Kryetarët e Komunave Zbatuan Premtime

Kryetarët e komunave kanë mbajtur një varg premtimesh të dhëna në ciklin e debateve “Jeta në Komunë” që u realizuan këtë verë nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

Komuna e Hanit të Elezit, e udhëhequr nga kryetari Refki Suma, i zgjedhur si kandidat i pavarur, prin në listën e ndryshimeve, kanë verifikuar monitoruesit e BIRN-it në terren.

Suma kishte premtuar para opinionit se do të ndërronte kulmin e shkollës “Dardania” në Han të Elezit. Premtimi është realizuar.  

Zyber Xhoni, drejtor i shkollës, konfirmon se punët rreth ndërtimit të kulmit kanë mbaruar.

Më, sipas tij, në shkollë nuk ka as lagështi e as myk që vinte nga tavani, pasi që kulmi paraprak kishte pikur për shtatë vite rresht.

Përveç kulmit, shkolla ka fituar edhe një donacion prej 45 mijë dollarësh, me ç’rast i janë dhënë 15 projektorë dhe 20 llaptopë. Tash aty mësimi mbahet duke përdorur videoprojektorët.

Edhe problemet me ujin e pijes që kanë pasur nxënësit e kësaj shkolle janë zgjidhur pas debatit me kryetarin e Hanit të Elezit. Me organizim edhe të prindërve, nxënësit tashmë kanë ujë të mjaftueshëm për pije, pasi në shkollë janë vendosur aparate me bombola uji.

Po ashtu, të gjitha familjeve të Hanit të Elezit komuna u ka siguruar kontejnerë plastike për hedhjen e mbeturinave.

Komuna që udhëhiqet nga Suma, gjithashtu ka mbajtur premtimin për ndërtimin e trotuarit në fshatin Paldenicë. Banorët e atyshëm, e sidomos nxënësit, detyroheshin që të ecnin nëpër baltë, për të mbërritur deri në shkollë. Tash, as ky problem më nuk ekziston. 

Mbahen premtime për ambulancë, pastrim mbeturinash dhe mbrojtje nga shembja

Në Komunën e Shtimes, kryetari Naim Ismajli, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kishte premtuar aktivizimin e ambulancës në fshatin Petrovë. Doktori Agim Zejna tashmë punon në këtë ambulancë në orar të rregullt pune. Ai thotë se objekti i ri ka mundësuar kushte shumë të mira pune si dhe ofrim të shërbimeve shëndetësore familjare për banorët e Petrovës.

“Numri i pacientëve aktualisht është pakëz i vogël, pasi banorët janë mësuar të shkojnë në qytet, por tashmë është bërë zonimi dhe banorët e fshatit Petrovë kthehen mbrapa në ambulancën e re, nëse kanë nevojë për trajtim mjekësor”, thotë doktori Zejna. Në ambulancë, përveç mjekut punon edhe një infermiere.  
 
Komuna që udhëhiqet nga Ismajli ka realizuar edhe asfaltimin e rrugës prej fshatit Koshare deri në Rashincë. Në Shtime është zgjidhur edhe problemi i kanalizimit në rrugën Anton Çeta.

Komuna e Fushë Kosovës, që udhëhiqet nga Burim Berisha, i cili qytetin e udhëheq në mandatin e dytë si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka bërë pastrimin e lagjeve 28 dhe 29 që janë të banuara nga komunitetet Rom, Ashkali dhe  Egjiptian (RAE). Vendi nga janë larguar mbeturinat, pritet të shndërrohet në një fushë rekreacioni.

Agim Veliu, kryetar i Podujevës nga radhët e LDK-së, po ashtu ka mbajtur premtimin se në fshatin Bellopojë do të marrë masa në ndalimin e shembjeve të dheut. Gjendja në këtë fshat ka ndryshuar. Është asfaltuar pjesa e rrugës që ishte shkatërruar nga shembjet e dheut. Megjithatë, banorët thonë se një urë që është ndërtuar poshtë fshatit, pikërisht për t’i parandaluar shembjet e dheut, nuk është aktivizuar akoma, pasi komuna aty ka lënë në gjysmë projektin, duke mos e ndërtuar rrugën.

Nga premtimet e dhëna në Malishevë, është aktivizuar shkolla në fshatin Vërmicë, është zgjeruar rruga Malishevë-Banjë si dhe janë rregulluar kanalizime nëpër disa fshatra. Po ashtu, janë kryer punime edhe në kolektorin e ujërave të zeza.

Sheshe, parqe, ujë dhe ura

Në Prishtinë, Isa Mustafa ka mbajtur premtimin për ndërtimin e shesheve qendrore. Ato kanë filluar të ndërtohen në fund të qershorit dhe punimet vazhdojnë.

Gradimir Mikiq, kryetar i komunës së Ranillukut, ka premtuar shtim të kapaciteteve të ujit të pijes, për banorët e komunës që udhëheq. Komuna e formuar me planin e Ahtisaarit, që banohet kryesisht nga komuniteti pakicë serb, ka shtuar kapacitetet e ujit të pijes.

Banorët e Kamenicës, kanë marrë vet një iniciativë për ndërtimin e urës tek xhamia duke grumbulluar 19 mijë euro për të larguar urën e vjetër dhe të rrezikshme. Banorët besojnë se tash komuniteti që shkon për lutje në xhami do të jetë më i sigurt. Kamenica që drejtohet nga kryetari Shaip Surdulli i LDK-së, sipas gazetarëve lokalë, po ashtu ka rritur transparencën e saj që nga debati.

foto  
Punimet në Gjilan  

 

Qemajl Mustafa nga PDK, i cili udhëheq me Gjilanin në mandatin e dytë, po punon në projektin e menaxhimit të ujërave të zeza, përmes lumit Mirusha. Buzë lumit, komuna kishte prishur disa shtëpi që ishin ndërtuar në pronë komunale dhe aty tashmë kishte futur gypat për sistemim të ujërave të zeza. Po ashtu, tregu i kafshëve në Gjilan, sikur ishte premtuar nga Mustafa, po shndërrohej në një park.

Në Gjilan, është realizuar edhe ndërtimi i shkollës në lagjen e dytë. Kësaj shkolle akoma nuk i është vënë emri, mirëpo edhe pse pa emër, aty tashmë janë ofruar kushte shumë më të mira për fëmijët e kësaj pjese të qytetit.

Ndërrojnë operatorin dhe zgjidhin problemin e ujit

Edhe komuna e Pejës që udhëhiqet nga Ali Berisha, i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë punë të mira. Berisha, menjëherë pas debatit, ka kërkuar që t’i ndërpritet kontrata kompanisë “Netëork”, pasi që kjo kompani, që merrej me pastrimin e ambienteve komunale, nuk kishte paguar punëtorët. Komuna ka kontraktuar kompaninë “Omi Impex” për të kryer këto shërbime.

Sipas zëdhënësit të komunës, Naim Ismajli, është realizuar edhe projekti “Vitomirica” me të cilin është asfaltuar rruga, pas një varg problemesh pronësore.

Pas realizimit të projekteve në fshatrat Pavlan dhe Bllagajë, me kërkesë të Berishës është future në planin e investimeve për 2013 edhe asfaltimi i rrugës në Nabërxhan.

Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim  Selmanaj, ka bërë zgjidhje sa i përket ujit të pijes në fshatin Isniq.

foto  
Fshati Isniq  

 

Ramë Meli, drejtor i urbanizmit, thotë se ka filluar edhe faza e parë e mbledhjes së burimeve ekzistuese të ujit për të bërë ujësjellësin edhe për fshatin Strellc.  

Po ashtu, kjo komunë ka ndërhyrë edhe në kulmin e shtëpisë së kulturës, pasi ai ishte dëmtuar tej mase dhe rrezikonte tërë objektin.