Shfaqja për jetën e Sllobodan Millosheviqit | Foto: AP/Beta/Visar Kryeziu

Kur një Përbindësh Bëhet Shakaxhi

Duke pasur parasysh se Sllobodan Millosheviqi e fitoi ofiqin e ‘Kasapit të Ballkanit’ dhe u akuzua për krime lufte në Hagë, dikush me të drejtë mund ta vrasë mendjen nëse një shfaqje për të lidhet me krijimin e një përbindëshi, ose është mbase një orvatje për t’ia shlyer fajet dhe për t’ia përligjur veprat si rrethana të fatit.

Në të vërtetë, “Lift: The Slobodan Show (Ngritje: Shfaqja e Sllobodanit)”, shfaqje në gjuhën serbe për ish-presidentin e Jugosllavisë, gruan e tij dhe fëmijët e tyre nuk e bën asnjërën nga këto. Në fakt, shfaqja e vesh përbindëshin në petk të klounit, por siç duket pa ndonjë qëllim përtej faktit që një gjë e tillë mund të bëhet tani pasi që Millosheviqi nuk ka pushtet dhe ka kohë që ka vdekur. Por, ai vetëm i ishte nënshtruar përqeshjes në vitet 1996-97 kur protestuesit që e kundërshtonin Millosheviqin dhe klikën e lajkatarëve të tij të pushtetit talleshin me ta në shfaqje satirike.

“Lift: The Slobodan Show,” e shkruar nga Jelena Bogovaci me regji të Nenad Todoroviqit fillon si shfaqje muzikore që rrëfen momentet e rëndësishme të jetës së Sllobodanit dhe gruas së tij Mirës. Kjo u bë në formë talljeje duke i imituar këngët e vjetra komuniste që i lavdëronin sukseset e mëparshme të liderëve, duke lënë të kuptohet se e ardhmja e tyre do të duhej të jetë e suksesshme që nga fëmijëria. Këto vargje, sikur të ishin nga CV-të e tyre, këndohen prej aktorësh në tutat e mirënjohura të viteve të 90-ta me ngjyrë të gjelbër, vjollcë, të artë të shndritshme e nuanca tjera neoni që simbolizonin atë kohë. Këngët ndërrohen, ndonjëherë papritshëm, prej tekno-dens te turbo-folku.

Ky format i copëzave biografike nga jetët e Sllobës dhe Mirës ruhet gjatë shfaqjes. Por, rrallëherë shkon përtej tij. Kurrë nuk është e qartë se për çfarë në të vërtetë është shfaqja. Fokusi zhvendoset aq shpesh që se pari mendon se është Sllobën, pastaj për Mirën, pastaj për jetën familjare e dashurore dhe kur më në fund pret që do të flitet për tiraninë, kërdinë, nënshtrimin dhe krimet e luftës, shfaqja mezi ua lëshon një vështrim, e në vend të saj përqendrohet te skenat e rëndomta të jetës në gjykatë (të diktatorit): sesi Markoja, princi i mamit e babit, organizon festa të droguara, apo sesi Maria e llastuar ndizet për cikërrima.

Ajo që s’përmendet asnjëherë është vuajtja që Millosheviqi ua ka shkaktuar njerëzve dhe vendeve tjera. Bosnja, Kroacia apo situata e sotme e shqiptarëve në Kosovë mezi që përmendet. Pa to, audienca nuk mund ta shohë anën e errët të Millosheviqit, pa të cilën personazhi bëhet karikaturë.

Dikush do të mendonte se shfaqja do të merrte më shumë kohë për t’i trajtuar ngjarjet e rëndësishme që i hapën udhë dhe e formësuan përbindëshin. Ndodhitë sikur fjalimi i vitit 1987 — me fjalët e famshme se “Askush nuk do të guxojë t’ju rrahë më”, me të cilat, mund të pretendohet, ai paraqiti serbët si viktima dhe i dha vetes një casus belli ngjashëm me propagandën e Hitlerit që e falsifikoi përndjekjen e gjermanëve për ta përligjur pushtimin e Polonisë në vitin 1939 — mezi u hidhet një vështrim për diku 30 sekonda.

Çfarë na shërbehet është një ngjarje për nënën e Mirës, Verën — sikur për të na kallëzuar më shumë për personazhin e Mirës — e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte partizane që luftoi në pyje, u kap nga Gestapoja, u torturua dhe në fund u vra. Por, se si një skenë përshtatet me shfaqjen si tërësi është pak e paqartë, përveç nëse një tru i çmendur e bën një lidhje të paqenë mes Gestapos dhe shtypjes së shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.

Mirën nuk do ta gjesh as në një personazh si Zonja Makbeth, as në një imitim të House of Cards si pjesë e çiftit të pushtetit të serbëve, pavarësisht rolit të saj të pamohueshëm në krah të Millosheviqit, si dhe në partinë e saj politike, JUL, e cila gjithmonë ishte në koalicion me SPS-në.

Çfarë do të shohësh është një sërë skenash ku ajo rikujton shtëpitë që i kanë ndërruar ndër vite. Shtëpitë u bënë vazhdimisht më të mëdha, e cila mund t’i nënkuptojë dëshirat e vazhdueshme politike të ‘çiftit të pushtetit’ apo oreksin territorial të Serbisë. Në një ndër skenat e fundit, pasi Millosheviqi ekstradohet në Hagë, shtëpia paraqitet si e zbrazët dhe e braktisur.

Dikur gjatë shfaqjes, në vend se të fokusohej te Slloba si përbindësh, vëmendja zhvendoset te djallëzimi i NATO-s për bombardimin e Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë, duke e anashkaluar tërësisht arsyen pse është bërë një gjë e tillë. Shtypi i huaj paraqitet si propagandë, kinse vrasjet e shqiptarëve, spastrimi etnik dhe përzënia e njerëzve drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë ishin rrena, sikur Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) ishte burimi i vetëm i lajmeve “të vërteta”.

Sigurisht, këto skena e zhvendosin tërë fajin nga sëmundja te simptomat, në vend se ta quajnë Millosheviqin përgjegjës për gjendjen. Ato vetëm i japin jetë teorive konspirative, ndjenjën e viktimizimit, dhe padrejtësinë ndaj serbëve dhe, në fakt, devijojnë vëmendjen nga rrënja e problemit — se ishte Millosheviqi me veprat e tij që e pruri gjithë atë vuajtje në Serbi. Është disi sikur gjërat janë të pandashme: nëse e urren Sllobën, duhet të jesh pro bombardimit, e s’mund ti ndash. Në fakt, ajo është madhështia e aparatit të propagandës së Sllobës dhe suksesi i tij që shihet në atë se sa thellë ka depërtuar në psikën e njerëzve dhe si shpirti i saj vegon mbi ta shumë kohë pas vdekjes së tij.

Shfaqja sigurisht s’është versioni serb i Hamilton-it. Vuan nga mungesa e fokusit dhe zhgënjen për shkak të paragjykimeve të brendshme. Ndihet se shfaqja druan të gjurmojë anën e përbindshme të Millosheviqit. Përkundrazi, del si diçka sajuar nga një student i Joseph Goebbels-it, i cili ndoshta u pendua, por është shumë i papajtuar apo i hutuar brenda vetes që të ecë përpara, i trazuar nga shpirti i Sllobës dhe djajtë që i ka lënë prapa.

Shfaqja mbyllet me dëshmi të historive të vërteta nga aktorët, kryesisht lidhur me ngjarjet e bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999. Janë emocionale, por duken pa lidhje, sepse nuk e shohim Sllobën si antagonist, por si mbret që luan rolin e shakaxhiut. Pa u përballur me të ligat, krimet, padrejtësistë, tiraninë dhe të gjitha prapësitë e Millosheviqit, nuk ka asgjë që e lidh atë dhe i baraspeshon historitë e vërteta të paraqitura nga aktorët në fund të shfaqjes — përveç pjesëzave komike që në fund të fundit e bëjnë Sllobën të mos duket edhe aq burrë i keq.

Në njërën nga dëshmitë, njëri nga aktorët i cili ishte shumë i ri për ta kujtuar regjimin e Millosheviqit përshkruan skena të gjalla nga fëmijëria e tij dhe pastaj thotë “Nuk e kam njohur atë. Nuk e kam parë gjykimin e tij në Hagë në televizor. Kam qenë shumë i ri dhe s’e kam çarë kokën. Nuk e kam kuptuar përse ka pasur aq shumë bujë për diçka aq të mërzitshme si një gjykim”. Ai i përket një gjenerate pas Sllobës që aktron në një shfaqje për Sllobën. Dhe njerëzit sikur ai kanë nevojë që në shfaqje ta bëjnë atë që e bëjnë më së miri. Është me rëndësi që figura e Millosheviqit të mos fasadohet, të mos keqinterpretohet si kloun i thjeshtë, por si djalli që ishte. Përndryshe, njerëzit sërish do të përfshihen brenda vorbullës së mitologjisë, lavdisë dhe nacionalizmit, e cila, siç kemi parë në Ballkan, gjithmonë çon drejt vuajtjes, mjerimit, luftërave dhe vdekjes.

Sikundër teatri ishte tejet i rëndësishëm në Greqinë e Lashtë, njëjtë duhet të shërbejë edhe në Ballkan. Nëse dikush iu druhet, ose qëllimisht vendos t’i mënjanojë gjërat e shëmtuara, atëherë, të dashur miq, ajo bëhet propagandë. Dhe në kemi parë, në jetë dhe në skenat e shfaqjes, sesa i shkathët ishte Slloba për t’i fryrë “politikat zyrtare partiake” për qëllimet e tij diktatoriale. Duhet të sigurohemi që brezat e rinj të mos gënjehen nga rrenat dhe dredhitë e njëjta.

Lift: Slobodan Show pati premierën më 6 mars në Qendrën Kulturore në Graçanicë. Ajo do të shfaqet në Beograd më 18 mars në Teatrin Kombëtar.