Kryetari i Komunës së Srebrenicës, Mladen Grujiçiq – Foto: Anadolu.

Kryetari Serb i Srebrenicës Përpiqet ta Lërë Pas të Kaluarën

“Kur njerëzit shohin që gjërat ecin përpara, ata s’do ta kthejnë më kokën pas në të kaluarën. E kaluara ka krijuar vetëm konflikte dhe armiqësi dhe na çoi në varfëri”, tha për BIRN kryebashkiaku i Srebrenicës, Mladen Grujiçiq, në një intervistë në zyrën e tij në ndërtesën e komunës në qytetin lindor boshnjak.

Grujiçiq, një ish-mësues kimie 35-vjeçar, është kryetari i parë serb i qytetit, i zgjedhur mes polemikave të shumta në tetor të vitit të kaluar, sepse deri atëherë, kreu i komunës kishte qenë gjithmonë një boshnjak – edhe pse i sapoardhuri ka këmbëngulur se objektivi kryesor strategjik i administratës së tij është krijimi i një të ardhme më të mirë për të gjithë në Srebrenicë.

Ai tha se edhe pse ai është etiketuar si nacionalist nga disa media lokale, ai ka një marrëdhënie shumë të mirë me njerëz të të gjitha etnive në Srebrenicë – dhe se duke qenë krenar që është serb, ai përfaqëson të gjithë banorët e qytetit.

“Ky është qyteti im po aq sa i të gjithë banorëve të tjerë të tij. Mora një rol që ka shumë përgjegjësi për të ndryshuar gjërat për fëmijën tim dhe për fëmijët e të tjerëve, sepse kam në plan të jetoj këtu, ta zgjeroj këtu familjen time, të punoj këtu”, tha ai.

“Do të bëj gjithçka që mundem për ta bërë këtë qytet më të mirë dhe më të bukur”, shtoi ai.

Ndërsa Grujiçiq preferon të qëndrojë larg temave tepër të kontestuara dhe ta përqendrojë bisedën tek e ardhmja, është e kaluara e errët e Srebrenicës ajo që e ka bërë atë famëkeqe në të gjithë botën – masakrimi i më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995.

Vitet e luftës lanë gjithashtu gjurmë në popullsinë e Srebrenicës, ku para konfliktit jetonin 36,000 njerëz – më shumë se 27,000 boshnjakë dhe rreth 8,300 serbë.

Në vitin 2013, sipas regjistrimit të popullsisë të atij viti, vetëm rreth 13.400 prej tyre ndenjën, duke përfshirë rreth 7,200 boshnjakë dhe 6,000 serbë.

Pavarësisht shumë projekteve ndërkombëtare, rajonale dhe lokale, ekonomia e qytetit nuk e ka marrë veten nga lufta dhe banorët e tij – boshnjakët dhe serbët po ashtu – kanë vazhduar të largohen në kërkim të mundësive të punësimit.

Grujiçiq tha se numri i popullsisë është ulur edhe më shumë.

“Tani këtu mund të kemi rreth 7,000 banorë, por dikur kishte shumë më tepër”, tha ai.

Një reduktim gradual i numrit të votuesve boshnjakë si edhe debatet politike në rritje brenda dhe midis partive politike boshnjake çuan në zgjedhjen e tij si kryebashkiaku i parë serb i qytetit dhe në shumicën e parë për partitë serbe në këshillin e qytetit pas shumë vitesh.

Zgjedhja e Grujiçiqit rriti shqetësimet midis shumë boshnjakëve, që druheshin se ai do të injoronte ose madje shkatërronte statusin e tyre special në Srebrenicë.

Çështja e gjenocidit

Një vajtuese në përkujtimoren e Srebrenicës në vitin 2014. Foto: Beta.

Një nga shqetësimet kryesore boshnjake ishte në lidhje me mënyrën si ai do ta trajtojë përkujtimoren e përvitshme të gjenocidit në Srebrenicë më 11 korrik, sidomos duke pasur parasysh se në të kaluarën ai ka mohuar se masakrat e vitit 1995 përbënin gjenocid.

Grujiçiq megjithatë tha për BIRN se ai kurrë nuk e ka mohuar se janë kryer krime lufte në Srebrenicë, duke theksuar se ai vuri thjesht në pikëpyetje kualifikimin ligjor të këtyre krimeve si një akt gjenocidial, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe atyre boshnjake.

“Unë mendoj se e vërteta për Srebrenicën nuk është vërtetuar dhe ky është një proces i cili do të zgjasë shumë më të gjatë”, tha ai – një pikëpamje që ka shumë gjasa të mos i qetësojë boshnjakët.

“Sigurisht, kjo narrativë nuk duhet të lihet mënjanë, por besoj se të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre. Historianët duhet të merren me historinë, ndërsa kryetari duhet të drejtojë komunën, në vend që të merret me të kaluarën”, shtoi ai.

“Unë nuk jam historian. Jam një qytetar që dëshiron të ndryshojë diçka në Srebrenicë, të krijoj kushte më të mira jetese dhe t’i mbaj njerëzit këtu”.

Ai tha megjithatë se viktimat e Srebrenicës duhet të nderohen, duke theksuar se ai nuk ka ndryshuar asgjë në buxhetin për përkujtimoren e planifikuar të 11 korrikut, por thjesht ka rritur shumën e parave të hequra mënjanë për të përkujtuar edhe viktimat serbe në Srebrenicë.

Ai këmbënguli se nuk do të pengonte kurrë apo se do ta vinte në dyshim përkujtimoren në Srebrenicë dhe se është i gatshëm të mbështesë organizatorët me çdo ndihmë që ata kanë nevojë, por nuk dëshiron të imponojë ndonjë gjë për të nga jashtë.

Ndihma serbe për Srebrenicën

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq duke vizituar Srebrenicën në vitin 2015. Foto: Beta.

Sipas Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995, qyteti u bë pjesë e entitetit me shumicë serbe të Bosnjës, Republika Srpska, por për shumë vite ishte drejtuar nga kryetarë boshnjake dhe kishte një shumicë boshnjake në këshillin lokal, kryesisht në saje të votave nga boshnjakët të cilët ishin larguar nga qyteti, por ishin ende të regjistruar për të votuar atje.

Tani me një serb në krye, një tjetër çështje me interes të madh për boshnjakët është marrëdhënia miqësore e Grujiçiqit me presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili për një kohë të gjatë ka mbështetur shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina dhe është kritikuar vazhdimisht për pikëpamjet e tij nacionaliste.

Grujiçiq nuk mendon se marrëdhënia e tij me Dodikun duhet të jetë një problem, duke këmbëngulur se Dodik ka shprehur interes për të ndihmuar Srebrenicën.

“Ka disa boshnjakë dhe serbë që kanë konflikte politike këtu, por kur shohim një njeri të sëmurë, një të pastrehë, një familje pa një shtëpi, ne mund të biem dakord lehtësisht që t’i ndihmojmë ata. Qëndrimi politik i askujt nuk duhet ta shkatërrojë ndihmën për ata që kanë nevojë për të”, tha ai.

Disa boshnjakë shprehën gjithashtu shqetësim pasi këshilli i Srebrenicës në fillim të marsit i dha kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq një pllakadë floriri – nderimi më i madh i asamblesë lokale – për kontributin e tij në qytet.

Ata u shprehën se Vuçiq s’e meritonte këtë, duke qenë se Serbia ende mohon zyrtarisht se krimet e kryera kundër boshnjakëve nga Srebrenica gjatë luftës ishin një akt gjenocidi.

Vuçiq u sulmua me zemërim nga pjesëmarrësit kur ai mori pjesë në 20 vjetorin e përkujtimit të masakrave në qendrën përkujtimore në Srebrenicë në vitin 2015.

Por Grujiçiq shpjegoi se edhe para se ai të bëhej kryetar i komunës, Vuçiq kishte premtuar se do t’i dhuronte pesë milionë euro komunës së Srebrenicës nga fondet e Qeverisë serbe.

Dy milionë euro janë paguar tashmë në buxhet, ndërkohë që tre milionë të tjerë janë caktuar për projekte të ndryshme, siç është ndërtimi i rrugëve të reja, një kopsht që do të fillojë ndërtimin në prill dhe ndërtimi i dy fabrikave në fshatin Potocari.

“Serbia tha se nuk do të përfshihet në projektet tona. Ajo thjesht do të mbështesë atë që nevojitet”, tha Grujiçiq për BIRN dhe shtoi: “Kushdo që dëshiron të ndihmojë është i mirëpritur”.

Fokusi te të gjallët

Qendra e qytetit të Sreebrenicës. Foto: Samun Benutzer/Wikicommons.

Sipas Grujiçiq, Srebrenica shpesh ka qenë “një dëm kolateral” në grindjet e pafundme politike midis politikanëve boshnjakë dhe atyre serbë të Bosnjës.

Kjo është diçka që ai thotë se dëshiron ta ndryshojë, duke u shprehur se në Srebrenicë rëndësi kanë të gjallët – dhe jo vetëm të vdekurit – që të marrin gjithashtu vëmendje.

Njësoj si në shumë komunitete të pazhvilluara në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, mungesa e mundësive për punë perceptohet si problemi i vetëm më i madh në Srebrenicë, dhe kjo është ajo në të cilën dëshiron të përqendrohet Grujiçiq.

Ai thot se qeveria e tij është në kontakt me shumë investitorë, përfshirë një kompani sllovene që është e interesuar në ndërtimin e një impianti termocentral në rajon, që do të siguronte vende pune për shumë banorë vendas.

Donacionet në të kaluarën nuk kanë qenë në dobi të qytetit, theksoi ai, duke u shprehur se shumë njerëz “kanë vënë pasuri të madhe në Srebrenicë” duke kanalizuar fondet.

“Srebrenica ishte thjesht një arsye që dikush të bënte donacione dhe më pas ato devijoheshin tjetërkund”, tha ai.

Imazhi i qytetit gjithashtu i ka trembur investitorët afatgjatë, shtoi ai.

“Kur krijon një mjedis ku njerëzit ndihen jo të sigurt, atëherë ata nuk do të vijnë më këtu për të hapur ndonjë fabrikë të re”, tha ai.

“Ne po përpiqemi të përcjellim një mesazh paqeje që këtu. Kemi përgjegjësi kundrejt qytetarëve që t’i mbajmë ata këtu, sepse deri më tani, ata janë shpërngulur në masë”.