Kundër Dialogut Politik

Krasniqi tha të martën se Kosova nuk ka nevojë të nisë dialog politik me Serbinë sepse ky dialog ka përfunduar në vitin 2007, vit i cili përfundoi me mospajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth statusit të Kosovës, e ndërmjetësuar nga ish i dërguari i posaçëm i OKB’së, Martti Ahtisaari.

Krasniqi tha se së pari duhet të ndryshojë rezoluta e nxjerrur nga Kuvendi i Kosovës para bisedimeve teknike e cila ka shenjuar ‘vijat e kuqe’ te bisedimeve teknike të filluara në mars të këtij viti. 

Ai tha se kjo rezolutë ka të bëjë më shumë për temat për të cilat nuk mund të bisedohet me Serbinë.

Në atë kohë, rezoluta e miratuar në kuvendin e Kosovës për bisedimet teknike, ndër të tjera theksonte se nuk do të bisedohet për sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm.

“Prandaj duhet të ndryshohet kjo rezolutë në Kuvend, për të nxjerrë një rezolutë tjetër për të miratuar vazhdimin e bisedimeve politike, por nuk besoj që do të ndodhë një gjë e tillë”, Krasniqi i tha gazetarëve.

Ai shtoj se bisedimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar në vitin 2007 dhe se nuk i sheh të arsyeshme fillimin e tyre.

“Unë jam i bindur që bisedimet politike janë përmbyllur në Vjenë në vitin 2007 dhe në vitin 2008 është shpallur pavarësia e Kosovës dhe në këtë rrafsh unë nuk shoh arsye për t’u zhvilluar bisedime politike”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Reagimet e Krasniqit vijnë pas deklarimeve të kryeministrit Thaçi dhe zyres së presidentes Atifete Jahjaga janë shprehur në favor të këtyre bisedimeve.

Në një intervistë për Zëri i Amerikës, kryeministri Thaçi tha se takimet e niveleve të larta politike do të sillnin respektin dhe njohjen për njëri tjetrin.

“Në çdo moment, institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme të takohen me bartësit e institucioneve të Serbisë, në mënyrë që t’i zgjidhim këto dallime të mëdha që i kemi si dy shtete të pavarura dhe sovrane,” citohet të ketë thënë Kryeministri Hashim Thaçi.