Ndërtesa e Komunës së Vitisë - Foto: KALLXO.com

Kriteret e Kundërligjshme për Punësimin e Mësimdhënësve

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë ka vendosur kritere në kundërshtim me ligjin për punësimin e një mësimdhënësi të gjeografisë në shkollën “Kongresi i Manastirit” në Pozharan.

Kjo është konfirmuar nga Ministria e Arsimit.

“Komisioni intervistues me rastin e vlerësimit të kandidatëve ka caktuar kriter (notën mesatare) në kundërshtim me rregullativën ligjore në fuqi (neni 35, paragrafi 5 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Udhëzimi Administrativ nr.17/2009)”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Alush Istogu, u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

E në nenin 35, paragrafi 5 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar nuk potencohet nota mesatare si kriter.

“Kur bëhet përzgjedhja midis një apo më shumë kandidatëve për një post menaxhues ose për mësimdhënës, merren për bazë kushtet, si janë: arsimimi i secilit kandidat, përvoja, kualifikimet për pozitë dhe nevojat që do të plotësojë ky emërim. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk i plotëson kushtet për kualifikim të përcaktuar në këtë ligj, mund të bëhet një emërim i përkohshëm. Emërimet e tilla përfundojnë në ditën e fundit të vitit shkollor gjatë të cilit është bërë emërimi”, thuhet në nenin 35, paragrafi 5 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar.

Drejtoria e Arsimit në Viti ka dhënë përgjigje kundërthënëse për KALLXO.com.

Fillimisht kanë thënë se është vërtetuar vendimi i tyre, e më vonë kanë thënë se do ta kthejnë vendimin në rishqyrtim, siç është kërkuar në vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të MASHT-it.

“Deri më tani nuk e kemi zbatuar sepse lënda ka qenë në Gjykatë dhe e kemi mbajtur seancën gjyqësore. Po ashtu DKA-ja ka ftuar Komisionin intervistues për rishqyrtimin e poentimit të kandidatëve konform vendimit të Sekretarit  të Përgjithshëm të MAShT-it”, thuhet në përgjigjen e DKA-së në Viti.

Për këtë rast është ankuar Vullkan Terziu, i cili pretendon se i është bërë e padrejtë.

Thotë se ka parashtruar padi civile në gjykatë pasi kishte marrë përgjigjen nga Komuna e Vitisë se me këtë konkurs kishte marrë fund gjithçka edhe përkundër vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të MAShT.

“Kur kam pyetur në DKA – Viti nëse do të zbatohet ky vendim i shkallës së fundit në procedurën administrative, ata më janë përgjigjur se kjo çështje në lidhje me këtë konkurs ka përfunduar. Prandaj i jam drejtuar gjykatës në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Vullkan Terziu për KALLXO.com.

N.H. është pranuar mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë në Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozharan edhe pse ajo nuk ishte kandidatja më e suksesshme, në konkursin e hapur nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë (DKA).

Më shumë pikë se ajo kishte grumbulluar kundërkandidati Vullkan Terziu.

“N. H. ka tubuar 13.5 pikë nga paneli intervistues, në krahasim me Vullkan Terziun i cili ka tubuar 14 pikë. DKA-ja përparësi në këtë rast i ka dhënë N.H., duke u bazuar në pozitën-statusin e saj familjar, nënë dhe mosha e saj 50 vjeçare, gjininë dhe rrethana të tjera, udhëtimin, pritjen e gjatë për punë etj”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë për KALLXO.com.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vitisë në përgjigjen e tyre për KALLXO.com ka thënë se Komisioni intervistues ka vepruar sipas Ligjit të Arsimit Parauniversitar nr.04/L-012, neni 35, paragrafi 5 dhe Udhëzimin Administrativ nr.06/2015 për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm.

As në nenin 35, paragrafi 5 i Ligjit për Arsimin Parauniversitar e as në Udhëzimin Administrativ nr.06/2015 për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm nuk potencohet që mosha, udhëtimi apo pritja të caktohen të merren parasysh kur punësohet një kandidat.

Në Udhëzimin Administrativ nr.06/2015 për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm potencohet vetëm niveli i arsimit që duhet të ketë një kandidat për të qenë mësimdhënës i lëndës së gjeografisë.

“Këtë kriter e kanë edhe komunat tjera dhe formulari i poentimit është mostër që e përdorin edhe DKA-të tjera. Nota mesatare është si kriter kur kandidatët kanë kualifikim të njëjtë dhe pikë të njëjta dhe aplikohet për t’i dalluar kandidatët në aspektin pozitiv”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Viti.

Por Drejtoria e Arsimit në Viti nuk e vlerëson se anëtarët e komisionit intervistues kanë bërë ndonjë shkelje ligjore gjatë përzgjedhjes së kandidatit më të suksesshëm për arsimtar të gjeografisë në Shkollën e Mesme të Lartë “Kongresi i Manastirit” në Pozharan.

“Komisioni intervistues nuk ka bërë shkelje ligjore sepse kriteret që kërkohen me normativin në fuqi, i ka zbatuar, si kualifikimi  kandidatit, përvoja e punës, këto janë kritere ligjore që duhet të respektohen domosdoshmërisht, ndërsa kriteret tjera si nota mesatare, paraqitja në intervistë janë kritere, për të bërë dallim dhe për tu pranuar kandidati më i merituar”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka shkruar për këtë rast edhe gjatë muajit qershor, në kohën kur ende Vullkan Terziu nuk kishte marrë përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Tentativat e Legjitimimit të Punësimit Jomeritor