Kroatët dhe Serbët që Shkëmbyen Shtëpitë

Goran Trlaiq ka lindur në fshatin kroat të Kulës dhe nuk e dinte kurrë se ai duhet ta quante veten serb derisa dikush tjetër ia tha këtë.

“Nuk flisnim kurrë se kush ishte serb dhe kush ishte kroat. Nuk e dija kurrë këtë deri në regjistrimin ushtarak në vitin 1990,” thotë Trlaiç në dokumentarin e ri të BIRN “Shtëpia jote ishte e imja”, i cili do të shfaqet për herë të parë në Al Jazeera Balkans më 5 shtator.

“Kur më pyetën se si e deklaroja veten, thashë se isha jugosllav. Ata thanë: “Ne e njohim babanë tënd. Ti je serb’, dhe shënuan që isha serb,” kujton ai.

Në vitin 1992, ashtu si shumë serbë të tjerë në Kula, 17-vjeçari Trlaiç u largua nga fshati me familjen e tij dhe shkoi në një shtëpi në fshatin serb të Hrtkovcit.

Kroatët që jetonin në Hrtkovci u larguan në drejtim të kundërt, duke u sistemuar në ato që kishin qenë shtëpitë e serbëve në Kula.

Kjo ishte pjesë e një modeli më të gjerë migrimi të detyruar gjatë luftës në fillim të viteve 1990 – një periudhë që pa disa fshatra në Serbi dhe Kroaci të ndryshonin plotësisht përbërjen e tyre etnike.

Si rezultat i kërcënimeve, presionit dhe frikës nga dhuna, njerëzit u detyruan të shkëmbenin shtëpitë në të cilat ata kishin lindur me shtëpi në vendet në të cilat grupi i tyre etnik ishte shumicë.

Në atë kohë u përshkrua nga autoritetet si “rivendosje njerëzish”.

Edhe pse konflikti përfundoi më shumë se 25 vjet më parë, disa prej atyre që u larguan nuk kanë mundur t’i shohin më kurrë vendlindjet e tyre – kujtimet janë ende shumë të dhimbshme.

Tallje dhe kërcënime

Stjepan Roland

Stjepan Roland ka jetuar në Kula në Kroaci që nga viti 1992, kur ai iku nga Hrtkovci në Serbi.

Por edhe pse ka kaluar shumë vite, ai ende ndjen se duhet të jetojë në Hrtkovci.

“Unë i përkas atij vendi. Kjo është normale. Kam lindur atje, familja ime ka jetuar atje për më shumë se 400 vjet,” shpjegon ai.

Më 6 maj 1992, lideri i Partisë Radikale Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, erdhi për të mbajtur një fjalim në Hrtkovci dhe kërcënoi haptazi kroatët që jetonin në atë zonë.

“Ai lexoi një listë të njerëzve që duhej të largoheshin ose atyre do t’u ndodhte diçka. Njerëzit u frikësuan. Ata kuptuan se duhej të largoheshin,” kujton Rolandi.

Një sërë incidentesh të dhunshme pasuan këtë gjë dhe shumë nga kroatët e Hrtkovcit vendosën se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të pranonin “të gjitha” shkëmbimet e shtëpive me serbët që jetonin në Kroaci, të paketonin gjërat dhe të largoheshin.

“Atëherë munda të shikoja që s’isha më i dëshiruar atje. Disa prej tyre që dikur ishin miqtë e mi, nuk donin të shiheshin në shoqërinë time,” thotë Rolandi.

Të sapoardhurit serbë në Hrtkovci filluan të tallnin djalin e tij dhe ta rrihnin atë, pohon ai. Pastaj ai filloi të merrte telefonata kërcënuese.

“Unë e di se këto telefonata bëheshin nga zyra postare në qytetin e Rumas. Operatori kishte një listë dhe ai na telefonoi një e nga një, duke thënë: ‘Zhvendosuni! Çfarë po prisni?”

Rolandi i raportoi kërcënimet në polici, por ata i thanë se nuk bënin dot asgjë për ta mbrojtur atë.

“Ata donin të krijonin një situatë që do të na bënte të iknim. Nuk kishte më rëndësi shtëpia, por rëndësi kishte të mbeteshim gjallë,” thotë ai.

Ai u nis për në Kroaci me gruan dhe fëmijën e tij më 29 maj 1992. Gjithçka që ai kishte ishte një valixhet me dokumentet e tij, një palë pantallona, një këmishë dhe 100 marka gjermane.

“Mendova se do të ishte e përkohshme, derisa situata të sqarohej,” thotë ai. “Por situata s’u sqarua kurrë.”

Gjak dhe xham i thyer

Goran Trlaiq

Dhuna në Kula i kishte bindur gjithashtu serbët që jetonin atje se ishte koha të largoheshin nga Kroacia.

Goran Trlaiq kujton se si, para Pashkëve Ortodokse në prill të vitit 1991, njerëz nga fshati fqinjë Kutjevo mbërritën në Kula dhe filluan të qëllonin. Një nga të shtënat e armëve goditi shtëpinë e tij.

“Nuk e dëgjova të shtënën. Thjesht pashë perden që arriti në mes të dhomës dhe m’u veshën sytë. Kishte gjak në pjesët e zbuluara të lëkurës sime, jo nga plumbat, por nga xhami i thyer, kur plumbi e goditi atë,” thotë ai.

“Vëllai im më hodhi në dysheme, fikëm dritat dhe nuk dolëm jashtë.”

Sulmuesit u identifikuan nga policia, por për shkak të situatës politike në Kroaci në atë kohë, ata u liruan. Trlaiq thotë se ata hodhën gjithashtu në erë shtëpi, makina dhe kamionë me granata.

“Trauma që përjetova ato ditë të fundit la një ndikim të thellë tek unë dhe ne u shpërngulëm përgjithmonë nga Kula,” shton ai.

Njësoj si Rolandi, Trlaiq kujton se kur familja e tij u largua nga Kula, ata besonin se kjo s’do të ishte për shumë kohë.

“Ne menduam se do të ktheheshim sapo ushtria ta ndreqte këtë punë. Megjithatë, rezultoi ndryshe. Kisha ende rrobat e mia të verës kur erdhi dimri,” shpjegon ai.

Trlaiq gjithashtu kujton se ishte e vështirë për të, si një adoleshent, të riorientonte veten në një mjedis të ri dhe të panjohur dhe të bënte miq të rinj.

Por problemet e tij nuk u ndalën me aq. Në vitin 1995, Serbia thirri të gjithë meshkujt e kualifikuar të lindur jashtë vendit në ushtri. Vëllai dhe babai i tij u thirrën në ushtri.

“Gjatë asaj periudhe nga Hrtkovci u morën rreth 400 burra. Ata u çuan në fushën e betejës në Bosnje dhe Kninska Krajina,” thotë ai.

“Ata e kthyen në shtëpi babanë tim ndërsa vëllai im u vra. Vëllai im u vra më 26 korrik 1995. Kam një ndjesi që papritmas unë … Unë nuk u rrita, por u plaka.”

Trlaiq thotë se do t’i pëlqente shumë të kthehej në Kulën e fëmijërisë së tij, në Kulën që ekzistonte para luftës.

“Në Kula kam jetuar shumë mirë. Nuk e kisha menduar kurrë se ata, kroatët katolikë, ishin të ndryshëm nga ne nëse ata e festonin Krishtlindjen dy javë përpara serbëve ortodoksë. Ne shkonim në shtëpitë e njëri-tjetrit për Krishtlindje,” thotë ai.

“Mund të them lirshëm një gjë për këtë komunitet në Kula – askujt nuk i interesonte etnia e njerëzve të tjerë.”

Stjepan Roland, i cili tani jeton në Kula, nuk ka mundur kurrë ta vizitojë Hrtkovcin, fshatin ku ai lindi, dhe ai nuk pranoi ta bënte këtë udhëtim me grupin e xhirimit të dokumentarit të BIRN.

“Nuk e di nëse do të isha në gjendje ta përballoja. lidhja ishte shumë e fortë,” shpjegon ai.

“Tashmë kanë kaluar 24 vjet. A ka më ndonjë që e njoh atje?”

Duket e pamundur. Para luftës, 40 për qidn e njerëzve që jetonin në Hrtkovci në Serbi ishin kroatë, por sot kroatët përbëjnë vetëm 7 për qind.

Ndërkohë që në Kula në Kroaci, 91 për qind e popullsisë së fshatit ishin serbë para se të fillonte lufta. Tani kanë mbetur vetëm 2 për qind.

‘Shtëpia jote ishte e imja’ do të ketë premierën e tij në Al Jazeera Balkans më 5 shtator në orën 17:05. Shikoni më shumë informacione për filmin këtu.