Kroatët Tërhiqen nga PTK-ja?

“Hrvatski Telekom” është duke e shqyrtuar mundësinë që të largohet nga konkurrimi për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), për shkak të dyshimeve për korrupsion brenda menaxhmentit të kompanisë kosovare.

“Për shkak të akuzave ngritur kohët e fundit ndaj menaxherëve të caktuar të PTK-së, të dyshuar për korrupsion, T-HT është duke shqyrtuar pjesëmarrjen e saj për vazhdimin në procesin e privatizimit”, i ka thënë zëdhënësja Maja Weber, Gazetës Express.

Sipas saj, në fillim të qershorit 2011, T-HT i ka plotësuar kërkesat e para-kualifikimit në lidhje me privatizimin e PTK-së dhe është konfirmuar si një nga kompanitë e para-kualifikuar, por tani është duke e rishqyrtuar pjesëmarrjen në tender.

Një ditë më parë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) njoftoi nëpërmes një komunikate për shtyp, se në afatin shtesë asnjë kompani e re nuk është parakualifikuar dhe se edhe më tutje formalisht mbesin dy kompani në garë.

Por, në paragrafin e dytë të komunikatës, kjo ministri pranon se kroatet nuk kanë shprehur interes për të qenë pjesë e këtij procesi privatizues.

“Marrë në konsideratë se Telekomi Kroat nuk ka shprehur interesim për vazhdim të procesit, si dhe duke u thirrur në vendimin e Qeverisë dhe Kuvendit për një proces konkurrues, KQP vendosi që të autorizojë Njësinë Implementuese dhe Këshilltarin e Transaksionit dhe Këshilltarin Strategjik që të analizojnë situatën e re dhe konform bazës ligjore dhe t’i ofrojë KQP-së një plan për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në komunikatë.

Nëse tërhiqen kroatët, në garë mbetet vetëm Telekomi Austriak. Por, ligjërisht, Qeveria nuk mund ta shtyjë përpara këtë proces me vetëm një ofertues. Sipas të gjitha gjasave, PTK-ja nuk do të shitet sivjet, shkruan Express.