Kur Udhëheqësit Shpërfillin Drejtësinë

Mosrespektimet e fundit të vendimeve të gjykatës janë pasqyra më e mirë e funksionimit jo të duhur të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe sidomos e qasjes që kanë udhëheqësit politikë për sundimin e ligjit.

EULEX-i, misioni më i madh i ligjit i angazhuar ndonjëherë nga Bashkimi Europian, ka ndjekur dhe gjykuar gjithsej 377 raste që nga viti 2008, nga të cilat 306 janë penale dhe vetëm 71 civile. Shumë prej tyre janë lëndë të profilit të lartë, përfshirë ato për kryetarët komunalë Xhabir Zharku e Sami Lushtaku.

Ka shumë arsye pse gjyqësori kosovar është aq i kritikuar dhe pa kredibilitet.

Fillimisht, vetë fakti që EULEX-i i merr gjithmonë rastet e kësaj natyre më shumë reflekton hezitimin e gjyqësorit vendës dhe pavendosmërinë e tij.

Por ky trend arriti kulmin me shpërfilljen e vendimeve të gjykatave në rastet Zharku dhe “Bllaca II” – brenda një jave. Këto raste mund të krijojnë precedente të rrezikshme në shoqërinë kosovare.

I akuzuar dhe shpallur fajtor me tri vjet burg dhe 1500 euro gjobë për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, vazhdon të qëndrojë në arrati, duke mos përfillur vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë që Zharkun e kishte shpallur fajtor, dhe atë të Gjykatës Supreme që e kishte vërtetuar në shkallë të dytë dënimin ndaj tij. Zharku ishte zgjedhur dy herë nga qytetarët e Kaçanikut për kryetar.

Me rastin e paraqitjes së akuzave ndaj tij, para 6 vitesh ai ishte treguar i gatshëm për bashkëpunim me organet e drejtësisë për zbardhjen e së vërtetës. Në shenjë bashkëpunimi, fillimisht Zharku ishte detyruar që të paraqitej në stacionin policor në shenjë sigurie për praninë e tij në procesin gjyqësor që do të zhvillohej ndaj tij. Pas vendimit ai ishte ankuar disa herë. Në fund, ai u arratis.

Kjo ngjarje ngrehë tri çështje kryesore.

E para, politikanët e zgjedhur në pozita udhëheqëse, si Zharku, të cilëve u jepet besim që të drejtojnë qytetarët dhe të nxjerrin legjislacion për të mirën e tyre, në fakt nuk i besojnë vetë atij sistemi. Meqë ai vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në pushtet, ky është tregim edhe për këtë parti dhe për qasjen e saj ndaj sundimit të ligjit.

Së dyti, kjo tregon nuhatjen e dobët të gjyqtarëve – me dashje a padashje – në lidhje me rrezikun e arratisjes ose pamundësimit të ekzekutimit të vendimit.

Së treti, fakti që gjykata komunale e Kaçanikut ka lëshuar një urdhër arrestim kundër tij e që vlente vetëm për territorin e asaj komunë, për tri ditë më radhë, tregon qasjen sa joserioze aq edhe të ngushtë të gjykatësve të vendit. I binte se Zharku mund të ikte nga të donte pa frikë se dikush do ta ndalonte diku tjetër pos në Kaçanik. 

Ndërkohë, ai paralajmëron se do të publikojë dëshmi diskredituese ndaj EULEX-it në rast se nuk ndalë përndjekjen ndaj tij dhe në rast se nuk merr parasysh prova dhe fakte të reja për të dëshmuar pafajësinë e tij.

Por, përveç se është obligim i çdo qytetari të thjeshtë, aq më shumë është detyrim i personave publikë që dëshmitë e tilla në çfarëdo rasti t’ia deponojnë organeve të drejtësisë. Përkundrazi, gjestet e tij janë sa shantazhim aq edhe rrethana rënduese për gjendjen e tij.

Kur ngjarja u përsërit edhe me rastin tjetër “Bllaca II”, në fillim të kësaj jave”, ku tre të akuzuar nuk u paraqitën në gjykatë, u bë e qartë se shembulli i Zharkut tashmë ka filluar tu shërbejë si udhërrëfyes njerëzve tjerë.

Gjyqësori dhe politika duhet të bëjnë diçka për të rifituar besim. Fatkeqësisht, në vendin tonë pak gjëra ngjajnë me njëra-tjetrën sa gjyqësori dhe politika kosovare mes vete. Është shpesh politikë që nuk beson në sundimin e ligjit, dhe është një gjyqësor që e ndihmon pikërisht këtë gjendje.