Kriza Greke ua Kthen Mendjen Nga Shtëpia

Shqiptarët që jetojnë në Greqi kanë filluar të kthehen në vendlindje. Askush nuk e di se sa po kthehen, por gojëdhënat tregojnë se dy dekada të emigrimit në Greqi kanë përfunduar dhe se rrota po sillet në anën e kundërt. Kriza greke ka lënë të papunë shumë emigrantë shqiptarë që janë detyruar të shkojnë në shtëpi, edhe në qoftë se nuk ka punë për ta në Shqipëri.

Remitancat e dërguara nga shqiptarët emigrantë janë gjithashtu në rënie, duke pasqyruar rrethanat e diasporës.

Që kur nisi kriza financiare më 2008, Shqipëria ka pasur frikë nga një fluks masiv i kthimit të emigrantëve të papunë. Kjo nuk ka ndodhur. Sado që u keqësua situata në Greqi dhe Itali, ku jetojnë shumica e emigrantëve shqiptarë, për shumicën është më mirë që të ketë më pak punë në shtetin mikpritës, se sa mospunë në vendlindje. Por situata, sidomos në Greqi, është tani aq e tmerrshme sa që kjo ka filluar të ndryshojë.

Në të kaluarën, shumë shqiptarë kanë gjetur punë në Greqi në bujqësi, ndërtim dhe turizëm.

Por ndërtimi është ndërprerë dhe shumë grekë tani janë duke marrë vendet e punës në dy sektorët tjerë nëse mund t’i gjejnë – punë të cilat ata mund t’i kenë përçmuar deri së voni.

Potencialisht numri i të kthyerve mund të jetë i madh. Në fund të vitit të kaluar zyra statistikore e Shqipërisë lëshoi rezultatet paraprake nga regjistrimi i fundit. Gjetjet  treguan se ishin vetëm 2.8 milionë banorë brenda vendit, numër i cili ishte për disa qindra mija më pak se që pritej, ose 7.7 % më pak se një dekadë më parë.

Rreth 1.4 milionë shqiptarë besohet se kanë emigruar në 20 vitet e fundit. Nga ky numër rreth 483.000 janë regjistruar zyrtarisht në Itali dhe rreth 700.000 deri në 1 milion jetojnë në Greqinë fqinje.

Përderisa ka shumë dëshmi anekdotike rreth kthimeve, sidomos nga Greqia, nuk ka statistika të mirëfillta. 

Edmond Haxhinasto, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, thotë se emigrantët deri tani janë “ende duke qëndruar. Sipas të dhënave paraprake, vetëm disa janë kthyer në vendlindje”.

Në veri të Greqisë, në qytetin e Selanikut, Valbona Hystuna, e cila punon në Shoqatën Nëna Terezë Emigrantët Shqiptarë, thotë se “shumë njerëz kanë ikur, shumica planifikojnë të largohen dhe të gjithë janë duke folur për t’u kthyer. Shumë njerëz kanë humbur vendin e punës.”

Në të kaluarën, një numër i madh i shqiptarëve në Greqi ka punuar atje ilegalisht. Megjithatë, gjatë viteve shumica përdorën amnistitë për të legalizuar statusin e tyre. Tani, megjithatë, ata që humbin punën kanë frikë se do të humbin edhe lejet e qëndrimit të tyre. Në qoftë se ata i humbin lejet, duhet të kthehen në shtëpi ose të kthehen prapë në ilegalitet.

Derisa kriza thellohet në Greqi, shqiptarët thonë se policia tani është më syhapur, veçanërisht në kontrollimin e dokumenteve.

Pengesa të reja burokratike janë shfaqur si nga qielli.

Për shembull, fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të lindur në Greqi, iu duhen dokumente të lëshuara nga autoritetet shqiptare. Por grekët kanë filluar tani të refuzojnë pranimin e dokumenteve për fëmijët e lindur në Selanik siç bënë në të kaluarën, duke përmendur faktin se ata përdorin emrin shqiptarë për qytetin, Selanik, në vend se atë grek Thessaloniki.

Ekonomisti shqiptar Adrian Civici, thotë se është vështirë të vlerësohet numri i të kthyerve, sepse shumë nuk janë kthyer “plotësisht prapa. Ata vijnë dhe shkojnë”. Kjo analizë mbështetet nga Hystuna dhe kolegu i saj, Iris Hajdinaj. Në shumë raste emigrantët kthehen në fshatrat që ata mund të kenë lënë 15 vjet më parë për të parë nëse është e mundur për të gjetur punë, ose madje edhe të punojnë në bujqësi. Duke i parë të dyja si të pamundura, ata rikthehen në Greqi. “Shqipëria ka ndryshuar shumë që nga koha që ata u larguan”, thotë Hajdinaj.

Pak mund të fitojnë nga bujqësia në Shqipëri, sepse, pavarësisht nga kriza greke, prodhimet greke janë akoma më pak të kushtueshme.

Shumë e shohin jetën e fshatit shumë të vështirë pas viteve në qytetet e mëdha moderne, si Athina dhe Selaniku. Ata nuk kanë të holla për qira dhe jetesë në Tiranë apo qytete tjera të mëdha.

Emigrantët me familje kanë probleme serioze. Shqiptarët në Greqi janë të integruar përgjithësisht mirë, shumica e fëmijëve të tyre flasin më mirë greqisht, sesa shqip. Është jashtëzakonisht e vështirë për ta për të kaluar në një shkollë shqipe dhe një program të ri arsimor. Nuk ka mekanizma për t’i ndihmuar ata, dhe kjo është një nga problemet kryesore që pengojnë familjet që përndryshe mund të kthehet në shtëpi.

Që të dy, Hystuna e Hajdinaj, japin mësim në gjuhën shqipe në një shkollë të vogël, çdo të diel, për fëmijët. Ideja është për t’u siguruar se leximi dhe shkrimi në veçanti nuk humbet. Këtë vit kanë 123 nxënës. Dy vjet më parë ishin veç 65. Kur fëmijët dalin nga shkolla flasin greqisht me njëri-tjetrin.

Në qoftë se është vështirë të vlerësohet numri i të kthyerve, është po aq e vështirë për të dhënë shifra të sakta në lidhje me sasinë e parave të dërguara nga emigrantët, sepse shumë nga to shkojnë në xhepat e njerëzve.

Megjithatë statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë japin një pasqyrë të qartë i trendit.

Në vitin 2007, emigrantët dërguan € 951.7 milionë. Deri në vitin 2010 kjo shifër zbriti në për 689.8 milionë, kurse për tri çerekët e parë të vitit 2011, qëndroi në € 475 milionë. Në vitin 2009 remitancat vlerësohej se përbëjnë deri 9% të BPV-së së Shqipërisë.

Ekonomia e Shqipërisë nuk shkoi në recesion gjatë krizës globale dhe pritet të jetë rritur për 2.5 % gjatë 2011. Por kjo nuk do të thotë që të atdhesuarit do të gjejnë punë.

Disa kompani greke kanë filluar të hapin degë në Shqipëri, të drejtuar nga shqiptarë besnikë që kanë punuar për ta në Greqi.

Një tjetër nënprodukt i krizës është se shumë shqiptarë në Greqi kanë transferuar kursimet e tyre në bankat që operojnë në Shqipëri, nga frika se çfarë mund të ndodhë me ta nëse Greqia del nga eurozona.

Mbetet të shihet nëse kjo gjendje do të shkojë drejt përkeqësimit për shqiptarët, duke i detyruar ata që të kthehen në shtëpi, apo nëse situata në Greqi do të stabilizohet dhe përmirësohet ekonomia.