Kosova e Serbia Debatojnë për Historinë

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/cXmuvJnoyPc” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Këta shkencëtarë e thonë hapur se historia e dy popujve në të kaluarën është shkruar mbarë e mbrapshtë në vendet e tyre dhe se shumë doktrina të gabuara mësohen nëpër institucione arsimore. Andaj lypset, thonë ata, një intervenim i shpejt i rishikimit të historiografisë së dy vendeve bazuar tek e vërteta shkencore.

Dy palët pajtohen se objektiviteti shkencor mungon në qasjen e secilës palë për të shkruar historinë nacionale, e cila për shkencëtarët kosovarë është edhe peng i “embargos mbi dokumentet relevante” që ka vendosur kisha ortodokse.

Në episodin e dytë të serisë së debateve televizive “Tema” për dialogun joformal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, katër historianë, dy nga secila anë, debatojnë për temën “A është e mundur të shkruhet historia, pa fyer të tjerët?”.

Jusuf Buxhovi dhe Enver Rexhaj nga Kosova, dhe Çedomir Antiq dhe Momqillo Pavlloviq nga Serbia, shpesh gjatë debatit pranuan të mos pajtohen, por të gjithë ata theksuan nevojën për bashkëpunim të dyanshëm ndërmjet historianëve kosovarë dhe atyre serbë.

Historiani Jusuf Buxhovi thotë se Kosova gjendet në një situatë kur ende s’e ka të plotësuar as minimunim e teksteve shkollore që kanë të bëjnë me historiografi, e lëre më me ato që do ta ballafaqonin me tekstet e natyrës nacionaliste e hegjemoniste të cilat, sipas tij, domosdoshmërisht historiografia serbe duhet t’i pranoj.

“Në vitin 1944, ekziston elaborati i tretë i Vaso Qubrilloviqit drejtuar Titos. Është pranuar ai program dhe Qubrilloviqi është emëruar si ministër i agrarit. Mbi atë program është bërë gjenocidi në Kosovë. Zotëri këto janë fakte. Ne kemi rreth 40-50.000 viktima që janë gati evidentuar”, tha Buxhovi, për të shtuar se Serbia ia ka borxh Kosovës kërkimfaljen.

Por, Çedomir Antiq nga Instituti Ballkanologjik i Akademisë së Shkencës dhe Artit të Serbisë thotë se historia nuk duhet zbritur në çështje politike, që do të paraqiste nevojën e plotësimit të një parakushti për kërkim-falje.

Thekson se po që se argumentet e njëjta zbatohen, pa standarde të dyfishta, rezultati nuk do të jetë i kënaqshëm për asnjërën palën.

“Nëse nuk pranoni se historia juaj është falsifikuar, që dikush t’ju quaj si serb të turqizuar të cilët pastaj janë arnautizuar, atëherë mos kërkoni që as trashëgimia e Mbretit Millutin, e cila është ngritur gjatë shtetit mesjetar serb, të thirret si trashëgimi kosovare. Ajo mund të jetë në territorin e shtetit të pavarur të Kosovës, por nuk mund të bëhet trashëgimi kulturore e Kosovës”, tha Antiq.

Mirëpo, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexhaj, thotë se trashëgimia kulturore e fetare në Kosovë është përvetësuar nga kisha ortodokse serbe, ndërsa despotatet e atëhershme serbe kanë qenë vazalë të Perandorisë Osmane.

Despotatet serbe, sipas tij, kanë qenë në shërbim të plotë të osmanëve ndërsa në atë kohë nuk kishte shtet serb por bashkësi fisnikësh.

“Ne në Ballkan jemi shtete të vogla. Kemi prodhuar histori shumë të mëdha. Kemi publiku mbarë dhe mbrapshtë, siç thuhet. Edhe tash, për me hy dhe me shkru histori drejtë, ne duhet me u kthy në redukime apo rishikime të historisë. Me nxjerr ato referenca të cilat janë të pranueshme, në këtë rast jo vetëm historiografia serbe apo historiografia shqiptare, por ta marrim një balanc edhe nga historiografia ballkanike evropiane”, tha ai.

Drejtori i Institutit të Historisë Moderne, Momçillo Pavloviq, tha se problemi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për historinë qëndron tek interpretimi i fakteve dhe vlerësimi i ngjarjeve dhe proceseve të caktuara.

“Do të ishte fer, që nëse nuk ka objektivitet, atëherë të përmendet se perspektiva e shqiptarëve është e tillë, kurse perspektiva serbe për ngjarje të caktuara është e atillë. Kjo për mua është legjitime, apo e ashtuquajtura multi-perspektiva, e cila duhet të ketë një kufi, sepse nuk është krejt kontestuese mes serbëve e shqiptarëve”, tha ai.

Historianët që marrin pjesë në këtë debat televiziv të organizuar nga Internews Kosova dhe BIRN-i u pajtuan gjithashtu se tekstet shkollore të historisë nuk duhet të përmbajnë fjalë urrejtjeje dhe nuk duhet të hezitojnë të tregojnë të vërtetën, si në Serbi ashtu dhe në Kosovë.

Pavarësisht dallimeve të thella dhe akuzimeve të dyanshme, panelistët i ofruan njëri-tjetrit shkëmbim të informacionit dhe dokumentacione për hulumtimet e tyre të ardhshme shkencore.

Premiera e debatit do të shfaqet të hënën, më 7 janar, nga ora 22:30, në RTV21.