Foto ilustruese: Pixabay

Kundërshtohet 'Fshehja' e Parave të Thata të Zyrtarëve Publikë

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, ka thënë për KALLXO.com se në bazë të vlerësimit të zbatimit të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë në 4 deri 5 vitet e fundit, kanë analizuar dhe shqyrtuar të metat dhe përparësitë e Ligjit.

Nga ky vlerësim pritet të ngritet çështja e shqetësimeve të zyrtarëve të lartë që të mbyllet deklarimi i parave të gatshme për publikun.

Por, kjo deklaratë është kundërshtuar fuqishëm nga organizatat joqeveritare.

Sipas tyre, ky propozim nuk do të duhej të bëhej nga ana e AKK-së, pasi që këto të dhëna i shërbejnë publikut për të kontrolluar pasurimin pa bazë të zyrtarëve publikë.

Sipas Havollit, kjo çështje do të adresohet në grupin punues, i cili po merret me draftimin e Ligjit të ri, e pastaj grupi vendos se a do të futet apo të hiqet kjo pikë nga Ligji.

“Për momentin rreth 70 për qind e punës së draftit është kryer, në kuadër Ministrisë së Drejtësisë, po ashtu ky ligj është në kuadër të pakos kundër korrupsion”, tha Havolli.

Çështjen të cilën e ka ngritur Havolli në Komisionin për Buxhet dhe Financa, të mërkurën gjatë prezantimit të raportit vjetor financiar për vitin 2017, ishte çështja e shqetësimeve të zyrtarëve të lartë që kërkojnë të largohet nga publikimi online çështja e parave të gatshme.

Sipas Havollit, zyrtarët e akuzojnë AKK-në për rrezikimin e tyre nga publikimi i këtyre të dhënave, prandaj ky shqetësim do t’i adresohet edhe grupit punues i cili është duke punuar në draftimin e Ligjit të ri.

“Ka shqetësime që thonë se duhet me mbyllë deklarimin e pasurisë, mos me u publiku online hiç për shkak që thonë se po na rrezikohet jeta. Po thonë si t’m’i shohin paret ‘cash’, vjen vëllai, motra, miqësia dhe i kërkojnë. Për shkak të juve thonë se po pësojmë na. Në një farë forme po na akuzojnë neve”, u shpreh Havolli për KALLXO.com.

Havolli tha se “të gjitha këto shqetësime i paraqesim para grupit punues dhe themi se gjatë zbatimit të ligjit i kemi pasur këto shqetësime nga ana e zyrtarëve të lartë dhe i paraqesim si probleme”.

Grupi punues, sipas tij, përbëhet nga rreth 20 persona që i japin mendimet e veta secili. Ai tha se ka ekspertë ndërkombëtarë, vendorë, UNDP, Këshilli i Europës, Zyra e BE-së, ekspertë të ndryshëm dhe më vonë do të dalë në diskutim publik te shoqëria civile dhe mediat.

“Kjo është në fazën e ideve dhe problemeve që janë hasur gjatë zbatimit.  Ende nuk është vendos as ashtu as kështu. Ligji është në plotësim dhe ndryshim nuk ka ende version final”, tha Havolli, duke shtuar se Agjencia që ai e drejton me çdo kusht tenton që kjo pikë e Ligjit të mbetet si është por, sipas tij, Ligji bëhet për shkak të zbatueshmerisë dhe problemeve që dalin në terren.

Por, sipas organizatave joqeveritare që monitorojnë korrupsionin e mundshëm të institucioneve dhe zyrtarëve publikë, ky propozim nuk do të duhej të bëhej nga ana e AKK-së, pasi që këto të dhëna i shërbejnë publikut për të kontrolluar pasurimin pa bazë të zyrtarëve publikë.

Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI, tha për KALLXO.com se deklarime të tilla sidomos nga AKK janë në kundërshtim me gjithë aktivitetin e tyre e që është deklarimi i pasurisë.

Sipas tij nuk ka kuptim të kërkohet mbyllja e një pjese të pasurisë për zyrtarët e lartë me arsyetime të tilla.

“E para dhe e përgjithshmja që duhet ta kemi parasysh në çdo rast është se ata janë zyrtarë të lartë dhe paguhen me taksat e tona. Rrjedhimisht interesi i publikut është që ta dijë se si dhe sa kanë pasuri këta persona. Problemi i tyre me familje është shumë lehtë i zgjidhshëm edhe nuk duhet të jetë problem i joni si qytetarë të këtij vendi”, tha Spahija.

Gjithashtu, sipas tij, AKK duhet të kujdeset që kontrolli i deklarimeve të pasurisë të jetë më i rreptë dhe gjetjet të jenë sa më të mëdha e të dërgohen prova sa më të mira në prokurori kur ka raste të pasurimit të shpejtë e pa prejardhje.

E Isuf Zejna nga Democracy Plus, tha për KALLXO.com se kjo deklaratë është qesharake meqenëse ideja e deklarimit të pasurisë nuk bëhet vetëm për t’i shërbyer Agjencisë në hetime eventuale.

Sipas tij, nëse një zyrtar ka pranuar të marrë post publik atëherë ka pranuar të heq dorë nga një pjesë e privatësisë.

“Kjo më shumë i shërben publikut, organizatave që merren me monitorime të regjistrit të korrupsionit. Pra zyrtarët publikë që vendosin me marrë poste publike ata automatikisht pranojnë me heq dorë nga një pjesë e privatësisë së tyre. Në këtë rast është deklarimi i ‘cash’-it, deklarimi i pasurive dhe mendoj se nuk ka asnjë arsye që kjo mu ndërru me ligj apo praktika të zbatimit të saj”, tha Zejna.

Zejna shtoi se nëse zyrtarët publikë nuk duan që pasuria e tyre të jetë e publikuar atëherë ata duhet të heqin dorë nga postet publike. Por, sipas tij, nuk duhet që sektori publik të heqë dorë prej transparencës për shkak të zyrtarëve.

“Interesi publik çdoherë duhet me tejkalu atë individual të disa zyrtarëve. Interesi jonë si publik, votues, organizata, është shumë më i madh me ditë se sa para kanë zyrtarët publikë sesa interesi i tyre që mos t’ju tregojnë familjarëve të tyre për shkak se rrezikohen nga kërkesat për borxhe ose diçka e tillë”, shtoi Zejna.

Sipas tij, AKK ka nevojë të zgjerohet me disa zyrtarë të tjerë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

“Kjo duhet të bëhet nga një analizë e rrezikut si për shembull zyrtarët e prokurimit në të gjitha institucionet publike duhet të përfshihen dhe ne duhet ta dimë se nëse eventualisht po pasurohen pa bazë këta zyrtarë. Tjetra duhet të bëhet edhe një platformë elektronike e deklarimit të pasurisë e cila nuk do t’i lejonte zyrtarët publik të bënin tejkalime në ofrimin e të dhënave”, shtoi ai.

Ndërkaq, edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion ka thënë se nga ky Ligj do të rregullohet çështja rreth deklarimit të pasurisë si dhe se planifikohet të hiqen disa zyrtarë që më pak janë të ekspozuar ndaj rriskut ndaj korrupsionit dhe të futen edhe zyrtarë të tjerë për të cilët vlerësohet se janë të ekspozuar ndaj korrupsionit.

“Ajo që e diskutova në komision është një prej pikave të mundshme. Ato janë diskutime, grupi punues e vendos a do të futet a do të hiqet. Ka probleme sa i përket çështjes së parave të gatshme”, theksoi Shaip Havolli.