Foto: Zyra e Kryeministrit

Kosova e Re, Pastaj Burimet e Ripertritshme dhe Efiçenca

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se termocentrali “Kosova e Re” do ta pensionojë termocentralin e vjetruar “Kosova A” dhe do t’i ofrojë gjeneratës së ardhshme një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë, përmes gjeneratës së re të teknologjisë së pastër nga qymyri. Këtë ai e tha në në Forumin e Tretë të Nivelit të Lartë për Energji, me temë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë” i cili është organizuar nga në bashkëpunim me projektin “Repower Kosovo” të USAID.

“Strategjia e Energjisë ka një qasje gjithëpërfshirëse në të. Aty reflektohet edhe nevoja për të rehabilituar termocentralin “Kosova B”, duke e bërë atë plotësisht në përputhje me standardet evropiane të emetimit dhe ato mjedisore. Kështu që, në fund të këtij procesi, ai do të jetë një termocentral i ri. Qeveria do të marrë vendimin përfundimtar mbi strategjinë e financimit këtë vit”, u shpreh ministri Lluka.

Ai potencoi se Qeveria e Kosovës është duke i kushtuar vëmendje edhe çështjeve që ndërlidhen me efiçencën e energjisë dhe energjisë nga burimet e ripërtërishme.

“Mbi 500 megavat në proces të investimeve apo aplikimit për licenca për energji të ripërtëritshme. Prej tyre rreth 50 për qind janë hidro dhe 40 për qind nga era”, theksoi Lluka.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se gjatë vitit 2017 është bërë shumë punë për t’i adresuar sfidat në sektorin e energjisë.

“Mendoj se sot 3 muaj i kemi dhënë një vule zhvillimit të energjisë kur e kemi nënshkruar marrëveshjen për termocentralin Kosova e Re. Teknologjia e re mundëson edhe përmirësimin e ambientit”, potencoi Haradinaj.

Ai theksoi se projekti i termocentralit “Kosova e Re”, i cili ofron kapacitete zëvendësuese për termocentralin “Kosova A”, është përmbyllur në vitin 2017 dhe ndërtimi i tij do t’i japë fund edhe pasigurisë në vend për furnizimin me energji.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie pohoi se viti 2017 ka qenë vit vendimtar dhe domethënës për Kosovën, por ai theksoi se qeveria duhet të sigurohet që ‘Kosova e Re’ të shkoj drejt përfundimit dhe t’i mbaj zotimet që i ka dhënë në fund të dhjetorit.

Ambasadori amerikan u tregua optimist për të rinjtë e Kosovës duke thënë se ata janë e ardhmja e energjisë së Kosovës.

“Para disa jave u takova një grup të praktikantëve me shumë energji, derisa fola me ta u sigurova që sektori i energjisë do t’i kaloj këto sfida. Këta janë e ardhmja e Kosovës. Ka ende punë por ju lavdëroj për atë që e keni arritur”, përfundoi Delawie.

Pjesë e Forumit me temë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë” ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt i cili potencoi se sektori i energjisë është njëri nga shtyllat kryesore të rritjes së qëndrueshme të ekonomisë.

“Objektivë për mbështetjen gjermane në energji në Kosovë është mbrojtja klimatike dhe zhvillimi i ekonomisë. Jemi përqendruar në rrjetin e transmisionit, ku me KOSTT-in kemi zotuar 83 milionë euro dhe po mundohemi ta dërgojmë rrjetin përpara”, ka thënë Heldt.

Ambasadori gjerman nuk e la pa i përmendur as problemet politike sa i përket integrimit në rrjetin rajonal të energjisë, pasi sipas tij gjërat në nivelin politik nuk kanë ecur shumë përpara në këto dy vite e gjysmë.

Theks të veçantë në këtë Forum u vendos nga çdo pjesëmarrës të burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe te efiçenca e energjisë.

Ricardo Serri, përfaqësues i Zyrës së Be-së në Kosovë theksoi se efiçenca e energjisë dhe energjia e ripërtëritshme janë dy burime të afërta me zemrën e BE-së.

“Dëshirojmë që edhe kjo të ndodhë edhe në Kosovë. Ndërmarrjet e vogla dhe amvisëria duhet të përqendrohen në shpenzimin më të vogël të energjisë. Qymyri është i rëndësishëm, por Kosova duhet të investoj në zvogëlimin e emetimin e dioksidit të karbonit. Për BE-në është e rëndësishme që të investohet në burimet e ripërtëritshme”, shtoi Serri.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli deklaroi se Kosova ka pasur një përparim në zhvillim ekonomik, por se ka nivel të lartë të varfërisë. Ai ka thënë si investimet në projektet e mëdha energjetike përkthehen me rritje të çmimit të energjisë.

“Asistenca jonë do të fokusohet në efiçencën e energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe burimet e reja që janë të përballueshme për qytetarët. Zvogëlimi i varfërisë dhe rritja ekonomike kalon nëpër këtë sektor. Çështja është mos të shmangemi por ta adresojmë çështjen e konsumatorëve të varfër. Këshilla jonë është të përqendrohemi në asistencën sociale. Masë e rëndësishme për uljen e tarifave është efiçienca e energjisë. Efiçienca e energjisë është mënyrë që të zvogëlohet presioni në tarifa. Ka nevojë për investime të mëdha dhe kjo nuk mund të mohohet”, theksoi Mantovanelli.

Forumi i Tretë i Nivelit të Lartë për Energji, me temë “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë” u ka ofruar mundësi të gjitha institucioneve relevante në Kosovë që të diskutojnë për sfidat me të cilat përballet sektori në zbatimin e Strategjisë së Qeverisë për energji, të debatojnë dhe komentojnë rreth çështjeve aktuale me rëndësi për sektorin e energjisë elektrike, siç janë sigurimi që projekti i TCKR-së të vazhdojë tutje drejt përmbylljes financiare dhe rritja e furnizimit me energji nga BRE-të, si dhe të analizohen mundësitë dhe sfidat  që do të sjellë viti 2018.

Qëllimet e këtij Forumi ishin të diskutohej dhe të rriten njohuritë dhe ndërgjegjësimi karshi sfidave për rehabilitimin e Kosovës B, nevojave për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në sektorin e energjisë për t’u ballafaquar me këto sfida dhe promovimi i mëtutjeshëm i shfrytëzimit të energjisë së pastër.

http://kallxo.com/haradinaj-qymyri-nuk-eshte-zgjidhja-me-e-mire-por-eshte-zgjidhje-reale/