Salla e gjyqit në Gjykatën e Hagës. Foto: ICTY.

Kroacia Shpreson të Shfajësohet në Apelin e Bosnjës për Krime Lufte

Në seancën e apelit që do të mbahet sot avokatët mbrojtës për gjashtë ish-zyrtarë të rangut të lartë të entitetit kroat të Bosnjës të kohës së luftës të Herceg-Bosnja do të përpiqen të vërtetojnë se ata nuk ishin të përfshirë në ndonjë sipërmarrje të përbashkët kriminale me lidershipin politik dhe ushtarak të Kroacisë.

Kroacia thotë se nuk ajo nuk kishte asnjë përfshirje në krimet e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, por vendimi i shkallës së parë i dhënë nga gjykata e OKB-së në Hagë akuzoi disa nga zyrtarët më të lartë të Zagrebit të kohës së luftës, përfshirë presidentin Franjo Tuxhman, si pjesëmarrës në veprat penale të gjashtë burrave.

Prokuroria ndërkohë do të përpiqet të bindë gjyqtarët që pothuajse t’i dyfishojë dënimet, që arritën në një total prej 111 vitesh burg në vendimin e parë të dhënë në maj 2013.

Në atë vendim, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë shpalli Jadranko Prliç, Bruno Stojiç, Slobodan Praljak, Milivoje Petkoviq, Valentin Coriq dhe Berislav Pusiq fajtor[ për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin me dhunë të boshnjakëve nga territoret nën kontrollin kroat të Bosnjës gjatë kohës së luftës në një përpjekje për të krijuar një “Kroaci të madhe”.

Gjashtë ish-liderët e lartë të shtetit të vogël jetëshkurtër të Herceg-Bosnjës u dënuan për përfshirje në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, përdhunim, sulm seksual, shkatërrim të pronës dhe dëbim të boshnjakëve në vitet 1993-1994.

Të gjashtë kishin role të larta politike ose ushtarake nga viti 1992 deri në vitin 1994. Stojiç ishte shefi ushtarak në Këshillin Kroat të Mbrojtjes, HVO, ndërsa Praljak ishte oficer i lartë i Ushtrisë Kroate, asistent i ministrit kroat të mbrojtjes dhe më vonë komandant i shtabit kryesor të Ushtrisë Kroate.

Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, një OJQ në Zagreb, tha se nëse mbrojtja do të mund të hedhë poshtë me sukses ekzistencën e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, kjo do të çojë në zvogëlimin e dënimeve të gjashtë burrave.

Por ajo që është më e rëndësishmja, ajo mund të shpërndajë akuzat se lidershipi politik dhe ushtarak kroat ishte i përfshirë në luftën e Bosnjës.

“Këto procedura janë të rëndësishme nga këndvështrimi i shtetit”, shpjegoi Jelena Gjokiq-Joviq, një këshilltare ligjore në Documenta.

Sipas vendimit të shkallës së parë, gjashtë burrat morën pjesë në sipërmarrjen e përbashkët kriminale së bashku me presidentin e Kroacisë Franjo Tuxhman, ministrin e Mbrojtjes Gojko Susak dhe gjeneralin e Ushtrisë Kroate Janko Bobetko. Që të tre këta tani kanë vdekur.

“Konflikti midis Këshillit Kroat të Mbrojtjes dhe Ushtrisë Boshnjake pati një karakter ndërkombëtar, pasi Kroacia ushtronte kontroll operacional mbi Këshillin Kroat të Mbrojtjes (i cili luftoi në Bosnjë)”, tha gjyqtari Jean Claude Antonetti.

Pasi u dha vendimi i shkallës së parë, Kroacia kërkoi të përfshihej në procedurën e apelit për të hedhur poshtë konkluzionet e gjykatës për rolin e Tuxhmanit, Susakut dhe Bobetkos.

Zagrebi kërkoi t’i jepej statusi “mik i gjykatës” (amicus curiae) në çështje.

Statusi do ta kishte lejuar Kroacinë të paraqiste dëshmi ose informacione të tjera pa qenë e pranishme vetë në gjyq, gjë që zyrtarët e Zagrebit e panë si një mundësi për të vërtetuar pafaj[sinë e Tuxhmanit, Susakut dhe Bobetkos.

Ministri kroat i Drejtësisë, Ante Sprlje, vitin e kaluar u shpreh se prokuroria e Hagës “nuk arriti të paraqiste ndonjë provë se ata synonin të kryenin krime” kundër boshnjakëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjokiq-Joviq tha se nëse Tuxhmani, Susaku dhe Bobetko do të ishin ende gjallë, kundër tyre do të hapeshin çështje më vete për të përcaktuar nëse ata ishin apo jo përgjegjës.

Siç theksoi ajo, “Gjykata e Hagës nuk gjykon vende, por individë”.

“Përgjegjësia e shtetit nuk mund të përcaktohet në bazë të vendimit. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që krimet e kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, që ishin një model i sjelljes në Herceg-Bosnjë në vitet 1992 dhe 1993, t’i paraqiten publikut”, tha ajo.

Kërkesa e Kroacisë për statusin “mik i gjykatës” u refuzua nga Gjykata.

Kryetari i Gjykatës së Hagës Carmel Agius tha në vendim se “Tuxhmani, Susaku dhe Bobetko nuk janë të akuzuar në këtë çështje”.

Agius shpjegoi se përmendja e tyre në vendim nuk nënkuptonte se gjykata akuzonte Kroacinë se kishte ndonjë përgjegjësi për krimet.

“Gjykata nuk ka juridiksion për të dhënë përfundime për përgjegjësitë e një shteti”, theksoi ai.

Përveç apelit të mbrojtjes, Prokuroria e Hagës apeloi gjithashtu kundër vendimit sepse ajo beson se gjashtë burrat duhet të marrin dënime më të gjata me burg.

Sipas vendimit të shkallës së parë, Prliç u dënua me 25 vjet burg, Stojiç, Praljak dhe Petkoviq u dënuan secili me nga 20 vjet burg, Coriq me 16 vjet burg dhe Pusiç me 10 vjet burg.

Slavko Kukiç, një profesor në Universitetin e Mostarit, tha se rezultati i apelit ishte i një rëndësie shumë të madhe, jo vetëm për kroatët në Bosnjë dhe Hercegovinë, por për vetë Kroacinë, e cila dëshiron të tregojë se doli “me duar të pastra” nga lufta e Bosnjës.

“Mendoj se është e rëndësishme të përcaktojmë rolin e Kroacisë në gjithë këtë histori, si edhe në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën, pavarësisht se çfarë roli ka qenë ky”, tha Kukiç.