuar të cilët nuk i do askush dhe bëhen të dyshimtë, prandaj njeriu pyetet nëse prindërit në Ballkan ende kanë guximin të krijojnë martesa të përziera. Unë besoj që ia vlen të krijohet martesa e përzier, dhe jo vetëm këtu por kudoqoftë në botë. Por lufta e fundit na ka treguar që këta fëmijë kanë vuajtur shumë, edhe pse kanë qenë të mrekullueshëm”, thotë Petrovci.

Ideja e tij fillestare ka qenë që secili të flet në gjuhën e “atij tjetrit”, por thotë që nuk ka gjetur dy aktorë të cilët flasin shqip dhe serbisht. Shumica e monologëve, të cilët janë më mbresëlënësit në shfaqje, paraqesin mendimet dhe fjalët e gjyshit të Petrovcit. Regjisori kujton që gjyshi çdo herë i ka thënë që ka besuar në Zot, që ka kaluar nga turqit deri te komunistët dhe që nuk e ka përjetuar demokracinë.

Fjalët e tij, më të cilët shfaqja fillon dhe mbaron janë: “Të gjithë ata kanë kaluar dhe ardhur, unë kam mbetur si guri i fortë, dhe me besim në Zot. Mos lufto për askënd, pasi edhe ata edhe këta janë të njëjtë. Të parët ta marrin shpirtin, tjerët tokën. Të gjithë ata vijnë dhe shkojnë, kurse unë mbetem fuqishëm në tokën time me besim në zot”.

Anglishtja si gjuhë e përbashkët

shfaqja 2

Blin Sulejmani është student i aktrimit në vitin e katërt në Universitetin e Prishtinës. Nuk flet serbisht, por thotë që me kolegët ka kaluar shkëlqyeshëm gjatë provave.

„Ky është roli im i parë profesional. Është privilegj i madh të punosh me Enver Petrovcin, dhe jam i lumtur që ai është edhe njëri prej profesorëve të fakultetit. Ka qenë e lehtë të luaj rolin, shumë mirë kemi kaluar dhe kemi punuar. Kemi biseduar në anglisht, asnjëherë në serbisht apo shqip. Ka qenë argëtuese. Kemi pirë shumë çaj edhe kemi punuar shumë. Ka pasur shumë punë, tërë këtë e kemi përfunduar për një muaj dhe të gjithë janë të kënaqur”, thotë për portalin tonë Blin Sulejmani.

Tamara Tomanoviq, kolegia e tij nga Mitrovica, e ka përfunduar Akademinë e Prishtinës para dy vitesh dhe tani punon në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, përkatësisht në Graçanicë.

„E kam fituar rastin dhe ftesën nga zoti Enver Petrovci për shfaqjen ‘Të Mallkuarit e Ballkanit’. Më duhet të them që kam menduar paksa çfarë të bëj dhe nëse do ta pranoj rolin, si do të jetë pranuar kjo. Megjithatë, e kam kuptuar që jam me të vërtet artiste dhe që duhet t’i zhbëj paragjykimet të cilat ekzistojnë në mes të njerëzve. Që artistët i shërbejnë kësaj, që të tregojnë këtë anë të bukur të artit dhe që të njoftohemi më kolegët, të shohim mënyrën në të cilën punojnë, se si funksionojnë”, ka thënë Tamara Tomanoviq, derisa i ka përmbledh përshtypjet pas premierës në Graçanicë.

Ajo thotë që në Mitrovicë nuk ka kontakte me kolegët të cilët kanë përfunduar studimet në Prishtinë.

“Më duhet të ju them që së pari i kam rrëzuar disa paragjykime, jam bërë njeri më i mirë, jam forcuar dhe ja ku jam. Ka qenë shumë interesante dhe eksituese. Së pari jemi frikësuar, natyrisht, për shkak të mos njohjes së gjuhës, kemi komunikuar në anglisht, dhe pastaj gjatë punës për të njëmijtën herë që aktrimi nuk ka kufij dhe që në aktrim nuk ka gjuhë. Të gjithë mund të kuptohemi mirë, të punojnë, të shohim këtë emocionin e aktrimit dhe për mua kjo është një përvojë e mrekullueshme, bile e kemi mësuar gjuhën e njëri- tjetrit. Nuk ka qenë vështirë, por eksituese, inspiruese, e guximshme para së gjithash, dhe e kemi marrë edhe rastin me yllin më të madh jugosllav, nuk është pak”, thotë Tomanoviq.

Shfaqja e cila do të jetojë gjatë 

Aktorja Marija Masal për portalin tonë shpjegon që shfaqja për të është shumë emocionuese.

“Unë jam nga Lipjani dhe gjatë nuk kam qenë këtu, në Graçanicë, dhe tani jam ndalur këtu në këtë skenë dhe jam plot emocione. Shfaqja ka qenë e mirë dhe mendoj që publiku ka reaguar mirë. Derisa kemi qenë në prova të leximit, në tavolinë nuk ka pasur probleme që shfaqja është në gjuhën serbe dhe shqipe, pasi e keni tekstin para vetes dhe e lexoni. Unë jam frikësuar se si do të jetë kur të jemi në hapësirë, që mos t’i ndërhyjmë njëri- tjetrit në replikë, por disi ka qenë e pabesueshme. Unë nuk flas shqip edhe pse jam nga Kosova, ata nuk flasin serbisht, por kemi punuar shkëlqyeshëm. Mendoj që fëmijët nga martesat e përziera në këto hapësira janë të mallkuar të Ballkanit, pasi që këta janë fëmijë të cilët në kohën e sotme duhet të kalojmë nëpër shumë çka për të treguar veten, sikurse është dashur të tregohet karakteri im, për të ardhur në pozitën e inspektoret në të cilën ndodhet”, thotë aktorja Marija Masal.

Producenti Zoran Ristiq shpjegon për portalin ecofeminizam.com që ideja fillestare ka qenë që të bëhet një teatër për fëmijë.

“Ky është njëri prej projekteve të para, përkatësisht shfaqja përmes së cilës kemi dashur ta bëjmë një ‘balon testues’, të shohim se si do të pranohet tek publiku. Kjo është gjëja e parë e cila ndodh në këtë mënyrë, jo vetëm pas bombardimeve por edhe më herët. Jetën e kësaj shfaqje vetëm në festivale dhe mendoj që ajo do të pranohet më mirë në regjion se sa në Kosovë. Në këtë shfaqje flitet në dy gjuhë, por është plotësisht e kuptueshme dhe mendoj që do të jetoj gjatë”, thotë Zoran Ristiq.

Shfaqja ”Të Mallkuarit e Ballkanit”, pra, nuk flet vetëm për fëmijët nga martesat e përziera, por edhe për artistët si ambasadorë të paqes, pa marrë parasysh çfarë gjuhe flasin.

 

Ky artikull është shkruar si pjesë e projektit “Njerëz të vërtetë – zgjidhje të vërteta” dhe është financuar me mjete të BE-së si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e Shoqatës qytetare “Malin” nga Subotica dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Europian.