BE Kritikon Vendet e Ballkanit për Krimet e Luftës

Raporti i progresit i përvitshëm i BE-së për Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën, i publikuar të mërkurën, tha se tre vendet e Ballkanit ende duhet të bëjnë më shumë për të trajtuar krimet e kryera gjatë luftërave të viteve 1990 dhe impaktin e tyre të qëndrueshëm.

Serbia kritikohet për mungesë bashkëpunimi me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe ekstradimin e tre anëtarëve të kërkuar të Partisë nacionaliste Radikale Serbe në Hagë.

Në Kosovë, ai paralajmëron se prokurorët e krimeve të luftës dhe policia mund të kenë mungesë burimesh financiare dhe të jenë të nën-kualifikuar.

Ai shpreh gjithashtu shqetësime të vazhdueshme në lidhje me sasinë e madhe të çështjeve të papërpunuara të krimeve të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në përgjithësi, fati i pazgjidhur i afërsisht 11,000 personave që u zhdukën gjatë konflikteve të viteve 1990 mbetet një shqetësim humanitar, thonë raportet.

Nga këto, rreth 6,900 çështje janë të lidhura me konfliktin në Bosnjë dhe Hercegovinë, 2,100 me konfliktin në Kroaci dhe rreth 1,600 me konfliktin në Kosovë, sipas shifrave nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

“Mungesa e informacioneve mbi varret dhe vështirësitë në identifikimin e eshtrave të zhvarrosura vazhdojnë të jenë pengesat kryesore për zgjidhjen e rasteve të mbetura të personave të zhdukur në rajon,” thotë BE.

Serbia qortohet për mos ekstradimin e radikalëve

Raporti tha se ky ishte një shqetësim serioz se Serbia ishte larguar nga bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Kritika vjen nga refuzimi i Serbisë për të dorëzuar tre anëtarët e Partisë Radikale Serbe që kërkohen për shpërfillje të gjykatës për dyshime se kanë ndërhyre te dëshmitarët në gjyqin e lideri të tyre Vojisllav Shesheli.

Raporti thotë se Serbia duhet të zbatojë plotësisht rregullat dhe vendimet e ICTY-së.

“Angazhimi i Serbisë për të punuar në drejtim të bashkëpunimit dhe pajtimit rajonal duhet të përfshijë gatishmërinë për t’u përballur me të kaluarën e saj të kohëve të fundit dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për të krijuar një atmosferë të favorshme për të trajtuar të gjitha krimet e luftës,” shton ai.

Ai përshkruan miratimin në shkurt të vitit 2016 të një strategjie kombëtare për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, si një “hap i rëndësishëm përpara”, por i bën thirrje Serbisë të përshpejtojë zbatimin e strategjisë dhe të miratojë një strategji operacionale prokuroriale.

Raporti përshëndet faktin se Zyra Serbe e Prokurorit të Krimeve të Luftës ka vazhduar bashkëpunimin me vendet e tjera të rajonit për shkëmbimin e fakteve dhe informacioneve.

“Zhvillimet më të rëndësishme kanë të bëjnë me numrin e rasteve të referuara në shërbimet e prokurorisë në Bosnjë dhe Hercegovinë (16 raste) dhe Kroaci (44 raste),” vë në dukje ai.

Por ai shpreh shqetësimin serioz se mandati i ish-Prokurorit të Krimeve të Luftës mbaroi në dhjetor të vitit 2015 dhe pasardhësi i tij nuk është emëruar ende.

Ai vë gjithashtu në dukje se vetëm dy padi të reja për krime lufte janë dorëzuar në vitin 2015 dhe nuk ka pasur progres në hetimin e çështjeve të profilit të lartë.

Njësia e krimeve të Luftës në Kosovë nën presion

Raporti i BE-së paralajmërojnë se edhe pse Kosova ka ngritur një departament krimesh lufte brenda Zyrës së saj të Prokurorisë Speciale, ai ka vetëm dy prokurorë vendas për një sasi pune që do të shtohet edhe më tej kur çështje të tjera të dorëzohen nga EULEX.

Njësisë së investigimit të krimeve të luftës të policisë së Kosovës i janë dhënë staf shtesë, automjete dhe kompjuterë, por ka mungesë personeli të kualifikuar, thotë ai.

“Eksperienca e kufizuar dhe mungesa e hetuesve me një prejardhje etnike serbe, staf analize inteligjence penale dhe kapacitet gjuhësor dhe përkthimi, ka një impakt të madh në punën e njësisë,” paralajmëron ai.

Në çështjet ku të dyshuarit janë serbë etnikë, që jetojnë kryesisht në Serbi, bashkëpunimi i përbashkët ligjor midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ekziston, thotë ai.

Ai shpreh gjithashtu shqetësim për aftësinë dhe vullnetin e Prishtinës për të trajtuar raste krimesh lufte ku përfshihen ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1, 665 personat që janë zhdukur që prej konfliktit është një tjetër çështje e rëndësishme për Kosovën, thotë raporti.

“Fati i pazgjidhur i personave të zhdukur nga konflikti i viteve 1990 mbetet një shqetësim humanitar, zgjidhja e të cilit është diçka tepër e rëndësishme për pajtimin dhe stabilitetin në rajon,” shpjegon ai.

“Politizimi i procesit, përfshirë edhe deklarata të panevojshme në media dhe një dobësim i mëtejshëm i procesit për shkak të mosmarrëveshjeve ndërinstitucionale, duhet të shmanget,” shton ai.

Qeveria e Kosovës duhet “të tregojë përkushtim më të madh politik dhe përpjekje të rinovuara” për të gjetur personat e zhdukur, argumenton raporti, duke thënë se duhet të krijohet një regjistër qendror i personave të zhdukur.

Ai shpreh gjithashtu shqetësim për mungesë progresi në trajtimin e eshtrave njerëzore të paidentifikuara që ruhen në morgun e Prishtinës.

Megjithatë, raporti thekson se Kosova i përmbushi detyrimet e saj në lidhje me krijimin e Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special me bazë në Hagë, e cila do të hetojë dhe gjykojë krimet e dyshuara të kryera nga luftëtarët e UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999.

Bosnja: mbetet një sasi e madhe çështjesh të patrajtuara

Raporti thotë se Bosnja dhe Hercegovina “e trajtoi edhe më tej” grumbullin e saj të madh të ndjekjeve penale të krimeve të luftës, me një rritje në padi midis shtatorit 2015 dhe gushtit 2016.

“Ka pasur një tren pozitiv të vazhdueshëm në ndjekjen e suksesshme penale të çështjeve të krimeve të luftës ku përfshihet dhunë seksuale. Dënimet përfundimtare arritën në 25 çështje,” thotë raporte.

Megjithatë, paralajmëron se një numër i madh çështjesh mbeten dhe kërkohen më shumë përpjekje, “sidomos për të siguruar kuptimin institucional, për të përmirësuar besimin e viktimave në sistemin gjyqësor dhe për të shmangur traumatizimin përsëri të viktimave dhe dëshmitarëve”.

Ai shpreh shqetësim të mëtejshëm se viktimat femra të luftës nuk kanë të njëjtin status ligjor në dy entitetet e Bosnjës, Republikën Srpska dhe Federatë.

Ai thotë se vënia në zbatim e objektivave të strategjisë për krimet kombëtare të luftës në vend vazhdonte, me më pak raste të ndërlikuara që transferohen nga sistemi gjyqësor në nivel shtetëror në sisteme më të ulëta gjyqësore, por paralajmëron se Bosnja dhe Hercegovina ende është mbrapa me afatin për të përpunuar çështje më komplekse.

“Afati fillestar prej shtatë vitesh për të zgjidhur çështjet më komplekse deri në dhjetor 2015 nuk u përmbush dhe duhet të bihet ende dakord për një afat të ri të rishikuar,” thotë ai.