Kosovarët për Islam Tradicional

Shumica e kosovarëve janë pro islamit tradicional në Kosovë dhe kundër risive të reja, ka treguar një hulumtim i kryer së fundi. Islamizmi radikal shihet si një rrezik për shoqërinë kosovare dhe orientimin e saj pro-perëndimor, nga 24.3 për qind e të anketuarve nga Qendra Humanistike “Gani Bobi”.

Ndërsa 8 për qind nga 878 respondentët konsiderojnë se feja islame është e diskriminuar në Kosovë nga ligji ose në praktikë.

Në ambientet e “Sheshit 21” sot u mbajt tryeza me temën “Interesi publik dhe religjioni”. Tryeza u organizua nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me “Gani Bobi”-in.

Debati vjen në kohën kur grupe dhe organizata të ndryshme fetare në Kosovë kanë shtuar presionin e tyre për pranimin e shamisë në institucionet shtetërore, futjen e edukatës fetare në kuadër të shkollave publike dhe ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës. 

Kuvendi i Kosovës, javë më parë e rrëzoi një projektligj i cili synonte arritjen e këtyre qëllimeve. Rrëzimi u bë nën arsyetimin se projektligji cenonte parimin kushtetues të sekularitetit të shtetit.

Mirëpo sipas Luan Shllakut, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), “mendimi i parlamentit ishte më shumë si një matematikë politike dhe mungonte mendimi i opinionit publik kosovar”.

Për këtë arsye këto dy organizata formuluan pyetësorin që përmbante pyetje lidhur me religjionin.

Pyetësori që iu prezantua pjesëmarrësve nga Shkëlzen Maliqi, drejtor i Qendrës “Gani Bobi” dhe Blerim Latifi, profesor në Universitetin e Prishtinës, u realizua me një mostër reprezentative prej 878 personave. Për shkak të kohës së shkurtër për realizimin e hulumtimit dhe situatës specifike në enklavat me shumicë serbe, pyetësori u tha se është kryer vetëm me qytetarë shqiptarë.

Një nga çështjet e prekura në hulumtim është çështja e raporteve të shoqërisë kosovare me botën perëndimore. Në hulumtimin që e ka realizuar Qendra “Gani Bobi”, qytetarët e anketuar janë pyetur se a janë apo nuk janë që Kosova të ndjekë kursin e saj perëndimor.

Nga të anketuarit rikonfirmohet mendimi i njohur se kosovarët janë një nga popujt me ndjenjat më të fuqishme properëndimore. Sa i përket tolerancës ndërfetare te shqiptarët, përmes vargjeve të njohura të shkrimtarit rilindas Pashko Vasa është pyetur nëse këto vargje i reprezentojnë botëkuptimet e kosovarëve. Shumica e të anketuarve mendojnë se tradita e tolerancës ndërfetare te shqiptarët është traditë shembullore dhe duhet të vlejë edhe në të ardhmen.

Përqindjen e lartë të të anketuarve të cilët shprehen se mbajtja e shamisë në shkolla publike duhet lejuar me ligj, Shkëlzen Maliqi e shpjegon me konfuzionin e krijuar në opinionin publik rreth statusit normativ të lejimit të shamisë, se a përbën shamia një liri individuale, apo një obligim fetar.

Edhe sa i përket futjes së edukatës fetare në shkollat publike, ka dalë një përkrahje e lartë me 59% e cila sipas realizuesve të hulumtimit arsyetohet me pikëpamjen e shoqërisë kosovare se religjioni ka një dimension të edukatës morale që i shtyn njerëzit drejt sjelljes dhe veprimeve të mira.
“Konstatimi nga të dhënat e dala nga hulumtimi është se shumica e qytetarëve të anketuar mbështesin idenë se duhet ndërtuar një xhami në qendër të Prishtinës”, ka shpjeguar Latifi, grafikonin e përgjigjeve për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë.

Drejtuesit e hulumtimit, mbështetjen e konsiderueshme për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës e lidhin edhe me një ndjesi që e kanë qytetarët që po ndodh një lloj diskriminimi i fesë islame në Kosovë.

Në pyetjen se a është ndonjëra nga fetë në Kosovë e diskriminuar nga ligji ose në praktikë, 8% e të anketuarve mendojnë se ka diskriminim të tillë ndaj fesë islame.

Të anketuarit shprehen kategorikisht pro islamit që konsiderohet tradicional në Kosovë dhe kundër risive të reja. Lidhur me islamizmin radikal, 24.3 për qind e tyre mendojnë se është një rrezik për shoqërinë kosovare dhe orientimin e saj pro-perëndimor.

Xhabir Hamiti, panelist, pas prezantimit të rezultateve theksoi se praktikimi i lirë i fesë duhet respektuar dhe lejuar me ligj. Lidhur me lejimin e edukatës fetare në shkolla ai shprehet “Në të ardhmen, me një kurikulë mirë të përgatitur dhe të përshtatur me kujdes duhet të mendohet për futjen e edukatës fetare në shkollat publike”. Gjithashtu ai porositi që kërkesa për ndërtimin  e xhamisë në qendër të Prishtinës të mos shihet si reagim ndaj katedrales.

Politikologu i ftuar nga Tirana, Ermal Hasimja, vuri theksin në konceptin e tolerancës dhe bashkëjetesës mes feve të ndryshme. Sipas tij, toleranca përfaqëson një lloj superioriteti ndaj tjetrit. “Duke toleruar tjetrin, ne nuk pajtohemi me të, por vetëm e pranojmë të jetojmë dhe kjo nuk është ajo që duhet të synohet, por bashkëjetesa me fetë e tjera duhet të jetë qëllimi i qytetarëve shqiptarë”. Sa i përket lëndës fetare në shkolla, ai shprehet skeptik ndaj llojit të dytë i cili, sipas tij, do të përcillte parime dhe norma fetare tek nxënësit, ndërsa lloji i parë që është informimi mbi fetë e ndryshme, nuk do të paraqiste ndonjë problem.

Besa Luzha dhe Flora Macula, pjesëmarrëse në tryezë, ngritën problemin e pozitës së femrës në këtë çështje. “Pse duhet që në supet e femrës të bie mbrojtja e moralit”, tha Macula. Ndërsa Luzha komentoi mbi praktikimin e fesë si e drejtë e secilit individ. “Mënyra dhe niveli i praktikimit të fesë është e drejtë individuale”, u shpreh ajo.

Një konstatim që doli nga tryeza është se nevojitet një analizë e thellë e disponimit të qytetarëve të Kosovës lidhur me raportin e rolit të religjionit me institucionet sekulare dhe angazhim më i madh i politikës në zgjidhjen e pikëpyetjeve që po mbajnë debatin të hapur.