Ku Mbetën të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2013 erdhi e shkoi pothuajse pa u vërejtur fare. Fushata elektorale e mbyti edhe atë pak zhurmë që Raporti i Progresit shkakton për nja tre a katër ditë. Por, është një kapitull i veçantë i Raportit të Progresit, që ndonëse çdo herë gjen vend të rëndësishëm në këtë dokument, gjithmonë heshtet fare. Është ky kapitulli për të drejtat e njeriut që përshkruan gjendjen e rëndë në këtë lëmi në Kosovë, por që asnjëherë nuk bie në sy të atyre që e komentojnë Raportin e Progresit. Këtë vit duket se e tërë vëmendja e klasës politike dhe mediave e madje edhe e shumë komentuesve të zhvillimeve u përqendrua në fushatën elektorale gjë që e vuri edhe më shumë në hije çfarëdo progresi të (mos)arritur drejt BE-së. Ndërsa kapitujt që edhe ashtu nuk bien shumë në sy, ky ambient i sivjetshëm i mbyti fare.

I tërë injorimi i këtij kapitulli na përkujton edhe një herë se sa e heshtur mbetet shoqëria kosovare ndaj çështjes së të drejtave të njeriut. E heshtur kur flet Raporti i Progresit. E heshtur  edhe në kohë fushate politike, kur premtimet jepen më lirë se në kohë tjera, por kur gati asnjë politikan, në asnjë garë politike, qoftë për zgjedhje komunale apo qoftë për ato të përgjithshme, nuk e zë në gojë çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe nevojën që të përparohet në këtë fushë. Por, e ç’është më e keqja, edhe vet shoqëria mbetet e heshtur edhe atëherë kur të drejtat dhe liritë e njeriut jo vetëm që nuk përparojnë por edhe shkelen.

Në Kosovë tema e të drejtave të njeriut deri tani në rastin më të shpeshtë keqkuptohet, ndonëse edhe kjo ka një arsye. Gjatë viteve të nëntëdhjeta, shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut ishin krejt të qarta pasi ishin aq të rënda dhe shkaktoheshin nga aparati shtetëror i Serbisë që në mënyrë sistematike abuzonte me kosovarët. Në atë kohë, shkelja e të drejtave të njeriut ishte e barabartë me maltretimet nga ana e aparatit shtetëror e që nga fundi eskaluan në dhunë të rëndë fizike, kidnapime e vrasje.

Pas luftës, kur edhe ndryshoi roli i viktimës, të drejtat dhe liritë e njeriut u barazuan me të drejtat e komuniteteve pakicë. Kësaj i kontribuoi edhe prezenca ndërkombëtare në Kosovës që pjesën më të madhe të vëmendjes, kur është fjala për të drejtat dhe liritë, e përqendroi tek komunitetet pakicë. Kjo u bë deri diku me të drejtë, por u bë në dëm të promovimit të të drejtave dhe lirive edhe për komunitetin shumicë dhe duke harruar se nuk mund të ketë përmirësim të gjendjes së të drejtave të njeriut për komunitetet pakicë nëse nuk ka të drejta të njeriut edhe për komunitetin shumicë. Por më i heshturi mbeti vet ky komuniteti shumicë, shoqëria shqiptare në Kosovë, që as sot nuk flet aq sa duhet për të drejtat dhe liritë që duhet të gëzojë çdo qytetar i Kosovës.

Në anën tjetër, nuk është se në Kosovë nuk janë shënuar fare përparime në fushën e të drejtave të njeriut. Është krijuar një kornizë ligjore e favorshme për përparimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut. Kushtetuta e Kosovës garanton që qytetarët e Kosovës do të gëzojnë të drejtat e garantuara me konventat më të rëndësishme ndërkombëtare. Janë krijuar edhe institucione që do të promovonin dhe do të mbronin të drejtat dhe liritë e njeriut, qoftë në kuadër të institucioneve shtetërore si komisione parlamentare dhe agjenci… apo ato të pavarura si Zyra e Ombudspersonit. Por, kjo infrastrukturë nuk mjafton dhe kërkon zhvillim të mëtutjeshëm. Për këtë lypset që edhe debati shoqëror në Kosovë të përqendrohet më tepër në çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, që do të nënkuptonte jo vetëm përparim të infrastrukturës ligjore e teknike për të mbrojtur të drejtat e njeriut por edhe ngritje të njohurive të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe të tjerëve por edhe gatishmërinë që të veprojnë që të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtat e veta dhe të të tjerëve.

Një platformë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të lirive të njeriut mund të bëhet lehtë platformë rreth së cilës mund të pajtohen partitë politike, si përpilues dhe ekzekutues të politikave për zhvillimin e Kosovës. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut është në thelb edhe të zhvillimit ekonomik, edhe të zhvillimit social apo edhe të sundimit të ligjit. Në këtë nuk duhet të ketë dallim mes partive. Por, të drejtat e njeriut duhet të gjejnë vend më tepër edhe në diskursin e akademisë, shoqërisë civile dhe agjencive tjera apo edhe të gjyqësorit.  Kushtet për një debat më intensiv janë krijuar por edhe më e madhe është nevoja për një debat të tillë. Prandaj, të drejtat dhe liritë e njeriut mos të harrohen por të promovohen si platforma më e mirë për të shpënë përpara shoqërinë kosovare.