Ktheje Kavanozin e Turshive në Dritë

Në Kosovë nuk ekziston asnjë kompani që mbledh ose riciklon xham. Kështu që kur i boshatis kavanozët e mjaltit, ajvarit, ose salcës së makaronave, përfundojnë në fund të koshit me një zhurmë të rëndë, dhe akoma më të rëndë kur gjuhen në deponi të bërllokut ku do të rrinë për mileniumin tjetër ose edhe më gjatë.
Mesa duket as nuk ka ndonjë interes nga prodhuesit e pijeve, për të vënë një pagesë në shishe për t’i inkurajuar blerësit t’i kthejnë në dyqane për ripërdorim. Një pronar i një kompanie pijesh me të cilin fola tha se kjo zgjidhje është sfiduese për shkak të dyqaneve që duhet të kenë hapësirë dhe sisteme për mbledhur kuti ngjitëse për shishe të përdorura. Është një arsye e vlefshme, por një sfidë që është tejkaluar në shumë vende. Duke qenë se është llogaritur se një shtëpi mesatare europiane hedh 330 shishe ose kavanoz xhami çdo vit, mungesa e mundësive për t’i kthyer ose ricikluar duket se do të bëjë fshatrat kosovare të sfidohen me copa të rrezikshme xhami e vazosh të thyera .

Natyrisht çmimi që paguhet nuk janë vetëm deponitë, por edhe energjia që shpenzohet për të bërë xham nga “fillimi”. Vitin e fundit në Angli, u vlerësua se riciklimi i shisheve dhe kavanozave të xhamit kurseu 385,000 tonë gazra dyoksid-karboni, që është baras me largimin e 120,000 makinave nga rrugët. Sigurisht, riciklimi përdor energji por më pak se që nevojitet për të shkrirë materialet fillestare. Xhami i ricikluar mund të përdoret edhe për të bërë fibra xhami që pastaj përdoren për izolime për të ruajtur energjinë. Sapo kam mësuar gjithashtu se xhami mund të riciklohet për të bërë diçka që quhet “glasphalt”, për të shtruar rrugë, dhe ëndërroj për ditën kur segmente të autostradës kombëtare nga Morina në Merdarë do shkëlqejnë me shirita të gjelbër.

Sidoqoftë, duke qenë se nuk ka ndonjë infrastrukturë për këtë në Kosovë, është e vështirë të dish çfarë të bësh si individ që dëshiron të riciklosh xhamin. Që kur kam filluar bletarinë kam filluar të grumbulloj kavanoz për të ruajtur mjaltin, por bletët s’mund t’ia dalin të gjithë kavanozave që hidhen në Kosovë, dhe kështu që kam shpresuar për një zgjidhje që mund të aplikohet më gjerë. Tani organizata jonë po fillon një projekt ri-përdorimi që do të kthejë kavanozë të përdorur në mbajtës qirinjsh të dekoruar me dorë. Projekti do të punojë me gra nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptian në Fushë Kosovë, ku do të shkojnë edhe përfitimet. Planifikojmë që mbajtëset e para të qirinjve të jenë gati në fund të këtij muaj, në kohë për t’u blerë si dhurata për Krishtlindje dhe Vit të Ri.

Sigurisht që do të na duhet ndihmë, kështu që nëse grumbullon kavanoz (400ml ose më pak; kapakët nuk duhen) ose mendon se mund të fillosh t’i grumbullosh për ne, atëherë kjo mund të jetë një mënyrë për të ricikluar xhamin që përdor, në të njëjtën kohë ofron mbështetje për gra që po punojnë për të dalë nga varfëria.  Edhe, nëse jeni të interesuar të bëni punë vullnetare me ne për të punuar në dizajnët dhe prodhimin e kavanozave të dekoruar, duke ardhur në një seancë në javë për të  eksperimentuar me bojë xhami në qendrën tonë jashtë Prishtinës në shoqërinë e grave të mrekullueshme me vizion dhe iniciativë, atëherë na kontaktoni. Ose ndoshta ju ose organizata juaj do të organizojë një treg krishtlindjesh ose panair punimesh dore në muajt që vijnë ose mendoni për mënyra të tjera për të shitur mbajtësit e qirinjve që do të bëjmë. Me një kavanoz të vjetër turshish mund të ndriçosh jetët e shumë njerëzve, dhe ne do të ishim shumë të kënaqur të dëgjonim prej jush!

Elizabeth Gowing është themeluesja e The Ideas Partnership, një OJQ Kosovare që punon me projekte arsimore, kulturore dhe mjedisore, dhe mbështet komunitetin në Fushë Kosovë. Ajo është gjithashtu autore e librit të publikuar rishtazi: “Travels in Blood and Honey: Becoming a Beekeeper in Kosovo.”;  Mund të kontaktohet në [email protected].