Kryeprokurori Kabashi Rikthen Rastin në Hetim

Kryeprokurori Ismet Kabashi në prill të këtij viti i është drejtuar me një letër të pazakontë Prokurorisë Themelore në Gjakovë (dega në Malishevë) duke i kërkuar që të vazhdojë hetimet rreth një rasti të vjedhjes në fshatin Astrazub të Malishevës.

Vjedhja kishte ndodhur në dhjetor 2012, ndërsa hetimet për këtë rast janë mbyllur nga prokurori Xhavit Osmani më 4 shkurt 2013.

Një ditë para letrës së Kabashit, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për mbylljen e këtij rasti nga prokuroria, pavarësisht që një person kishte pranuar fajësinë.  

Letra që mban datën 15 prill 2013 duket të ketë karakter ligjërues për prokurorin Osmani që kishte hetuar rastin në fjalë, ndërsa punon në degën e prokurorisë në Malishevë. Aty tregohet se çfarë prove konsiderohet e pranueshme në gjykatë.

“Deklarimi i të pandehurit Abedin Morina dhënë në polici është provë e pranueshme, pasi që ka pasur mbrojtës dhe si e tillë mund të përdoret si provë në gjykatë” thuhet në shkresën e Kryeprokurorisë së Shtetit.

Prokuroria e Themelore e Gjakovës nuk ka marrë asnjëherë më parë letra të tilla nga Zyra e Kryeprokurorit Kabashi.

“Kjo është hera e parë që 13 vjet sa punoj unë, që marrim sugjerim të tillë nga zyra e kryeprokurorit të shtetit… janë gjëra që ndodhin”, tha kryeprokurorja e Gjakovës Shpresa Bakija.

“Kjo është hera e parë që 13 vjet sa punoj unë, që marrim sugjerim të tillë nga zyra e kryeprokurorit të shtetit” Shpresa Bakija

Më 17 prill Prokuroria Themelore në Gjakovë shfuqizoi vendimin për pushimin e hetimeve duke rikthyer rastin në hetim.

Katër ditë më vonë, më 19 prill i njëjti prokuror ka ngritur aktakuzë për rastin e mbyllur dy muaj më herët. (shih aktakuzën)

Rasti ka të bëjë me vjedhjen e shtëpisë së noterit Ibrahim Elshani në Astrazub ku i dyshuari Abedin Morina (1986) pas arrestimit kishte pranuar vjedhjen në polici. 

Mirëpo, Morina në prokurori nuk deklaroi se kishte kryer vjedhjen, ashtu siç bëri në polici. Tash ai thoshte se nuk e kishte kryer krimin.

Si rezultat, prokurori Xhavit Osmani kishte pushuar hetimet nën arsyetimin se i dyshuari kishte mohuar deklaratën dhe se kështu nuk kishte prova materiale për ta akuzuar Morinën.

Xhavit Osmani nuk ka pranuar të komentojë rastin për Gazetën Jeta në Kosovë.

Për mbikqyrësen e tij kryeprokuroren Bakija, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së përvojës së prokurorit. 

Sipas saj, “prokurori është i ri në profesionin e vet, ndoshta nuk ka mundur plotësisht t’i perceptojë të gjitha provat që i ka pasur, mirëpo bindja e tij ka qenë ajo”. 

Lidhur me pushimin e hetimeve avokati i Elshanit, Rrahman Kastrati, duke mos parë zgjidhje tjetër kishte bërë kërkesë në Zyrën e  Kryeprokurorit të Shtetit për anulimin e aktvendimit të prokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. 

Ibrahim Elshani

“Vodhi një sasi të konsiderueshme ari”

Pasditen e 3 dhjetorit të vitit të kaluar Abedin Morina së bashku me tre persona të tjerë ka hequr pengesat e shtëpisë së Ibrahim Elshanit, ia ka thyer derën e shtëpisë me forcë, ka hyrë brenda dhe aty ka vjedhur një sasi të arit. 

Kështu thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori Osmani pas “vërejtjes” nga kryeprokurori i shtetit.

Elshani, kishte deklaruar për gazetën se ari i vjedhur në shtëpinë e tij kalon vlerën mbi  katër mijë euro.

I dyshuari Morina, i cili sipas aktakuzës jeton në fashtin Drenoc të komunës së Malishevës ka pranuar fajin në polici, thuhet në aktakuzë.

Gjatë raportimit të kaluar gazeta ka kontaktuar edhe me Bekim Kryeziun, avokat i të të dyshuarit Morina.

“E kam njoftuar klientin për të drejtat e tij, mirëpo ai me vullnet e kishte pranuar fajësinë në mënyrë që kjo t’i merrej si rrethanë lehtësuese në aktgjykimin përfundimtar” kishte deklaruar Kryeziu. 

Në aktakuzën e siguruar nga gazeta, Morina akuzohet edhe për vepra të tjera penale të kryera në bashkëkryerje me Besim Bytyqin (1984), Besnik Bytyqin (1982) dhe Mërgim Berishën (1994).

 

Të gjithë të pandehurit kanë mohuar në tërësi akuzat e prokurorisë.