Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Kryetari me Tri Paga

Edhe pse merr tri paga në muaj, dy si profesor universitar dhe një të kryetarit të komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli nuk heziton ta përdorë për punë personale makinën zyrtare të komunës.

Surdulli i cili e udhëheq këtë komunë tash e dy vite nuk është ndier fare në siklet kur në debatin “Jeta në Komunë” është kritikuar se po i harxhon 90 euro në ditë karburante me veturën e tij zyrtare dhe se po e keqpërdorë atë për nevoja personale.

NDËRLIDHUR

Ishte ish kryetari i komunës Begzat Sinani i cili fillimisht e kritikoi kryetarin për shpenzimet e tepruara të komunës.

“Shpenzimet e udhëtimeve brenda dhe jashtë vendit janë 34 mijë e 319 euro, mandej janë shpenzimet e telefonisë që kapin shumën 37 mijë e 95 euro e poashtu për dreka zyrtare 25 mijë e 489 euro të gjitha këto vetëm për një vit”, tha Sinani.

Sipas tij, në komunën e Kamenicës është skandaloze shifra e shpenzimeve për karburante që e kap shumën e 84 mijë e 811 eurove.

Sinani thotë se gjatë kohës së qeverisjes së tij këto shpenzime kanë qenë afër tri herë më të vogla. “Në mandatin tim harxhimet për këtë kanë qenë 34 mijë euro”.

Sipas tij vetëm vetura e kryetarit ka harxhuar 32 mijë e 861 euro karburante e që i bie për çdo ditë ka harxhuar 90 euro – përfshirë të shtunave, të dielave, festave etj.

Ahmet Ibrahimi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se harxhimet enorme në karburante janë keqpërdorim i parasë publike. “Ai e përdor automjetin zyrtar dhe shkon me të në fakultet. Faktikisht i bie që po e keqpërdorë buxhetin dhe djersën e qytetarëve”, thotë Ibrahimi.

E vet Shaip Surdulli nuk i mohon këto shpenzime por nuk pranon se ka keqpërdorur paranë publike. “Krejt e dinë që unë jam profesor i fakultetit, magjistër i matematikës, dhe një herë në javë kam mësim në Universitet në Prishtinë dhe në AAB. Shkoj me veturë të komunës për shkak se unë nuk mundem të shkëputem nga shoferi”, thotë Surdulli.

Sipas tij, kjo nuk është shumë punë e madhe sepse ai gjatë tërë kohës është në detyrë si kryetar i komunës.

Edhe pse ka marrë kritika për këtë formë të keqpërdorimit, Surdulli gjatë debatit “Jeta në Komunë” nuk ka qenë në gjetje të japë zotim se do ta ndërpresë këtë formë të shfrytëzimit të parasë publike për nevoja personale.

Ai gjatë këtij debati ka folur edhe për sukseset e tij siç janë pastrimi i lumit të Kamenicës,  ndërtimi i një shkolle në fshatin Shibashticë si dhe ndërtimi i një objekti të komunës ndërsa i ka vlerësuar si sfida problemet me separacionet e rërës, menaxhimin e mbeturinave si dhe mungesën e buxhetit.

Gjatë debatit janë paraqitur edhe sukseset sipas BIRN-it ku janë theksuar mirëmbajtja e disa hapësirave të gjelbëruara si dhe ndërtimi i dy rrethrrotullimeve në qytetin e Kamenicës.

Ndonëse Surdulli është lavdëruar se ka punuar për lehtësimin e punës së bizneseve në komunën e tij, ai nuk ka qenë në gjendje të japë shpjegimin se përse komuna e tij e cila është më e vogël se ajo e Gjilanit i ka taksat më të larta.

Komuna  nuk mund të lavdërohet as për punën që ka bërë në strehimin e familjeve të cilat kanë probleme sociale. Dy familje rome jetojnë në baraka në këtë qytet ndërsa kryetari është zotuar se problemet me të pastrehët do zgjidhen në momentin kur të përfundojë ndërtimi i 20 banesave për rastet sociale.

E komuna e cila ka ndarë vetëm pesë mijë euro për qytetarët me kushte të vështira sociale është kujdesur që t’i shpenzojë 3 mijë euro për t’i dërguar zyrtarët e saj për vizita në bregdetin shqiptar. Këtë e pranon edhe kryetari mirëpo, sipas tij, këto janë “vizita në shtetin amë”.

Nxënësit e shkollave të kësaj komune nuk kanë ngrohje në objektet ku mësojnë për çka prindërit kanë shprehur shqetësimet e tyre, por Surdulli është përkujdesur që t’i ndajë rreth 30 mijë euro për t’i ngrohur dy xhamitë e Koretinit.

E pa kujdes në këtë komunë ka mbetur edhe klubi i Atletëve që është zgjedhur si krenari e kësaj komune pasi që ka marrë shumë medalje dhe ka korrur suksese në sport. Komuna e cila ka harxhuar shumë para në karburante e udhëtime zyrtare, madje edhe për rrezitje në det, e ka përkrahur këtë klub me vetëm 1 mijë euro.

ETIKETA

09 Korrik 2012 - 00:41

Kreshnik Gashi 09/07/2012 - 00:41
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Kryetari me Tri Paga

by Gazeta JNK
NA NDIQNI