Albin Kurti,një nga liderët e protestave të studentëve më 1997. Foto: Bujku

Ku Është Fryma e Vitit 1997? Protestat e Studentëve dhe Trashëgimia e Tyre e Shkatërruar

Protesta studentore e 1 tetorit 1997 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit të Kosovës. Përveç ndërtimit të trashëgimisë së lëvizjeve të mëparshme të studentëve dhe të protestave, në veçanti, ato në vitet 1986 dhe 1981, gjatë të cilave studentët vepruan politikisht për të sfiduar politikat shtetërore jugosllave/serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, protesta e vitit 1997 ishte gjithashtu e rëndësishme sepse ajo paralajmëroi një ndryshim në rrjedhën e luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Në të vërtetë, ajo shënon fillimin e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, strategjive të vetëpërmbajtjes dhe jo-provokimit (të cilave kundërshtarët shpesh u referoheshin si ‘rezistencë pasive’).

Për gati një dekadë, LDK dhe Rugova kishin dominuar skenën politike në Kosovë dhe kishin arritur të ndërtojnë një hegjemoni konceptuale dhe politike në Kosovë. Ata kishin ardhur për të dominuar pothuajse të gjithë sektorët e sistemit të ashtuquajtur ‘paralel’, duke përfshirë mediat, sistemin e kujdesit shëndetësor, sistemin arsimor dhe sistemin e taksave në Kosovë dhe në diasporë (të ashtuquajturin “fondi i tre përqindëshit”).

Në të vërtetë, protesta e studentëve u bë e mundur si rezultat i ndryshimeve në udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës dhe Bashkimit të Studentëve, UPSUP, ku për herë të parë kandidatët që nuk kishin lidhje me LDK-në fituan zgjedhjet. Nga fillimi, udhëheqja e re studentore, me njerëz si Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Albin Kurti, Milot Cakaj dhe të tjerë, e bënë të qartë se nuk pajtoheshin me filozofinë e pacifizmit, që qëndronte pas politikës dhe deklaratave të paraardhësve të tyre. Përkundrazi, sipas Driton Lajçit, ata ishin “të vendosur për t’i drejtuar energjitë e studentëve tek protestat kundër pushtuesit, por edhe LDK-së”.

Për më tepër, revista e drejtuar nga UPSUP, “Bota e Re” u bë një nga platformat kryesore për kritikat që synonin kursin paqësor politik të Rugovës dhe të LDK-së. Ajo vazhdimisht paraqiste artikuj që kritikonin status quo-në në Kosovë, impotencën politike të LDK-së, si dhe dështimin e saj për të nxitur zbatimin e marrëveshjes, Rugova-Millosheviq të vitit 1996 (ndërmjetësuar nga Komuniteti i Sant’Egidio) mbi arsimin, që parashikonte kthimin e studentëve shqiptarë në ndërtesat universitare.

Pavarësisht kundërshtimit të LDK-së dhe presioneve diplomatike ndërkombëtare, UPSUP organizoi një seri të protestave masive në fund të vitit 1997, të cilat u pritën me forcë nga Serbia. Ato përfaqësojnë aktet e para të rezistencës aktive jo të dhunshme që nga fillimi i viteve 1990 dhe, sipas fjalëve të dijetarit dhe aktivistit të ndjerë dhe të njohur Howard Clark, ishin “një model i konfrontimit jo të dhunshëm”.

Këto protesta, të cilat u mbështetën nga shumë prej kundërshtarëve të LDK-së si Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja, prodhuan dy rezultate të mëdha politike. Së pari, ata arritën të ekspozonin brutalitetin e Serbisë në Kosovë shumë më shpejt dhe më ashpër se sa strategjia e LDK-së me kontestimin pasiv dhe të përditshëm, duke fituar median ndërkombëtare dhe vëmendjen politike. Së dyti, ata paraqitën çarjen e parë të madhe në monopolin politik të LDK-së dhe të Rugovës. Një prej postulateve kryesore të LDK-së dhe Rugovës për vite ishte “Ata [serbët] kanë pushtet, ne kemi autoritet” (fjalët e Rugovës).

Megjithatë, këto protesta dhe mbështetja e gjerë që ata fituan ndër të rinjtë në Kosovë, treguan se autoriteti i Rugovës në mesin e shqiptarëve të Kosovës po lëkundej. Pas protestave, UPSUP jo vetëm që u bë një adresë politike për diplomatët dhe gazetarët e huaj që vizitonin Kosovën, por edhe epiqendra e opozitës anti-LDK në Kosovë. Në të njëjtën kohë, revista Bota e Re lëshoi kritika kundër LDK-së dhe Rugovës dhe së bashku me gazetën Koha Ditore (një nga pak mediat e pavarura në Kosovë në atë kohë) paraqiti sfidën e vetme për kontrollin e mirëvendosur të LDK-së mbi mediat për një kohë të gjatë.

Megjithatë, nëse gjykojmë vetëm nga kërkesat e protestave, protestat e vitit 1997 ishin të pasuksesshme, sepse nuk arritën të mbështesin strategjinë e tyre alternative për rezistencën jo të dhunshme për një kohë më të gjatë dhe as të arrijnë qëllime më të kufizuara si kthimi i studentëve shqiptarë në objektet dhe kampusin universitar. Në fakt, suksesi i tyre u dëmtua nga forca të tjera të mëdha, të lidhura me përshkallëzimin e konfliktit dhe fillimin e përplasjeve të armatosura muaj më vonë, të cilën protestat e studentëve kishin ndihmuar të fillonte. Siç tha Clark, “paraqitja e një strategjie alternative jo të dhunshme erdhi shumë vonë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve”. Nga ana tjetër, këto forca kryesore çuan në luftë, ndërhyrje ndërkombëtare dhe në fund të fundit tek pavarësia de facto e Kosovës nga Serbia në vitin 1999, diçka që nuk do të kishte kaluar në mendjet e optimistëve më të mëdhenj midis drejtuesve të studentëve dy vjet më parë.

Sidoqoftë, lëvizja studentore e vitit 1997 në shumë mënyra përfaqëson kulmin e aktivizmit të studentëve dhe angazhimit politik për të mirën më të madhe sociale dhe kombëtare në Kosovë. Studentët historikisht kanë qenë një nga blloqet kryesore të luftës shqiptare për afirmimin kulturor dhe kombëtar. Megjithatë, misioni kombëtar që iu dha atyre, në fakt i ka penguar ata që të përmbushin potencialin dhe misionin e tyre akademik. Si Universiteti i Prishtinës ashtu edhe studentët e tij kanë shërbyer kryesisht për qëllime dhe interesa të tjera, partiake, kombëtare, politike, dhe karrieriste. Në veçanti, në periudhën e pasluftës, Universiteti i Prishtinës ishte bërë një burim i rëndësishëm politik për partitë kryesore (në veçanti, PDK-në dhe LDK-në) në kontekstin e Kosovës të pasluftës, shumë të politizuar.

Për fat të keq, UPSUP pas luftës mbeti një organizatë shumë e politizuar, e cila vendoste besnikërinë dhe interesat e ngushta partiake mbi interesat e studentëve dhe nevojat akademike. Përveç lëvizjes jetëshkurtër “Lëvizja Tjetërqysh”, e cila bëri fushatë kundër politizimit të arsimit të lartë, paaftësisë akademike, plagjiaturës dhe standardeve të dobëta të mësimdhënies, shumica dërrmuese e organizatave studentore që u shfaqën pas vitit 1999, partive apo grupeve të klientelistëve brenda universitetit. Shumica e kërkesave të tyre ishin provinciale dhe madje edhe anti-akademike. Është me të vërtetë e pafat për të parë se zgjatja e afateve të provimeve (një nga praktikat universitare më të prapambetura që siguron që studentët ta shtyjnë një provim ose ta kenë në një kohë të pacaktuar) është në krye të listës së kërkesave të studentëve sot.

Njëzet vjet që nga protestat e fundit masive të studentëve, Kosova ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë në shumë aspekte. Sidoqoftë, pavarësisht nga mundësitë e mëdha që erdhën si rezultat i largimit të kontrollit serb mbi Kosovën, administratës dhe ndihmës ndërkombëtare dhe, më e rëndësishmja, pavarësia e Kosovës, sektori i arsimit simbolizon një nga dështimet më të mëdha të institucioneve të Kosovës, sistemit politik, dhe shoqërisë në përgjithësi.

Pa dyshim, studentët dhe organizatat e tyre kanë pjesën e tyre ose përgjegjësinë e tyre. Ata nuk arritën ta ripërtërijnë dhe mund të thuhet, një kuptim i vërtetë i qëllimit dhe aktivizmit që shkon mbi dhe përtej interesave të ngushta politike të përditshme dhe konsideratave kombëtare (të vërteta). Organizatat studentore të pasluftës nuk arritën të kapnin frymën e paraardhësve të tyre dhe, më e rëndësishmja, të revoltohen kundër zotërinjve të Kosovës të pasluftës (disa prej të cilëve ishin aktivë në lëvizjet studentore të viteve 1990), korrupsioni, lakmia dhe paaftësia e të cilëve vazhdimisht ka sjellur dështimin edhe si shoqëri më e gjerë. Kështu, mobilizimi i studentëve dhe revolta kundër udhëheqjes universitare dhe elitave politike është më e domosdoshme se kurrë. Trupi studentor duhet të kapë frymën e lëvizjes studentore të vitit 1997 dhe të luftojë më shumë për një standard më të mirë universitar dhe një shoqëri më të drejtë dhe progresive.