Kryeministri Berisha Tundon Votuesit me Rritje të Pagave

“Ne kemi miratuar në parim rritjen e pagave dhe pensioneve me 6 për qind, rritje kjo që do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve”, tha kryeministri Sali Berisha të enjten e kaluar.

Duke i dhënë një goditje të fortë rivalit të tij kryesor në zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha tha se kreu socialist Edi Rama “asnjëherë nuk përmend rrogat, por vetëm taksat dhe rritjen e tyre”.

Rritja duket si një përpjekje e Berishës për të rritur mbështetjen për koalicionin e tij të qendrës së djathtë, i cili në sondazhet e fundit, renditet për disa pikë më pak se socialistët e opozitës.

Një anketë e kohëve të fundit, e porositur nga TV Ora News dhe realizuar nga IPR Marketing, i jep koalicionit të Ramës 50 për qind të votave në nivel kombëtar, duke e vënë përpara aleancës së Berishës, që kap 43 për qind.

Megjithatë, për shkak të sistemit të komplikuar të votimit, rajonal dhe proporcional të Shqipërisë, rezultatet mund të dalin shumë më afër nga ajo që tregojnë sondazhet e opinionit.

Shqipëria ka një histori të gjatë të zgjedhjeve të kontestuara që nuk plotësojnë standardet ndërkombëtare.

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2009 shkaktuan një krizë politike mes demokratëve në pushtet dhe socialistëve të opozitës, jehona e së cilës akoma ushton.

Zgjedhjet e qershorit shihen si test i rëndësishëm për Shqipërinë, në integrimet evropiane.