Kosovarët Janë Ligë e Kampionëve për Mish

Familjet kosovare shpenzojnë rreth 479 euro në mish, por vetëm dy nga tridhjetë thertore të licencuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) bëjnë pjesë në kategorinë A – me mangësi të vogla dhe rrezikshmëri të ultë për konsumatorin. 

Besa Haqifi, zyrtare e lartë në sektorin e standardit jetësor në Entin e Statistikave të Kosovës (ESK), ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se, bazuar në të dhënat e vitit 2010, kosovarët më së shumti blejnë mish pule (22 për qind), suxhuk (19 për qind) ndërsa më së paku mish qengji (0.3 për qind). (Shih dokumentin)

 
   

Konsumi i mishit konsiderohet shumë i rëndësishëm për shëndetin e njeriut, duke pasur parasysh që ka shumë vitamina të cilat janë të nevojshme për organizëm si A, B6, B12, D etj. 

Po në vitin 2010, sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave në Mbretrinë e Bashkuar familjet britanike harxhuan mesatarisht 874 euro për produkte të mishit. Ndërsa zviceranët shumë më pak, vetëm rreth 130 euro në vit.  

Por përveç konsumit të lartë kosovar, edhe rreziku që vjen prej mishit duket të jetë i lartë.

AUV ka licencuar 30 thertore në tërë territorin e vendit të cilat mund të përgatisin mishin për shitje. Me ndihmën e Komisionit Europian dhe duke pasur parasysh rregulloret e pakos higjenike, ky institucion kishte bërë kategorizimin e thertoreve bazuar në vlerësimin e rrezikut, llojit të produkteve, sasisë dhe kushteve higjienike.

Vetëm dy prej tyre ishin kategorizuar në A, me rrezikshmëri dhe me mangësi të vogla. 

Lamir Thaçi, zyrtar për Informim i AUV-së, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se 12 thertore tjera bëjnë pjesë në kategorinë B. “Kjo dmth. në përgjithësi kërkesat për aprovim janë përmbushur, mangësi janë vërejtur dhe të njëjtat duhet të eliminohen (rrezik i mesëm)”, ka thënë ai. 

Në kategorinë C – nuk janë përmbushur kërkesat për aprovim, por mangësitë ka mundësi të eliminohen me një investim mesatar (rrezik i mesëm) – kategorizohen 6 thertore. Ndërsa në kategorinë D – kërkesat për aprovim mund të përmbushen vetëm pas një investimit të madh për eliminimin e mangësive të vërejtura (rrezik i lartë) – gjenden 10 thertore. 

Megjithatë, AUV thotë se garanton të gjithë konsumatoret e vendit se të gjitha produktet ushqimore që prodhohen nga prodhuesit e licencuar dhe kontrolluar nga inspektoret e agjencisë janë të sigurta për konsum. 

“Pasuria më e madhe e një vendi janë qytetarët e shëndoshë”, thotë zëdhënësi Lamir Thaçi. 

Standardet e therjes së kafshëve 

AUV thotë se në thertoret e licencuara nuk bëhet “vrasja” e kafshëve por trullosja, me pajisje të lejuara me legjislacion dhe standarde ndërkombëtare, siç është “pistoleta me piston penetrues”, e pas trullosjes duhet që në afat sa më të shkurtër të bëhet edhe “rherja” – rrjedhja e gjakut të kafshës.

“Në ç’do rast, siç praktikohet edhe tek kafshët e gjahut, vrasja me armë zjarri nuk paraqet rrezik nga vet procesi veçse nëse merren masa për manipulim korrekt me gjahun pas vrasjes”, thotë zëdhënësi Thaçi.

Afrim Hamidi, ligjërues në fushën e higjienës së mishit dhe prodhimeve të tij në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, thotë se therja e kafshëve duhet të jetë sa më humane.

“Njëra nga kushtet që duhet të plotësohen që ky qëllim të arrihet është që therja e kafshëve të bëhet me trullosje e pastaj të vazhdohet me procedura tjera. Gjithashtu duhet që transporti i kafshëve të bëhet në mëngjes herët”. 

Hamidi, nga përvoja e tij me shumicën e thertoreve, thotë se “në to nuk egzistojnë kushte minimale higjienike”. Ai nuk është i pajtimit që therja të bëhet në mënyrën tradicionale, për çka thotë se “një gjakësim jo i mirë përbën një rrezik të madh për rritje mikrobike”.

Duket se thertoret kosovare në praktikë nuk zbatojnë tërë këto teori. 

Shaban Neziraj nga thertorja “Vëllezërit Neziraj” tha për Gazetën JNK se nuk e këqyrin kohën e transportit të kafshës. “Kur ta gjej një të përshtatshme për nga mishi dhe për nga çmimi e blej dhe e dërgoj në thertore”, tha ai. 

Disa therotre tjera të anketuara nga Gazeta JnK treguan se bëjnë therjen në mënyra tradicionale në oborre të shtëpive si dhe në fshatra. 

Reklamimi i Rrezikshëm i Mishit 

Shumë nga mishtoret përgjatë Kosovës e kanë bërë zakon të reklamojnë mishin duke e vënë atë afër dritareve dhe nëpër shtylla e tela – në temperatura që shpesh janë shtu siç është edhe moti. 

Pronarja e “Mishtore Feti” në Prishtinë, Litafete Ponosheci, biznesi i së cilës ka më shumë se 60 vite që funksionon, tregon se kjo mënyrë e reklamimit është e gabuar dhe se e rrit rrezikun e kontaminimit.

Por ajo thotë se ka pasur kohë edhe më të këqija – kur mishi shitej në treg. “Asokohe e shitshin mishin nëpër treg ashtu të pambuluar, që vlojke prej mizave”. 

Pronari i Mishtore “Qingji” e arsyeton këtë lloj reklamimi. “Kur është më nxehtë e heqim, kur është më ftohtë e lëmë”, tha ai. 

Të gjitha mishtoret thonë se kanë më shumë punë me produkte industriale, ku zakonisht mishi përziehet me miell, pasi shitet më shumë, dhe cilësinë e të cilit e pranojnë se është më e vogël. 

Profesor Afrim Hamidi, në anën tjetër, thotë se “mishi mund të dalë në shitje duke respektuar temperaturën 4 gradë deri në shitje”. 

Inspektimi i mishtoreve është në mandat të inspektorëve komunalë, për të cilët AUV thotë se po planifikon një riorganizim të mirëfilltë përfshirë edhe tërë sistemin e inspektimit dhe mbikëqyrjes së operatorëve të bizneseve me ushqim. 

Kosova importon mish edhe nga Uruguaji 

Mishtoret thonë se ato zakonisht marrin mish të importuar. Disa nga ato e pëlqejnë kualitetin e mishit nga Serbia. 

Megjithatë, zëdhënësi i AUV-së Laimir Thaçi thotë se “mishi i gatshëm kryesisht  importohet nga SHBA, EU, Brazil dhe Uruguai”.

Mensure Çerkezi, nga seksioni i statistikave të tregtisë së jashtme në ESK, thotë se Kosova ka importuar 45,017,254 euro mish në vitin 2010, ndërsa 52,216,352 më 2011. (Shih dokumentin) 

Po ashtu, produkte industriale ishin importuar mbi 17 milionë euro më 2011, më shumë se më 2010 kur u importuan mbi 14 milionë euro mish.

Sipas statistikave të prezantuara nga Çerkezi, vendi importon më së shumti nga Brazili me rreth 20 milionë euro, duke vazhduar me SHBA-në me rreth 15 milionë, Holandën me rreth 3 dhe Kanadanë me rreth 2 milionë. 

Kosova kishte eksportuar rreth 44 mijë euro më 2010 kryesisht në Bosnjë, por më 2011 eksportoi vetëm rreth 14 mijë euro mish dhe atë në Shqipëri.

Por AUV nuk sheh shanse të mëdha të rrezikut nga importi.

Përveç kontrollit në pikat doganore, zëdhënësi Thaçi thotë se mishi i importuar lejohet vetëm nga thertoret e aprovuara nga autoriteti kompetent i shtetit eksportues bazuar në rregullat e definuara në legjislacionin e harmonizuar me atë të BE-së.