Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Kosova po Humb Besimin në BE

Dështimet politike nga ana e Brukselit dhe Qeverisë së Kosovës kanë lënë edhe mbështetësit më të zëshëm të Bashkimit Europian të zhgënjyer, të frustruar dhe nën hamendje se kah të mësyhet tash.

Çka ka bërë ndonjë herë BE’ja për Kosovën? Një pyetje provokuese, mendoja gjersa lexoja titullin për të cilin BIRN më kërkoi të shkruaj. Ndoshta pyetje më e duhur do të ishte nëse BE’ja ka bërë aq sa duhet. Megjithatë, meqë më pëlqejnë sfidat dhe meqë njihem si e sinqertë në mendimet e mia, e pranova.

Do të japë një përgjigje të shkurtër dhe pastaj do të hyjë në hollësi: BE’ja ka bërë shumë – mirëpo jo sa duhet në rrafshin politik.

BE’ja ka bërë shumë në mbështetje financiare, materiale dhe teknike për përgatitjen dhe ndërtimin e institucioneve të shtetit të ri, ku madje edhe disa nga shtetet mos-njohëse kanë marrë pjesë në programet e përbashkëta dhe kanë ofruar mbështetje bilaterale.

Dhe natyrisht, misioni më i madh europian për sundim të ligjit, EULEX, ka bashkëpunuar me institucionet e Kosovës që nga fillimi duke mbështetur fuqizimin e gjyqësorit lokal dhe shtetëror të vendit, posaçërisht në fushat e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë në nivel të lartë, si dhe krimet e luftës – si dhe në hetimin, ndjekjen, paditjen dhe ndëshkimin e kriminelëve të dyshuar; jo në nivelin që i përmbush pritjet e të gjithëve, si dhe shumë ngadalë për mendimin e shumë personave të tjerë, e di. Këtu buron edhe një pjesë e zhgënjimit prapa pyetjes në titull.

Edhe në nivelin politik BE’ja ka bërë shumë: Përkundër faktit që pesë shtete anëtare ende nuk e kanë njohur shtetin e ri, Strategjia e Zgjerimit e Selanikut e vitit 2003 është ende në fuqi si dhe, gjatë viteve të fundit, vazhdimisht është konfirmuar Perspektiva Evropiane e Kosovës nga të gjitha institucionet e BE’së.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në vizitën e saj të fundit në Bruksel ka pasur takime të nivelit të lartë me Ministren e Jashtme dhe Nënkryetaren e Komisionit, Catherine Ashton, me Presidentin e Këshillit, Herman Van Rompuy dhe me Jerzy Buzek, Kryetar i Parlamentit Europian, PE.

PE ka qenë promovuesi më i fuqishëm dhe më i zëshëm i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga dhe Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj kanë qenë dëshmitarë të kësaj mbështetje gjatë takimeve të tyre të fundit me Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit. Raporti im që u miratua në seancën plenare në korrik të vitit 2010, mes tjerash, kërkon nga pesë shtetet mos-njohëse që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo rezolutë (sikurse shumë të tjera në fushën e Punëve të Jashtme) nuk është e obligueshme për shtetet anëtare.

Për vite me radhë, dhe me sukses në shumë mënyra, Komisioni ka bashkëpunuar me të gjitha nivelet e shoqërisë së Kosovës – që nga qeveria deri të shoqëria civile dhe grupet e pakicave, për shembull në mbështetjen e krijimit të komunave të reja në jug të Ibrit. Instrumenti për Asistencë të Para-Anëtarësimit (IPA) aplikohet me Kosovën, si dhe në të. Nga viti 1999 deri më 2011 BE-ja ka futur në Kosovë mbi 2.3 miliardë Euro në formë ndihme dhe afër 1 miliardë Euro në formë të mbështetjes për praninë ndërkombëtare.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së e datës 9 shtator 2010 ka qenë një sukses i padyshimtë për BE’në dhe Catherine Ashton – natyrisht edhe për Kosovën, meqë i dha fund përpjekjes së Serbisë për përdorim negativ të Opinionit të GJND’së të korrikut 2010, e cila qartë kishte deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare – gjë që ishte zhgënjim për Beogradin. 

Para një viti, pyetja në titull nuk do të ishte parashtruar. Çka ndodhi?

Mbështetja në nivel politik nuk shihet si e mjaftueshme – dhe thënë thjeshtë, ajo nuk mjafton. Mosnjohja nga pesë shtete anëtare vazhdon edhe më tej. Dhe, me vetëm disa përjashtime, 22 njohësit janë duke qëndruar prapa, duke vështruar dhe pritur – e jo duke qenë aktive për të kërkuar qartësim (si për shembull për përfaqësimin e BE’së në Kosovë) dhe njohje.

Një  gjë e tillë është duke i zbehur angazhimet tona dhe ndikimin e miliarda Eurove të shpenzuara sepse – për shembull – EULEX-i, edhe pas gati tri vitesh, ende nuk ka arritur të përmbushë një nga detyrat e mandatit të tij: sundimin e ligjit në veri, plotësimin e gjykatave me staf kosovar, si dhe ofrimin e sigurisë për serbët dhe shqiptarët që jetojnë në veri, jo vetëm të përballur me strukturat jotransparente dhe paralele të financuara nga Serbia, por edhe strukturave mafioze që kanë gjetur hapësirë të bollshme për manovrime joligjore në një zonë ku nuk ka sundim të ligjit. Unë shpresoj se prania e re e përzier në kufirin me Serbinë që nga 16 shtatori do të jetë e suksesshme dhe se nuk do të ketë më dhunë.

Premtimet për perspektivë Europiane (për shembull dialogu për viza është dashur të fillojë vjeshtën e kaluar) dhe shpresat që janë përcjellë me shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008 nuk janë materializuar.

Kriza ekonomike, papunësia, posaçërisht tek të rinjtë, kanë përkeqësuar zhgënjimin me sistemin politik në Kosovë që nga vjeshta e kaluar (p.sh. mashtrime në zgjedhje, mungesë suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë): një varg ngjarjesh – të jashtme dhe vendore – kanë kontribuar në zhgënjimin lidhur me arritjet politike të procesit të integrimit europian të Republikës së Kosovës, gjë që është e dukshme edhe te ata kosovarë që e kanë mbrojtur BE’në.

Ndërsa mungesa e qartësisë nga ana e BE’së i ofron hapësirë pushtetarëve në Kosovë që ta kthejnë vëmendjen larg përgjegjësisë dhe llogaridhënies së tyre.

“Neutraliteti ndaj statusit” është bërë term i bezdisshëm për të gjithë ata që e shohin se BE-ja si tërësi është duke u dobësuar nga mungesa e saj e kohezionit – si materialisht ashtu dhe politikisht. Shumë synime të mira humbin në hapësirë, prandaj dhe gjithnjë e më shumë kosovarë janë duke dyshuar nëse BE’ja është ende serioze me premtimin e saj për “Perspektivë Europiane” – dhe nëse e ardhmja e tyre vërtet qëndron në Bashkimin Europian e jo në Shqipërinë e Madhe ose me lidhje më të afërta me fuqi të tjera edhe më larg. 

Përshtypja e përgjithshme në Kosovë drejt BE’së është duke u zbehur. Jo për shkak se është tërësisht faji i BE’së, por për shkak se shpresat dhe pritjet në BE dhe akterët e saj, si dhe retorika e tyre, kanë qenë aq të larta – dhe BE-ja padyshim se nuk i ka përmbushur këto pritje, madje as ato të bazuara në premtimet tona. Dialogu për viza ende nuk ka filluar. Shpresoj se do të fillojë këtë vjeshtë – mirëpo shtetasit e të gjitha vendeve fqinje mund të udhëtojnë lirshëm tanimë që tre muaj në BE.

Kjo është e dhimbshme, në shumë aspekte: Tri vjet pas pavarësisë, kosovarët ndjejnë lodhjet e rrugës së vështirë nëpër rrafsh, siç ka thënë Bertolt Brecht. Ata fillojnë të ndjehen të izoluar, se – përsëri – janë viktima, qytetarë të kategorisë së dytë. 

Dialogu me Beogradin ka shënuar vetëm hapa modestë deri në muajin korrik. Serbët janë duke shtyrë për ndarje. Shqiptarët e Kosovës ndjehen se BE’ja nuk është shprehur zëshëm sa duhet kundër kësaj, ndonëse deklarata e kohëve të fundit e znj.Merkel në Beograd ka ndihmuar. Ende nuk ka marrëdhënie kontraktuale ndërmjet BE’së dhe Kosovës.

Të paktën, Masat Autonome Tregtare do të rivendosen së shpejti. Perspektiva e BE’së gjithnjë e më shumë po konsiderohet si premtim i zbraztë. Nëse Serbia do ta fitojë statusin e kandidatit me kompromise tejet modeste drejt Kosovës për çështje që është dashur t’i pranojë shumë kohë më parë, siç janë vulat e doganave, atëherë frikësohem se shumë njerëz do të ndjejnë atë që skeptikët e BE’së në Kosovë e kanë shprehur tërë kohën: se dialogu ka qenë vetëm një inskenim që Serbia ta fitojë statusin e kandidatit, si dhe që perspektiva europiane e Kosovës thjeshtë nuk ekziston më.

Nëse ne në BE që besojmë në të ardhmen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, sepse ky është premtimi dhe bindja jonë për projektin europian për paqe – edhe në kohë të krizave, nuk jemi në gjendje t’i ndryshojmë këto fakte atëherë ne jemi në rrezik jo vetëm të humbjes së Kosovës dhe qytetarëve të saj por edhe të njerëzve të disa shteteve të tjera në rajon.

Zgjidhja do të ishte – krahas dialogut për viza dhe udhërrëfyesit për viza – që të niset një proces paralel i ekzaminimit me Serbinë dhe Kosovën menjëherë pasi që e para ta ketë fituar statusin e kandidatit ku të dy shtetet do të fillonin me vlerësimin e gjendjes së tanishme të legjislacionit të tyre në raport me legjislacionin e BE’së.

Kjo mund të bëhet një sikur në qasjen dybinarëshe që veç aplikohet në negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Serbinë dhe Malin e Zi, që nisën para referendumit në Mal të Zi që çoi në pavarësi. Një proces i tillë paralel i ekzaminimit (i propozuar nga ekspertë përkatës) do t’ia kthente kosovarëve ndjenjën e përkatësisë në Europë dhe se kur europianët flasin për Ballkanin Perëndimor i nënkuptojnë edhe kosovarët.

Ose madje, siç kanë sugjeruar tanimë disa grupe ekspertësh, t’u jepet të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor statusi i kandidatit dhe të procedohet paralelisht me të gjitha shtetet në faza të ndryshme, deri në momentin që ato t’i kenë përmbushur, me merita vetanake, detyrimet e BE’së.

Atëherë jam e sigurt se BIRN dhe të tjerët nuk do ta ndjejnë më nevojën të pyesin se çka ka bërë BE’ja për Kosovën.

Ulrike Lunacek, Deputete e Parlamentit Evropian nga Austria, është Zëdhënëse për Marrëdhënie të Jashtme për Grupin Partia e Gjelbër/EFA në Parlamentin Europian dhe Raportuese e PE’së për Kosovën.

23 Shtator 2011 - 1:36 pm

Ulrike Lunacek 23/09/2011 - 1:36 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0