Një ari në qendrën e përkujdesit të kafshëve në Prishtinë. Foto: BIRN

Kosova u Ofron Jetë të Lirë Arinjve të Keqtrajtuar në Shqipëri

 

Pasi u mbajt i izoluar në një kafaz për dy vite, ariu i murrmë Tomi u largua nga Shqipëria dhe gjeti një shtëpi të re dhe më të mirë në Kosovë një muaj më parë.

Ariu 5-vjeçar i cili mbahej në kushte të këqija për të “argëtuar” vizitorët e një restoranti në veri të Tiranës është ristrehuar në një qendër pranë liqenit Badovcit, 21 kilometra nga Prishtina.

I përshkruar në median ndërkombëtare si ariu më i trishtuar në botë, Tomi të enjten po luante dhe po kapte mollë në një zonë të gjelbër të hapur në të ashtuquajturin Pyll i Kafshëve në Prishtinë.

“Si asnjë ari tjetër në qendër, Tomia ka shijuar shtëpinë e tij të re që nga dita e parë, duke luajtur vazhdimisht dhe me një pamje të lumtur,” tha për BIRN Fitore Berisha një nga guidat e qendrës.

Afrim Mahmuti, përfaqësues i organizatës Katër Putrat dhe drejtor i qendrës së përkujdesit të kafshëve në Prishtinë, i tha BIRN se Tomi dhe dy artinjtë e tjerë të sjellë nga Shqipëria, të quajtur Xhina dhe Pashuk, ishin ende në fazë rehabilitimi.

“Ata kanë përjetuar mizori dhe tani shëndeti i tyre fizik e mendor po përmirësohet ngadalë. Tre arinjtë nga Shqipëria janë mbajtur në kushte të këqija dhe të izoluar për vite, ndaj procesi do të jetë i gjatë,” tha Mahmuti.

Pashuki, i cili përpara se të vinte në Prishtinë kishte nevojë për operim për të hequr një zinxhir të ngecur brenda në qafë, gjithashtu duket se po e shijon jetën e re.

Nga ana tjetër, Xhina, një tjetër “ari restoranti” nga Shqipëria, duket ende e frikësuar dhe nervoze. Ajo futet në strofkën e saj sa herë sheh një njeri t’i afrohet. Kujdestarët e parkut shpresojnë që një ditë ajo ta kalojë ankthin.

Tre arinjtë shqiptarë janë mes 16 individëve të zhvendosur në Kosovë, një vend që duket se po ka sukses kur vjen puna te kujdesi për arinjtë.

Puna në qendrën në Prishtinë filloi në 2012, pasi u publikua lajmi për fenomenin e zymtë të arinjve të kapur që përdoreshin për të argëtuar njerëz për nxjerrje përfitimesh.

Organizata ndërkombëtare, Katër Putrat, hyri në negociata me qeverinë e Kosovës ndërsa një fondacion u krijua për të menaxhuar qendrën.

Komuna e Prishtinës dhuroi për përdorim për 10 vjet, 16 hektarë tokë ndërsa mbështetja vazhdoi duke ndërtuar një rrugë që do të sillte vizitorë në qendër.

Në eksperiencën e saj katër-vjeçare, qendra ka mbledhur 19 arinj dikur të izoluar, nga mosha 3-17 vjeç, ndërsa ka punësuar si staf 16 të rinj nga Prishtina.

Drejtori i Pyllit të Kafshëve në Prishtinë, Mahmuti tha se parku është bërë një destinacion i rëndësishëm turistik në Kosovë. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, rreth 30,000 persona kanë blerë bileta për ta vizituar atë.

“Ne jo vetëm kujdesemi për arinjtë, por gjithashtu organizojmë trajnime me fëmijët dhe të rinjtë se si mund ta mbrojnë natyrën dhe kafshët e egra. Me ndihmën e vullnetarëve nga e gjithë Evropa, ne po ndihmojmë fushata të ndryshme për të mbrojtur mjedisin në Kosovë,” tha ai.

Por duke e pasur fokusin kryesor te arinjtë, Mahmuti tha se ata e konsiderojnë si sukses madhor që gjatë 2015 dhe 2016 nuk pati raste të reja të arinjve të mbajtur në kafazë në Kosovë.

Shqipëria mëson nga eksperienca e fqinjit

Një ari në qendrën e përkujdesit të kafshëve në Prishtinë. Foto: BIRN
Një ari në qendrën e përkujdesit të kafshëve në Prishtinë. Foto: BIRN

Shqipëria ka një situata më problematike për arinjtë e mbajtur të izoluar. Rreth 50 arinj mbahen ende në kafazë në të gjithë vendin.

“Një në gjashtë arinj në Shqipëri është i izoluar dhe kjo është një situatë shumë shqetësuese,” tha Megi Hafizi, nga Animal Rescue Albania ARsA.

Një delegacion nga ministria shqiptare e mjedisit, bashkia e Tiranës dhe organizata të mbrojtjes së kafshëve dhe mjedisit u mblodhën në Prishtinë të enjten për të mësuar mbi qendra të ngjashme që mund të ngrihen në Tiranë.

Në prill, ministria i kërkoi organizatave në rajon dhe në Europë ta ndihmojnë për të ngritur një strehë për arinjtë e shpëtuar.

Rreth 18 arinj janë shpëtuar ose janë në proces të shpëtimit gjatë 2016. Ministria u ndihmua nga Katër Putrat dhe nga organizatat vendase në këtë detyrë.

Por procesi i dërgimit të arinjve jashtë është i kushtueshëm dhe krijimi i një qendre në Shqipëri është thelbësor nëse Shqipëria do të shpëtojë të gjithë arinjtë e izoluar.

Ministria e Mjedisit, Katër Putrat dhe Bashkia e Tiranës tani janë në proces të ndërtimit të një qendre. Mali i Dajtit konsiderohet vendi më i mirë.

“Kemi identifikuar një zonë me 17 hektarë në malin e Dajtit, që konsiderohet pozicion strategjik për krijimin e një qendre të tillë”, tha Artenisa Peculaj, një specialiste nga agjencia kombëtare për zonat e mbrojtura.

Mungojnë vetëm paratë. Bazuar në përvojën e Kosovës, më shumë se 1 milionë euro nevojiten për të hapur një qendër për arinjtë dhe kostoja e lartë vjetore e funksionimit shkon në disa qindra mijëra euro.

Qendra në Prishtinë shpenzoi 160,000 euro gjatë 2015 për ushqim për arinjtë dhe mirëmbajtje.

Institucionet shqiptare po shpresojnë të mbledhin mjaftueshëm donacione për krijimin e kësaj qendre, pasi financimi nga buxheti i shtetit nuk është i mundur.