Kuçi (2008): E Kuptuam Nga Televizioni

Më 4 dhjetor 2008, në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, fjalën e kishte marrë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. 

Ai fliste për hetimet policore të muajit tetor 2008 në ish-klinikën private Medicus ku tash para dy javësh gjykata vërtetoi se në periudhën 2006-2008 bëheshin transplantime ilegale të veshkave. 

“E them me përgjegjësi të plotë në emër të Qeverisë, edhe me konsultim me Kryeministrin, se spektaklet që kanë ndodhur në sistemin shëndetësor, nuk e kanë mbështetjen e qeverisë”, thoshte Kuçi, në fjalimin e tij që ekziston në transkriptin zyrtar të seancës në faqen e Parlamentit në internet. 

“Unë jam i pakënaqur dhe ne jemi duke bërë hetime si ka ndodhur që kamerat të presin me orë deri sa të bëhet një spektakël i tillë”, vazhdonte Kuçi. “Hetimet do të shkojnë nga organet kompetente, po edhe masat do të jenë politike dhe disiplinore nga ne”.

“Unë po them se tash e tutje do të jemi të kujdesshëm”, shtonte ai. “Unë personalisht kam ftuar edhe ministrin e Shëndetësisë edhe ministrin e Punëve të Brendshme dhe kam kërkuar nga të dytë që veprimet e tilla spektakolare duhet të jenë paraprakisht të njohura. Kamerat ka ku të dërgohen”.

 

“Unë po them se tash e tutje do të jemi të kujdesshëm. Hajredin Kuçi

 

Zëdhënësi i atëhershëm i policisë së Kosovës, Veton Elshani, ishte transferuar pastaj nga pozita e tij në një tjetër përderisa njëri nga prokurorët vendorë që kishte punuar në rast pati dhënë dorëheqje disa muaj më vonë. Policia dhe Elshani asnjëherë nuk ka thënë zyrtarisht se lëvizja ndërlidhej me operacionin në Medcius. Prokurori Feti Tunuzliu pati thënë në atë kohë se ishte dorëhequr për arsye personale. Ai ishte kthyer më vonë në këtë detyrë, mirëpo nuk ishte marrë me rastin Medicus. 

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka pranuar të flasë për Gazetën Jeta në Kosovë kur është kontaktuar  për t’u pyetur se ç’hetime ishin zhvilluar e ç’masa ishin marrë, sipas paralajmërimeve të tij në fjalimin për Medicusin.  

Në këtë fjalim Kuçi thoshte atëherë se veprimet e tilla të policisë “duhet të jenë paraprakisht të njohura”, mirëpo në një intervistë për gazetën javën e kaluar prokurori i EULEX-it thoshte se ai nuk ka pasur asnjë lloji presioni politik.

Ratel, megjithatë, ka treguar se bastisja e klinikës Medicus ishte bërë pa urdhër të gjyqtarit paraprak dhe kështu më vonë në gjykatë ishte ngritur çështja e pranueshmërisë së provave për shkak se për bastisje të tilla kërkohet një urdhër i gjykatës. “Mendoj se i tërë hetimi paraprak ishte dëmtuar nga mënyra se si ishte kryer”, thoshte Ratel.

Asnjë gjykatës dhe as policia e Kosovës nuk e kanë sqaruar ndonjëherë se përse kjo leje nuk ishte lëshuar. 

Kuçi, në fjalimin e tij, atëherë thoshte se si profesor dhe koleg nuk e kishte ndjerë vetën mirë me operacionin e policisë.  

“Në Kosovë ndodh trafikimi i drogës, nuk ka spektakle”, thoshte Kuçi. “Ka spektakle për mjekët dhe kjo logjikë ka ndikuar negativisht…Ato i përngjajnë më shumë burgosjes së ndonjë banditi”.

“Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat kanë kuptuar nga televizioni çfarë po ndodh”, vazhdonte Kuçi. “Nëse ndodh edhe një spektakël i tillë, dikush do të shkojë nga qeveria dhe do të shkojë nga policia”.

Sipas tij, mjekët nuk guxojnë që të jenë objekte të tilla. 

“Nëse ka veprime ilegale, janë masat se si duhet të merret, por duke ruajtur dinjitetin gjithmonë të mjekut dhe të intelektualit”, thoshte Kuçi. “Nuk jemi ne kundër mjekëve, nuk jemi ne kundër mjekësisë private. Me ligj garantohen mjekësia private dhe publike…Njerëzit në ordinanca private janë frikësuar të shkojnë”. 

“Nuk është kjo qeveri, nuk është kjo polici, nuk është ky shtet që duhet t’i ndjekë mjekët…”, thoshte ai. “Unë po e them vetëm një fjali si jurist. Unë e di që në një ordinancë mund të ketë pasur veprime ilegale dhe nuk e mbroj atë, s’e mbron as Qeveria. Por, unë e di që në ato spektakle dëmi jomaterial nuk kompensohet”. 

 

“Në Kosovë ndodh trafikimi i drogës, nuk ka spektakle. Hajredin Kuçi

 

Më 29 prill Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me 20 vjet e tre muaj burg pesë persona, në krye me Lutfi e Arben Dervishin, pronarin e ish-klinikës dhe të birin, për krim të organizuar, lëndim të rëndë trupor dhe trafikim me njerëz.

Kuçi atëherë thoshte se Ministri i Shëndetësisë e ka mbështetjen e plotë për ta ndryshuar gjendjen në shëndetësi dhe se ajo ishte prioritet mbi prioritete. “Do të jetë i kyçur direkt edhe Kryeministri…”, thoshte ai. (Fjalimi i plotë) 

Mirëpo, kjo gazetë ka raportuar se tek deri në fund të këtij viti Ministria e Shëndetësisë pret që të hyjë në fuqi ligji që lejon transplantimin e veshkave. Kjo do të thotë ligji mund të hyjë në fuqi pjesë vjet që nga fjalimi i Kuçit.

Autoritetet shëndetësore thonë se ka mbi 680 persona me dializë, shumica prej të cilëve kandidatë potencialë për transplantime veshkash. 

EULEX-i ka sugjeruar që klinikat private të mos kenë të drejtë transplantimi me këtë projektligj që ndalon shitblerjen e organeve. Sugjerimi ndërlidhet me praktikën e Medicusit. Trafikimi me organe po ashtu ka hyrë për herë të parë si vepër penale edhe në kodin e ri penal këtë vit. 

Po ashtu disa nga premtimet e qeverisë për reformë, si nëpërmjet ligjit për sigurime shëndetësore, nuk janë zbatuar dhe raportet flasin për zbritje të kënaqshmërisë me shërbimet shëndetësore. 

Në anën tjetër, fillim të vitit 2012, ish-sekretari permanent Ilir Tolaj gjithashtu ishte arrestuar. Tolaj para gjykatës po përgjigjet këtë vit për tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose  autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit. Kjo gazeta gjithashtu ka raportuar për një numër rastesh të keqpërdorimit të listave esenciale dhe për kontroll të dobët të tregut të barnave. 

Këshilltari Muja dhe ministri Gashi nuk flasin

Derisa Kuçi më 2008 premtonte se Kryeministri dhe Qeveria do të angazhoheshin për përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë, ish-këshilltari për shëndetësi i shefit të ekzekutivit mund të jetë subjekt i hetimeve për rastin Medicus (temën e fjalimit të zëvendëskryeministrit). 

Gazeta britanike The Independent dhe gazetat kosovare Koha Ditore, Tribuna dhe Bota Sot kanë raportuar se Muja është subjekt i hetimeve të prokurorit Jonathan Ratel. Ish-Ministri Alush Gashi gjithashtu përmendet. 

Prokuroi i tha këtë javë Gazetës Jeta në Kosovë se EULEX-i nuk flet në përgjithësi për hetimet. “Nuk mundem të konfirmoj ose mohoj që personat mund të jenë subjekt i hetimit”, tha Ratel. 

Ai ka konfirmuar se ka nisur hetim të ri për rastin Medicus e që përfshin tetë persona. 

“Personat dyshohen lidhur me aktivitete në Klinikën Medicus për krim të organizuar, trafikim personash, keqpërdorim detyre, dëmtime të rënda fizike si dhe shkelje tjera”, thotë Ratel.

Ish-Ministri Alush Gashi dhe deputeti Shaip Muja nuk kanë pranuar të intervistohen nga gazeta.

Hulumtimet e kësaj gazete, më parë ka shpërfaqur se Muja ka uzurpuar pronë publike dhe ka shmangur taksa, mes tjerash.  

Ish-ministri i Shëndetësisë Alush Gashi, i cili në vitin 2008 në Kuvend kishte deklaruar se për Medicusin kishte marrë vesh në media, në muajin dhjetor 2011 në gjykatore kishte pranuar se ishte takuar deputetin Shaip Muja për të diskutuar rreth një licence të mundshme për këtë klinikë.

“Ishim në një drekë pune dhe ndër të tjera ai (Shaipi) më pyeti se pse po i vonohej licenca Klinikës ‘Medicus’”, thoshte Gashi. “Licencat lëshoheshin nga bordi i licencave, kjo bëhej në pajtim me ligjin dhe urdhëresën administrative”.

Takimi ishte pranuar edhe nga vetë deputeti Muja. Ky i fundit, në dëshminë e tij të shkurtit 2012, e konfirmoi pyetjen që ia kishte bërë Gashit. “Ai (Gashi) mu përgjigj: ‘jemi duke punuar në këtë rast’”, thoshte Muja.

 

“Ishim në një drekë pune dhe ndër të tjera ai (Shaipi) më pyeti se pse po i vonohej licenca Klinikës ‘Medicus’. Alush Gashi

 

Përpos takimit me Gashin, Muja pati pranuar se ishte takuar edhe me doktorin turk Jusuf Sonmez i cili është i akuzuar nga prokuroria si njëri ndër mjekët kryesorë që kreu transplantet në këtë klinikë.

Me Sonmezin, thoshte Muja, ishte takuar një herë në dasmën e djalit të Lutfi Dervishit, Arban Dervishit. “Aty kishte shumë personalitete mjekësore dhe politike…është traditë që të takohen në mes vetë të gjithë dasmorët”, thoshte Muja. “Me Somnezin më takoi Lutfi Dervishi”.

Nëse do të ketë aktakuzë për Mujën dhe Gashin, kjo do të jetë hera e parë që politikanët akuzohen për rastin Medicus që në raportin e Dick Martyt, të dhjetorit të 2010-tës për Këshillin e Europës, ndërlidhej me rastin e “Shtëpisë së Verdhë”, në Brurrel-Shqipëri, ku Marty pohonte se mund të ishin kryer transplantime të viktimave serbe nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Por prokurori Ratel ka thënë se në vitet që ai e ka ndjekur rastin nuk ka gjetur këso ndërlidhje. 

Reportazhin e zgjeruar në lidhje me rastin Medicus mund ta shihni të dielën në RTK, nga ora 21, në emisionin Drejtësia në Kosovë.