Kur Filluam të Shikojmë Kush Çfarë Është...

E veshur me shijen e një zonje që vazhdon të luajë në teatër, me pallto, shall e kapele krem, me pak vonesë, Branka Petriq-Fehmiu vjen në “Zvezdara Teatar”.

Është teatër i vogël por me prestigj. Branka ka luajtur aty shpesh ndërsa herën e fundit, në një shfaqje të dhënë vitin e kaluar. Ende luan, por tani është në moshë, 74 vjeçe — aq sa jetoi Bekim Fehmiu — dhe prandaj i ka reduktuar paraqitjet.

Me vete ka marrë kapelën e aktorit në rolin kryesor te “Skupljači Perja” i njohur në shqip si “Mbledhësi i puplave” dhe një revistë të kohës që mban titullin “Përgjithmonë” në ballinë me foton e Bekim Fehmiut.

Është ai roli i hokatarit cigan që tregon për jetën e këtij komuniteti – alkoolin, dhunën, këngën e dashurinë – dhe që ofron atë pamjen e tij të paharrueshme, të delirit, kur hedh puplat e mbledhura nga kamioni…Thonë se edhe në një ndejë krejt të zakonshme, shumë vjet më vonë, në Prishtinë, e pati thyer gotën njëjtë si në film me të dëgjuar këngën “Xhelem, xhelem…”.

foto  
Kapela nga “Mbledhësi i puplave”  

 

“Ky film ia hapi rrugët në botë”, thotë Branka, duke shpjeguar përzgjedhjen që kishte bërë. Kapela është e nënshkruar prej aktorëve tjerë që kishin luajtur në film, më 1967. Filmi kishte marrë disa çmime në festivalin Cannes.

“Kur u kthye nga Cannes e patën pritur si hero”, kujton Branka. “Tërë Jugosllavia ishte gëzuar për suksesin e filmit”.

Atëherë, Bekim Fehmiu ishte 31 vjeç. Por sado e madhe fama që po i vinte me shpejtësi, ai u martua me Brankën, vetëm një vit më vonë, dhe e njihte që para se të shkonte ushtar.

Ofertat për politikë:

Shumë gjëra janë treguar për Bekim Fehmiun, por asnjë njeri nuk e ka njohur atë më mirë se ajo.

Në librin e dytë “Shkëlqimi dhe Trishtimi”, që është vazhdim i auto-biografisë së botuar në tetor të këtij viti, Bekim Fehmiu përmend se ka pasur oferta nga parti politike për t’iu bashkangjitur atyre.

A dinit ju, Branka, për ç’parti bëhet fjalë?

“Nuk e di”, thotë ajo. Të jepet përshtypja se ndoshta edhe po ta dinte nuk do të kish treguar. Sepse ajo prezanton një foto tjetër për Bekimin.

“Nuk donte (v.j. të hynte në politikë). Donte të ishte tërësisht i lirë”, thotë ajo.  “Nuk dëshironte t’i përkiste askujt”.

Me të njëjtin shpjegim ajo përgjigjet edhe për arsyet se përse Fehmiu, i cili aktroi në shumë gjuhë e vende, nuk luajti kurrë ndonjë rol në shqip. 

“Nuk duhet shikuar këtë si përbuzje. Nuk ka pasur rast”, thotë Branka. “Absolutisht se ai është shqiptar. Por po harroni se ne kemi qenë në Jugosllavi. Ai u ka takuar të gjithëve”.

“Kur filluam të shikojmë se kush çfarë është, ndodhi çfarë ndodhi”, reflekton Branka, për zhvillimet dezintegruese në Jugosllavi që pasuan duke filluar më 1989.

foto  
Branka Petriq-Fehmiu  

 

Madje, thotë Branka, Fehmiu e ka ruajtur me xhelozi emrin dhe identitetin e vetë shqiptar.

“Shumë herë kanë dashur t’ia ndërrojnë emrin”, kujton Branka, duke përmendur rastin kur producenti italian Dino Laurentiis i kishte thënë se duhet ta ndryshojë emrin, që t’i vendoset shkronja ‘R’, sikurse te Marlon Brando, Merlin Monro e shumë aktorë të njohur të asaj kohe, “sepse në Hollywood kështu funksionon…”. 

“Tri herë i kanë thënë, por nuk ka pranuar”, tregon ajo për rrethanat e angazhimit në filmin “Avanturisti”. “Xhirimet janë ndërprerë dhe Bekimi u ka thënë se nuk ndryshon emrin, e nëse nuk duan, le ta ndërrojnë aktorin. Në fund ata lëshuan pe”.

Aktori gjithmonë jep nga shpirti i tij. E vjen një ditë kur pret që edhe të tjerët t’i japin vendin e merituar. Branka shpreson se kjo ka ndodhur me Fehmiun dhe shton se ai ka arritur gjithçka në jetën e tij. “Por ai thoshte se duhet kërkuar shumë nga vetja, e nga shoqëria, rrethi e shteti mos kërko asgjë”.

Tango:

Aktrimi ishte profesioni i Bekim Fehmiut, por kërcimi tango, thotë Branka, ishte pasioni i tij.

“Kërcente shumë bukur tango”, tregon ajo. “Më bëhet se shqiptarët dinë në përgjithësi të vallëzojnë mirë”.

Ajo tregon se aktori madje kishte edhe oferta që të shkonte në një shkollë vallëzimi në Argjentinë dhe që ta linte aktrimin.

“Më ka mësuar edhe mua”, thotë Branka. “Pastaj sukseset dhe gëzimet i kemi festuar duke vallëzuar së bashku”.

foto  
Ky njeri dinte të ta mësonte tangon  

 

Përveç marrëdhënies së tij si aktor me publikun, ai ishte edhe një burrë që e bënte gruan të ndihej mirë.

“Kishim një jetë normale”, thotë ajo. “Por nuk ka fjalë që e përshkruan saktësisht jetën pas tij. E as nuk dua t’i gjej ato fjalë”.

Ka vetëm një gjë të cilën ajo do të donte ta bënte në të gjallë të burrit. “Ndoshta sikur të isha më e vendosur e të udhëtoja më shumë me të”.

Anija:

Branka Petriq-Fehmiu rrudhë fytyrën kur reflekton për ato familje që thonë se gjithçka në jetën e tyre është vetëm “mirë, mirë, mirë”.

“Jeta jonë ishte si anija e cila lundron me velë dhe nganjëherë duhet t’i japësh me lopata”, thotë ajo.

“Ndonjëherë ajo dukej sikur do të fundosej, por ne gjithmonë kemi arritur ta çojmë deri në port – e aty ajo rregullohet që të lundrojë sërish në jetën e bukur”.

Në këtë anije, ishte edhe një spirancë. “Ajo ishte dashuria që Bekimi kishte”.

foto  
Familja e re Fehmiu  

 

Ky është përshkrimi i saj për aktorin i cili në filmin “Avanturisti”, në anglisht, në një skenë i thotë babait të tij “gëzuar për patriotizmin” e ky i fundit ia kthen “për vashat e kuajt”. Si i biri, si babai. Më vonë, në stilin e një maçoje, ai paraqitet në shtrat duke vendosur telefonin mbi prapanicën e një femre të bukur dhe duke shikuar në dorën e saj për të parë se sa ishte bërë ora.

“Më kanë lodhur duke më pyetur se e kam qenë xheloze ndaj Bekimit…”, thotë ajo, duke u çuditur me këso pyetjesh. Jeta, në vështrimin e saj, nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht lineare.

Por për të dëshmuar dashurinë që Bekimi kishte për të, Branka thotë se shumë burra u thonë grave ta ndryshojnë mbiemrin kur të martohen. “Ai më pati thënë ‘bëj çka të duash…ke luajtur qe tetë vjet në teatër me emrin e vajzërisë’”, kujton Branka, e cila në dokumente mban mbiemrin Petriq-Fehmiu.

Nëna:

Bekim Fehmiu ka dashur shumë të krijojë një karrierë ndërkombëtare, thotë gruaja e tij, por po ashtu ka punuar për rehatinë e nënës.

“Shkonte te ajo kurdo që i jepej mundësia”, thotë Branka. “Është ngutur t’ia ndërtojë edhe shtëpinë”.

“Më vjen keq që vetëm nuk kam arritur të mësoj shqip…sa herë shkoja, të gjithë flisnin serbisht”.

Tani Branka Petriq-Fehmiu jeton vetë me djalin e vogël, Hedonin. I madhi, Uliksi, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

foto  
Bekim Fehmiu me djemtë Hedonin dhe Uliksin  

 

“Jam e bekuar që kam dy fëmijë”, thotë Branka për Gazetën Jeta në Kosovë. “Bekimi donte dymbëdhjetë, por i thash se duhet të jemi të lumtur me dy. Ndoshta më vjen keq që nuk patëm tre fëmijë”.

“Mahnitem se si ka mundur që nëna e tij të jetë komandant i mirë e tu dhurojë dashuri tetë fëmijëve që kishte!”, thotë ajo

Shkoi i vendosur edhe në vdekje:

Në korrik 2010, Bekim Fehmiu i dha fund jetës duke u vetëvrarë me revole. Sipas amanetit të tij, hiri i qe hedhur në lumë në Prizren.

“I dha fund jetës ashtu sikur që jetoi”, thotë Branka. “Ishte i vendosur e kurrë me dy mendje”.

Kështu, thotë ajo, kishte vepruar edhe në momentin kur vendosi të mos aktrojë më në teatër. Në vitin 1987, braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” në Beograd. Dhe nga ai moment nuk doli kurrë më në skenën e teatrit.

“Folëm më parë për anijen. E hodhi spirancën dhe kaq. Mbaroi”, thotë Branka.

Në librin “Shkëlqimi dhe Trishtimi”, Fehmiu elaboron braktisjen e skenës, tregon Branka. 

“Shkruan se në vitet e 80-ta po fillon një propagandë e madhe anti-shqiptare. Atëherë e braktisi skenën kurse në vitet 90-ta edhe karrierën ndërkombëtare në film”.

Në këtë kohë, Branka dhe ai i kishin larguar fëmijët e tyre nga Serbia për t’iu shmangur shërbimit ushtarak dhe luftërave që kishin shpërthyer në ish-Jugosllavi.

“Ka pasur besim të madh në njeriun si njëri, e për një moment, filloi t’i rrënohet ai besim”, kujton Branka.

“Thoshte se fjala për aktorin është gjithçka”. Por i ndodhur në pozitë kur nuk mund të ndryshonte asgjë dhe i bindur se nuk do ta dëgjonte askush, Fehmiu zgjodhi heshtjen.

“Vetëm kur shkoi nga kjo botë, njerëzit e kuptuan domethënien e heshtjes së tij”.

foto  
Me mbesën, Nika  

 

Branka thotë se e ruan një letër të shkruar nga aktori në vitin 1982, kohën kur ai kishte shkuar ta vizitojë familjen në Prishtinë.

“Ai parashikon se do të ketë gjakderdhje dhe se do të ndodhë diçka e tmerrshme”.

Kjo letër nuk është përfshirë në librin e botuar javë më parë me kujtimet e Bekim Fehmiut. “Nuk e publikuam sepse gjatë leximit të librit, mund të gjesh gjëra të përafërta me letrën”.

Branka thotë se Bekim Fehmiu e donte “jashtëzakonisht shumë” popullin e tij shqiptar. Thotë se ka lënë shumë gjëra prapa, të cilat do të donte t’ia dhuronte Prizrenit nëse në këtë të fundit merret ndonjë nismë përkatëse.

“Kur jam duke përzgjedhur fotografi për ekspozitë apo librin, them me vehte ‘..ah more Fehmi sa në telashe me kë lënë, më ndihmo, çfarë të bëj’”, shprehet ajo.