Kosova Nënshkruan Marrëveshje me BERZH-in

Marrëveshja mundëson shtrirjen dhe funksionalizimin e BERZH-it në tërë territorin e Kosovës.

Duke folur pas këtij nënshkrimi, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur bindjen se Kosova do të jetë përfituese në projekte të ndryshme. Për këtë, është hartuar një strategji trevjeçare.

“Tri orientimet strategjike të identifikuara në këtë strategji përfshijnë përkrahjen e privatizimit dhe zhvillimin e sektorit privat, përkrahjen e komercializimit, konkurrencës dhe përfshirjes së sektorit privat në infrastrukturë si dhe promovimin dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe mineraleve”, tha kryeministrit Thaçi.

Sipas tij, me anëtarësimin në këtë institucion, derisa përkrahja e sektorit privat do të vazhdojë, përfitues i programeve të BERZH-it do të jetë edhe sektori publik.

Që nga viti 1999, BERZH-i përmes programeve të ndryshme ka dhënë kontribut të madh në fuqizimin e sektorit privat në Kosovë. Që nga atëherë deri më 2012, BERZH-i ka zgjeruar portfolion e investimeve në 66 milionë Euro duke zbatuar kështu rreth 29 projekte të ndryshme në sektorin privat.

Kjo është vizita e parë në Kosovë e Chakrabatit, pas 17 dhjetorit 2012, kur Republika e Kosovës është bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
 
Presidenti i BERZH-it Suma Chakrabati, tha se gjithë Bordi dhe Menaxhmenti në BERZH janë të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për të kaluar tranzicionin drejt një ekonomie me treg të hapur.
 
“Ne duam të përmirësojmë jetën e njerëzve në Kosovë. Kryeministër, ju folët shumë hapur për projektet që ne tashmë i kemi arritur këtu, në 13 apo 14 vitet e fundit. Është e vërtetë se ne kishim projekte dhe mbi 60 milionë euro të investuara tashmë në këtë vend. Ky ishte vetëm fillimi”, tha ai.
 
Chakrabati ka theksuar përkushtimin e ekipit të BERZH-it që do të punojë në Kosovë që t’iu ofroj shanse të gjithë njerëzve për të pranuar mbështetjen nga ky institucion.