Krimi Shpërblehet në Emër të Barazisë

Për të zgjidhur problemet në veri të Kosovës – legalizimin e institucioneve paralele serbe, duke i futur nën ato kosovare dhe duke u dhënë serbëve shumë më shumë vetëqeverisje – është dashur një amnisti. Do të ishte vështirë të arrihej një marrëveshje e zbatueshme pa të. Gati nuk ka luftë a konflikt civil brenda një shteti që ka mbaruar me marrëveshje, e pa amnisti. Në rajon, kështu ka mbaruar konflikti në Maqedoni, konflikti në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Por në asnjë nga këto raste nuk ishte përfshirë në fushëveprimin amnistisë e tërë popullata. Ato ndërlidhin drejtpërdrejt vetëm të përfshirët në konflikt, d.m.th. bëhej fjalë për krimet e kryera gjatë konfliktit. Kështu amnistimi i qytetarëve serbë të veriut – të cilët për shembull nuk kanë përdorur vulat e Kosovës, por ato të Serbisë, e kanë kaluar kufirin ilegalisht, ose kanë punuar për policinë e Serbisë – është ndoshta i dhimbshëm, por një gjë që duhet të bëhet. Këtu mund të futet edhe mospagesa e tatimeve për Qeverinë e Kosovës, ose gjëra të tilla që lidhen me gjendjen specifike të veriut. Një amnisti është e domosdoshme për të mbyllur një kapitull në atë pjesë të Kosovës. Sepse ndërlidhet me rezistencë në masë të madhe politike, gjë që është krejt legjitime. Por, pse të bëhet amnisti edhe për ata që nuk kanë të bëjnë me veriun? Ky është budallallëku dhe precedenti që i bën njerëzit e ndërgjegjshëm të pyeten “a thua pse po i paguaj faturat!?”.

Pra problemi i ligjit është se kjo amnisti i përfshinë edhe të gjithë fajdexhinjtë e Kosovës në kuadër të pikës “1.1.23 kontraktimi i përfitimit joproporcional”, që është ligji që policia e Kosovës shfrytëzon për ndjekjen e tyre, përfshin të gjithë hajnat e dënuar dhe të padënuar të Kosovës, si dhe personat e involvuar në vrasje 1.1.1 vrasja e kryer në gjendje të afektit mendor (neni 148); 1.1.2 vrasja nga pakujdesia (neni 149). Për shembull, me këtë ligj do të mund të amnistohet ish-kryetari i komunës së Ferizajt i cili ka shkaktuar vdekjen e një djaloshi nga pakujdesia e tij në trafik. Pse të fitojë ish-kryetari i kësaj komune nga marrëveshja Kosovë-Serbi?

Ky ligj është bërë për të përfshirë një pjesë të njerëzve të cilët dihet se kush janë dhe çka kanë bërë – pra i kanë bërë veprat e sipërpërmendura. Edhe një vepër tjetër, e cila është për mua e pafalshme, 1.1.3 vrasja e foshnjave gjatë lindjes (neni 150), është gjithashtu pjesë e këtij ligji. Shumë më intereson kujt iu ka nevojitur kjo?

Amnistia e plotë u jepet të gjithë atyre që kanë punuar kundër shtetit e kanë thyer kodin doganor të Kosovës, i kanë ikur taksave, kanë falsifikuar dhe kanë bërë shkelje të ngjashme. Kjo gjithsesi se do i gëzojë shumë biznese që është dashur të paguajnë dënime të larta, e që nuk e kanë bërë deri tash dhe gjithsesi se do vazhdojë t’i dëmtojë të gjithë ato biznese që kanë paguar taksa dhe tash nuk mund të jenë konkurrentë, pasi trafikantët janë liruar. As te këto, nuk ka shumë gjëra që ndërlidhen me raportet Kosovë-Serbi.

Në këtë amnistim të plotë përfshihen trafikantët e drogës dhe armëve, (1.2.9.2 tregtia e ndaluar (neni 246)), kontrabadistët e ndryshëm (1.2.9.4 kontrabandimi i mallrave (neni 273)), falsifikatorët (falsifikimi i dokumenteve zyrtare (neni 348)), ikja nga tatimi (1.1.15.5 shmangia nga tatimi (neni 313)). Gjithashtu përfshihen nënshkrimet e kontratave të dëmshme për ndërmarrjet publike dhe private ose për ministritë (keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi (neni 108 paragrafët 1, 2, 3, 4, dhe 5)). Do të thotë të gjithë ata që kanë nënshkruar kontrata të tenderëve të dyshimtë tash janë të liruar plotësisht me këtë ligj. Kjo pjesë që përfshin ata në veri ku ka qenë gjendje e jashtëzakonshme, na përfshinë edhe neve këtu në pjesën tjetër të Kosovës ku pasuria është grumbulluar në shumë pak njerëz. Pra të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve publike e komunale tash duhet të qesin pushkë ‘se përfundoi puna e na e th…’ me këtë ligj.

Kjo amnisti, gjithashtu, pak a shumë ia bën të pamundshme ATK-së që të shkojë te një biznes dhe të shikojë nëse iu ka shmangur tatimit për periudhën e kaluar. Pasi, edhe nëse nuk janë paguar, biznesi mund të ndiqet, por kjo do të jetë punë koti – siç e rregullon amnistia.

Në fund, ky ligj do të përfshijë edhe të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! që janë të ndjekur për vepra si 1.1.15.12 pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare  (neni 409, para 1, 2 dhe 3), 1.1.15.13 sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare (neni 410, para. 1) përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje. Me aktivistët këtu përfshihen edhe djemtë e shefit të shefave, kryetarit të Grupit parlamentar të PDK-së, i cili sigurisht se do votojë për.

Për këtë ligj do të votojnë njerëz cilët janë në ulëset e veta në bazë të proporcioneve unike të Kosovës, pra vetëm me disa qindra vota, dhe të cilët peshojnë njëjtë me disa që janë zgjedhur nga mijëra votues.

Ky ligj mund të mos kalojë dhe kështu të mos e dëmtojë vendin dhe vetë procesin negociues për veriun dhe marrëdhëniet me Serbinë.