Krasniqi: Vizita e Markoviqit në Biznesin e Këshilltarit të Haradinajt, Konflikt Interesi

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, gjatë qëndrimit nesër në Kosovë, agjendën do ta përmbyllë me vizitën në kompaninë e Gazmend Abrashit, këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Albert Krasniqi nga KDI thotë se kjo përben konflikt të interesit referuar Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në funksionit publik.

Referuar agjendës zyrtare të Qeverisë, pak para mesditës, në orën 11:00, Markoviq do të pritet në koktej rasti nga kompanitë nga vendi që punojnë me vendet e rajonit. Takimi do të zhvillohet në objektin e “Exclusive Group”, biznes i Gazmend Abrashit. 

Në nenin 4, pika 1.3 të këtij ligji specifikohet se zyrtarë të lartë publik konsiderohen edhe këshilltarët politikë dhe të gjithë të emëruarit tjerë. Rrjedhimisht, Gazmend Abrashi si këshilltar i kryeministrit i bie të jetë zyrtar i lartë publik.

Tutje në nenin 6 të këtij ligji specifikohet se përveç interesave të drejtpërdrejta, konflikt interesi përbëjnë edhe interesat e tërthorta.

“Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik”.

E këtu sipas Krasniqit ka përfitim ngase, siç shpejgon ai, vet emri i kompanisë së Abrashit në agjendën zyrtare të dërguar nga Zyra e Kryeministrit përbën reklamë, shto këtu edhe faktin që nesër llogo e kompanisë së tij do të jetë në të gjitha mediat, vendore dhe të huaja [malazeze].

“Përveç përfitimit pasuror është edhe përfitimi jo pasuror. E ky i fundit lidhet me promovimin e kompanisë së tij. Është shfrytëzimi i funksionit publik për promovimin e kompanisë së tij, ku interesi privat bie ndesh me atë publik”, tha Krasniqi për Gazeten JnK.

Në nenin 14, pika  të Ligjit për Parandalimin e Interesit thuhet se zyrtari i lartë publik gjatë ushtrimit të këtij funksioni, aksionet/kapitalin që ka në një ndërmarrje, duhet t’i transferojë të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo drejtimit tё ndërmarrjes te ndonjë person të besuar.

Pika 2 thotë se “Personi Zyrtar i lartë, është i obliguar qe në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga zgjedhja, vendosja ose emërimi në detyrë me post zyrtar, të bëjë transferimin e të drejtave në udhëheqjen e ndërmarrjes në personin e besuar kurse brenda afatit prej pesë (5) ditë nga data e transferimit se këtyre të drejtave ta njoftojë me shkrim Agjencinë”.

“Këtu interesant private bien ndesh me atë to publike, nëse ai nuk ka dorëzuar aksionet te një person i besueshëm”, tha Krasniqi.

Gazeta JnK i ka dërguar pyetje Abrashit se a ka hequr dorë nga menaxhimi i kompanisë pasi është emëruar këshilltar, por ai nuk ka kthyer përgjigje. Gazeta JnK ka hulumtuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion, për të parë nëse ka vendim për z. Abrashi, por në këtë faqe nuk figuron asnjë vendim i tillë.

E në faqen zyrtare të kompanisë “Exclusive Group”, Gazmend Abrashi figuron si president, ndërsa në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Abrashi figuron pronar i kompanisë “Exclusive”, ndërsa drejtor/agjent i regjistruar është Lirim Shulina.

Abrashi ka thënë se shpenzimet për pritjen e kryeministrit malazezë do të mbulohen nga biznesi i tij.

“Takimi i kryeministrit malazez me komunitetin e biznesit, për arsye logjistike, organizative, hapësirës adekuate dhe të sigurisë, është përzgjedhur të organizohet në selinë e ‘Exclusive Group’ në zonën industriale si nikoqir”, ka thënë Abrashi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se këtu nuk ka asnjë konflikt interesi ngase kompania e tij nuk operon me asnjë aktivitet në Mal të Zi.

”Komplet shpenzimet e këtij takimi i mbulon ‘Exclusive Group’”, tha ai.

Nesër Dushko Markoviqit në Kosovë do të pritet nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. E agjendën do ta përmbyllë me vizitën në kompaninë e Gazmend Abrashit, këshilltarit të kryeministrit, ku do te takohet me biznese.

05 Shkurt 2018 - 23:29

Erjonë Popova 05/02/2018 - 23:29
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend